Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA, UNMIK-U DHE KFOR-I, PREMTOJNË SIGURI GJATË GJITHË PROCESIT TË STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Situata e sigurisë është relativisht stabile dhe Kosova është në kursin e duhur në kuadër të procesit të zgjidhjes së statusit, mirëpo kjo fazë bart me vete kërcënime të caktuara për sigurinë, thanë sot udhëheqësit më të lartë vendorë e ndërkombëtarë të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Kather, janë takuar sot për të ndërtuar një traditë takimesh mujore, në të cilat do të diskutohet për sigurinë.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se me gjithë incidentet e fundit, situata e sigurisë është e qëndrueshme:
"Situatën e sigurisë e vlerësuam si relativisht të qetë, mirëpo koha në të cilën jemi, bart kërcënime për sigurinë në Kosovë, pasi siç e dini ka njerëz që janë të interesuar që të provokojnë incidente që mund të merren si prova, si dëshmi se Kosova ende nuk është e gatshme për pavarësinë", tha Çeku.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka përmendur edhe burimet kryesore të këtyre kërcënimeve për sigurinë e Kosovës në këtë fazë:
"Unë thashë se ka në këtë fazë finale të statusit që bart në vete rreziqe. Ne mund të provokohemi nga Serbia, nga kundërshtarët e pavarësisë dhe nga kundërshtarët e suksesit të Kosovës, mund të provokohemi edhe në mënyrë verbale edhe konkrete, por është me rëndësi që të mos biem në provokime, por ta kemi besimin në udhëheqësinë tonë dhe në forcat e sigurisë", tha kryeministri i Kosovës.

Ndërkaq, komandanti i forcës paqeruajtëse të NATO-s, gjenerali gjerman Roland Kather tha se të gjithë e dinë se KFOR-i është këtu për të garantuar sigurinë dhe se ka mjaft kontigjente dhe plane veprimi, por nuk mendojmë se kjo do të jetë e nevojshme:

"Ajo që na duhet është që secili të bindë njerëzit se është kundërproduktive të mendohet se dhuna mund të ndihmojë drejt të ardhmes prosperuese," tha gjenerali Kather, duke theksuar se KFOR-i është i përkushtuar për këtë, por secilin duhet ta bindim se ky është proces i vështirë dhe i ndërlikuar, por duhet të kalojmë nëpër të në mënyrë demokratike.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker tha se qeveria, UNMIK-u dhe KFOR-i po ndërtojnë një rutinë të domosdoshme, pasi janë bartësit kryesorë të sigurisë, ndërsa sa i përket sigurisë, Ruecker tha se ajo është mjaft e qëndrueshme, edhe pse ne jemi të gatshëm me plane konkrete veprimi në rast nevoje:

"Ajo që unë po vërej është se Kosova është në rrugën e duhur, pasi liderët janë të përqendruar në gjërat më të rëndësishme për të qëndruar brenda kursit të duhur në procesin lidhur me statusin," tha shefi i UNMIK-ut Ruecker, sipas të cilit Kosova është dhe duhet të jetë e gatshme që të presë propozimet e kryenegociatorit Ahtisari lidhur me statusin e Kosovës.




XS
SM
MD
LG