Ndërlidhjet

SUKSESI I DIASPORËS BALLTIKE


Xheremi Branshtein, RFE/RL

Ata janë larguar si fëmijë të vegjël në vitet '40 pas pushtimit sovjetik të vendeve balltike. Janë rritur kryesisht në Amerikën e Veriut, ku punuan në organizata jo qeveritare me ndikim apo në drejtimin e kompanive të mëdha. Sot të treja vendet balltike, Lituania, Letonia dhe Estonia kanë si presidentë mërgimtarët e dikurshëm.

Gjatë gjithë viteve të pushtimit sovjetik, ndonëse vendet e tyre ishin fshirë nga harta, ata ruajtën gjuhën dhe traditat për t'u kthyer me fitoren e pavarësisë pas rënies së komunizmit.
Ndonëse kthimi i mërgimtarëve nga vendet balltike nuk është i madh në numër, ndikimi i tyre në të kundërt është i ndjeshëm, si në politikë, ku të tre presidentët e vendeve balltike janë ish emigrantë, por dhe në biznes.

Presidenti i Lituanisë Valdas Adamkus i lindur në 1926, mërguar në 1944-ën, pati një karrierë të gjatë në agjencinë e mbrojtjes së mjedisit në Çikago, derisa homologia e tij letoneze Vaira Vike Freiberga, e lindur në Rigë, emigruar në '45 punoi si psikologe në Montreal.

Ndërsa presidenti i Estonisë është fëmijë e mërgimtarëve estonezë, i cili u rrit dhe shkollua në Shtetet e Bashkuara. Para kthimit në Estoni ai punoi dhe si drejtor i programit të Estonisë në Radion Evropa e Lirë. Suksesi i diasporës së vendeve balltike i ka shpjegimet e veta.

"Ndryshe nga vendet ish komuniste të Evropës qendrore ne duhet ta fillonim çdo gjë nga fillimi. Nuk kishim Ministri të Jashtme, nuk kishim ushtri, që do të thotë se ka pasur më shumë mundësi për të mërguarit që të vinin e të ndërtonin këto struktura, që kanë nevojë për një përvojë ndërkombëtare. Në vendet e tjera të Evropës qëndrore në shërbimin diplomatik e ushtarak ishte një burokraci që me xhelozi i ruante pozitat, ndërsa ne kishim nevojë të madhe për mërgatën në perëndim", sqaron Andreas Kasekamp, profesor i shkencave politike në Estoni.

Ai më tej duke renditur të tjera arsye për suksesin e diasporës së këtyre vendeve shton:
"Në rastin e vendeve balltike duhet pasur parasysh se janë vende të vogla. Burimet njerëzore janë të kufizuara, kështu që i jemi mirënjohës çdokujt që do vinte të ndihmonte në çështjen letoneze apo lituaneze. Njëherësh shumica e mërgimtarëve ishin politikisht aktivë pasi qenë larguar në vitet 44 për motive politike", thotë Kasekamp.

Por natyrisht jo gjithshka ka ecur lehtë për të kthyerit, pasi grupe të caktuara të shoqërisë i kanë parë si të huaj apo ardhacakë. Megjithatë shumica e popullsisë në vendet balltike i sheh mërgimtarët e kthyer si pasuri.
"Ilves, Freiberga dhe Adamkus janë të gjithë të zgjedhur pasi vlerësohen si më efikasë, me lidhje më të mira dhe më komunikues në arenën ndërkombëtare. Ata dinë t'i paraqesin interesat e vendeve të tyre më mirë se disa ish burokratë sovjetikë që ishin deri tani", sqaron profesori Kasekamp.

Por duket se pretendimet e tyre nuk mbeten me kaq. Së fundi, presidentja e Letonisë Vaira Vike Freiberga, ka bërë publike kandidaturën për postin e kreut të Kombeve të Bashkuara, pas largimit të Ananit. Natyrisht një betejë jo e lehtë.


XS
SM
MD
LG