Ndërlidhjet

SEJDIU: ÇDO INSISTIM NË BISEDIME TË MËTEJME ME BEOGRADIN DO TË ZGJATË PROCESIN


Albana Isufi, Prishtinë

Insistimi për takime të tjera mes Prishtinës dhe Beogradit, qoftë për bisedime teknike, ashtu edhe për statusin, do të sjellë vetëm stërzgjatje të procesit të zgjidhjes së statusit.

Kështu ka deklaruar sot presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, pas udhëhoqi takimin e ekipit negociator, të parin pas kthimit nga Nju Jorku dhe pas raportimit të kryenegociatorit Marti Ahtisari në Këshillin e Sigurimit lidhur me procesin negociator.

“Nuk ka diçka konkrete. Unë e kam thënë dhe atë ditë që jam kthyer nga takimi i Nju Jorkut në Prishtinë. Mund të ketë një insistim të ndonjë prej palëve, që të vazhdohet në bisedime, në shtjerrjen e tyre, sepse mund të ketë ndonjë hapësirë. Mund të them se ne si Kosovë kemi qenë në gjithë këtë fazë të zhvillimit të bisedimeve për çështje të veçanta mjaft konstruktivë.
Kemi shtjerrur mundësitë tona në kuptimin e ofertës që kemi dhënë, sepse është ofertë që mendoj se ka arritur limitin e saj në bazë të asaj që ne e quajmë normale për një funksionalitet të Kosovës dhe mosrrezikim të funksionalitetit të përgjithshëm të Kosovës në të ardhmen e saj. Këtu jemi, do të shohim, por mendoj se çdo insistim për çështje të tilla, eventualisht mund të ketë si pasojë të drejtpërdrejtë stërzgjatjen e procesit. Ne s'jemi për atë”, tha presidenti Sejdiu.

Kryenegociatori ndërkombëtar Marti Ahtisari ka theksuar ditë më parë në Nju Jork nevojën e bisedimeve të mëtejme me palët dhe ka vënë në dukje se të dyja palët, si Prishtina dhe Beogradi, e kanë siguruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga bisedimet.

Ndryshe, presidenti i Kosoëvs Fatmir Sejdiu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës për qetësi në këtë periudhe kur pritet të zgjidhet statusi. Ai bëri këtë thirrje, disa ditë pasi në Kosovë ka pasur një mori incidentesh me bomba, përfshirë këtu edhe incidentin e djeshëm në Mitrovicë, që ka çuar edhe në mbylljen e sërishmë të urës mbi lumin Ibër.

Presidenti Sejdiu ka theksuar se të gjithë ata që merren me materien e incidenteve dhe shpërthimeve të ndryshme, janë kundërshtarë të pavarësisë dhe të ardhmes së Kosovës.

“Do të apeloja për një qetësi të përgjithshme publike gjithë qytetarëve të Kosovës, që të jenë pjesë e kontributit të përbashkët në ecje. Duhet ta dini se ekziston një ndjenjë e përhershme e atyre që vërtet e kundërshtojnë të ardhmen e Kosovës dhe pavarësimin e saj, që të mbajnë tensione të vazhdueshme dhe me këtë mënyrë të theksojnë në akuzat e tyre të vazhdueshme, se Kosova është një rajon jostabil, se çështja e pavarësimit të Kosovës dhe marrja në duar e jetës së përgjithshme shtetërore dhe politike nga ana e institucioneve të Kosovës, në kuptimin edhe të mbështetjes ndërkombëtare, do të ndikonte në një jostabilitet të brendshëm në Kosovë dhe rajonal. Por ne u themi se ajo është thjesht një akuzë, që ka për qëllim atë që ne të mos arrijmë qëllimin tonë si Kosovë", tha presidenti Fatmir Sejdiu.

Presidenti Fatmir Sejdiu kërkoi nga autoritetet e rendit dhe të ligjit që të ruajnë stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.




XS
SM
MD
LG