Ndërlidhjet

logo-print

REKOMANDIMET E AMNESTY INTERNATIONAL MIRËPRITEN NGA POLITIKANËT KOSOVARË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësues të institucioneve dhe partive politike në Kosovë vlerësojnë se rekomandimet e Amnesty International që publikohen në raportin e fundit për Kosovën, ku kërkohet që të drejtat e njeriut të mos trajtohen si një çështje teknike por si bazë e çdo marrëveshjeje për statusin e Kosovës, janë të qëndrueshme dhe të mirëseardhura.

Skënder Durmishi, zëdhënës dhe këshilltar i kryeparlamentarit të Kosovës Kolë Berisha, thotë se pavarësisht se të drejtat e njeriut janë përfshirë si çështje teknike në bisedime, ato në asnjë mënyrë nuk duhen parë si një nënvlerësim i të drejtave të njeriut në Kosovë.

"Përfshirja e të drejtave të njeriut në procesin e statusit është normale, madje kjo është një çështje që po ndodh, është pjesë e procesit. Pra nuk është fjala vetëm për të drejtat e minoriteteve, por për të drejtat e njeriut si kategori universale. Mendoj se vlerësimi i Ahtisarit tek kategoria teknike, nuk do të thotë në asnjë mënyrë nënvlerësim i të drejtave të njeriut. Këtë ai nuk e ka menduar, përkundrazi është referencë për një kategori të padiskutueshme", thotë zëdhënësi Durmishi.

Skënder Durmishi thotë po ashtu se në Kosovë askush nuk ka dilemë për rolin dhe vendin që do të kenë të drejtat e njeriut në Kosovën e pas statusit.
"Sot ne kemi këtë status që kemi, por nesër Kosova do të nënshkruajë dhe do të ratifikojë të gjitha konventat dhe instrumentet e tjera për të drejtat e njeriut. Pas statusit çështja e të drejtave të njeriut do të jetë edhe më e avancuar, sepse do të kemi më shumë përvojë. Veç kësaj të gjitha këto do të jenë të rregulluara edhe me kushtetutë edhe me ligje përkatëse.

Ndërkohë Hajredin Kuçi, nënkryetar i partisë më të madhe opozitare PDK-së, vlerëson se rekomandimet e Amnesty International duhen marrë me seriozitet, duke patur parasysh se të drejtat e njeriut sot i tejkalojnë kufijtë dhe sovranitetin e shteteve.

"Duhet të jemi të vetëdijshëm se të drejtat e njeriut në kohën moderne apo pas luftës së ftohtë, janë kategori universale që depërtojnë edhe mbi sovranitetin e shteteve. Në këtë kuptim besoj se edhe Kosova, në ç'do rrethanë dhe në ç'do aspekt të statusit të saj politik dhe juridik, të drejtat e njeriut duhet t'i ketë kategori në kuptimin jo vetëm të asaj që të respektohen, por duhet edhe të mbrohen dhe të përmirësojnë përmes ligjit dhe institucionet e Kosovës", thotë Hajredin Kuçi.

Një përkrahje të sugjerimeve të organizatës Amnesty International ka shprehur dhe Dragisha Kërstoviq nga Lista serbe. Ai thotë se garantimi i të drejtave të njeriut dhe pakicave është pjesa që më së shumti i intereson gjatë procesit negociues të përcaktimit të statusit të Kosovës.

"Mua nuk më intereson statusi i ardhshëm i Kosovës. Atë e shoh si një çështje periferike. Kurse garantimi i të drejtave të pakicave dhe të njeriut, është ajo që mua më së shumti më intereson", thotë Kërstoviq.

Në anën tjetër Hajredin Kuçi tërheq vërejtjen edhe në perceptimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Këto janë dy kategori që natyrisht duhen rregulluar në këtë fazë, por duhet bërë dallimi mes tyre thekson Kuçi.

"Mendoj se të drejtat e njeriut duhet t'u takojnë të gjithëve, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike, ndërsa në një mënyrë tjetër përveç të drejtave të njeriut, mund të kenë edhe të drejta shtesë si të drejtat e minoriteteve. Natyrisht se pala e Kosovës ka bërë shpesh herë zgjidhje politike, në kuptimin e asaj që ka dhënë shumë të drejta, jo vetëm për të drejtat e njeriut, por një lloj diskriminimi politik për të drejtat e minoriteteve.", thotë Hajredin Kuçi.

Në rekomandime të tjera në raportin e Amnesty International, kërkohet që pavarësisht statusit të Kosovës, të drejtat e njeriut dhe të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve të respektohen dhe të mbrohen.
Çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut duhet të përfshihen në të gjitha vendimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, thuhet ndër të tjera në rekomandimet e Amnesty International.
XS
SM
MD
LG