Ndërlidhjet

BEOGRAD


Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evro-aziatike Daniel Fried, sot u takua me kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica, i cili ka vlerësuar se të gjitha argumentet për zgjidhjen e statusit të Kosovës janë në anën e Serbisë, dhe se ajo nuk do pranojë "asnjë zgjidhje mendjelehtë e cila do të krijonte presedencë të rrezikshme".
Në komunikatën e qeverisë thuhet se Koshtunica e ka theksuar qëndrimin unik të të gjitha institucioneve se "Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet pjesë përbërëse e Serbisë".
"Duhet të respektohet e drejta ndërkombëtare, sidomos parimi i sovranitetit dhe integritetit territorial", thuhet në komunikatë.
Ndërkaq shefi i diplomacisë serbe Vuk Drashkoviq, njoftohet t'i ketë thënë zyrtarit amerikan se zgjidhja e kompromisit për statusin e ardhshëm të Kosovës nuk do të ishte vështirë të arrihet nëse pala shqiptare do të pajtohej me mosndryshimin e kufinjve të Serbisë.
Fried ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta shohin Serbinë si partner strategjik dhe lider të rajonit, por ajo duhet "të shkëputet rrënjësisht nga trashëgima e Millosheviqit dhe politika katastrofike antikombëtare e udhëhequr atëherë".
Fried u takua edhe me presidentin Boris Tadiq. Në njoftimin nga presidenca thuhet se Tadiq i ka prezantuar zyrtarit amerikan qëndrimet e ekipit negociator për statusin e Kosovës.
Pas Beogradit, Fried do të vizitojë Prishtinën.
XS
SM
MD
LG