Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË


Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Çështjet Evropiane dhe Evroaziatike Daniel Fried sot qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë. Fried viziton Prishtinën pas qëndrimit në Beograd, ku u takua me zyrtarët më të lartë të Serbisë. Sot në një prononcim para gazetareve, Fried tha se shtyrja e zgjidhjes së statusit të Kosovës nuk do të kishte efekte pozitive dhe se këtë, nuk e ka kërkuar asnjë zyrtar serb me të cilin ka biseduar në Beograd.
"Asnjë lider serb me të cilin dje bisedova nuk bëri thirrje që zgjidhja e statusit të shtyhet. Vendimi duhet të merret këtë vit. Ende nuk kam dëgjuar ndonjë argument se shtyrja do të mund të sillte diçka", ka thënë Fried.
Ai tha se Kosova është rast i veçantë, andaj zgjidhja për statusin nuk do të jetë presedencë që do të mund të zbatohet diku tjetër në botë. Sipas tij, Kosova nuk do të jetë presedencë as për Republikën Serbe të Bosnjes, as për Osetinë Jugore, Abkhazinë, Transnjestrinë apo për Çeçeninë.
"Sllobodan Millosheviqi u fut në luftë me NATO-n. Çfarë mendonte ai? Kosova është nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Rrethanat e tilla nuk ekzistojnë askund në botë", theksoi Fried, duke shtuar se nuk e dinte se çfarë do të jetë statusi i Kosovës, por tha që e din se nuk do ketë kthim në të kaluarën.
"Popullit serb duhet t'i thuhet e vërteta", tha zyrtari i lartë amerikan.
Ndihmësi i sekretares së shtetit Condoleezza Rice, i përkujtoi qëndrimet e Grupit të Kontaktit që të bëhen përpjekje që zgjidhja për statusin të arrihet brenda këtij viti dhe se asnjëra palë nuk do të mund ta bllokojë procesin në mënyrë të njëanshme.
Fried nuk u përgjigj në pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse negociatat deri në fund të vitit nuk do të jepnin rezultate, dhe nëse Shtetet e Bashkuara në këtë rast do të mbështesnin imponimin e zgjidhjes.
Pala serbe, tha Fried, ka çdo të drejtë të japë sugjerime dhe propozime, për të ndihmuar mbrojtjen e trashëgimisë dhe bashkësisë serbe që jeton në Kosovë. Fried gjithashtu tha se Serbia meriton porosi të qartë të udhëheqësve të saj si në rastin e të ardhmes së Kosovës, ashtu edhe për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.
XS
SM
MD
LG