Ndërlidhjet

SA MBROHEN TË DREJTAT E GRAVE NË KOSOVË?


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Të drejtat e grave në Kosovë njihen vetëm në bazë ligjore, në praktikë ato nuk respektohen dhe janë shumë larg standardeve ndërkombëtare.

Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës joqeveritare "Gratë për Gratë” pohon se ligjet janë të pamjaftueshme, nëse nuk zbatohen në praktikë.
“Në mesin e krejt ligjeve të cilat janë shumë pozitive dhe janë ligje shumë të mira, është edhe ligji për barazi gjinore, i cili nënkupton dhënien e mundësive të barabarta të dy grupeve të shoqërisë, burrave dhe grave, pavarësisht nga gjinia. Megjithëse ky ligj është në letër dhe i shkruar mirë, unë nuk jam e sigurt që edhe njerëzit, të cilët e kanë miratuar, e kuptojnë se çka është barazia gjinore”, tha zonja Latifi.

Edhe Ibrahim Makolli, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, thotë se Kosova ka ndërtuar një infrastrukturë të kënaqshme ligjore për të mbrojtur dhe realizuar të drejtat e grave, por, sipas tij, në realitet të drejtat e grave janë në gjendje diskriminuese.

“Për fat të keq mund të thuhet se në Kosovë, me gjithë përparimet mjaft të mëdha edhe në këtë fushë, megjithatë ekziston edhe më tutje një dallim mjaft i madh, një pamundësi e realizimit të drejtave dhe mungesë të hapësirës praktike për të realizuar këto të drejta”, tha zoti

Zoti Makolli, ndërkaq shpjegon ankesat që gratë paraqesin në këshill, për shkeljen e të drejtave të tyre.
“Ankesat në radhë të parë lidhen me dhunën që zhvillohet ndaj tyre, diskriminimin që zhvillohet ndaj tyre qoftë në familje apo në shoqëri, pastaj me pamundësinë e inkuadrimit në vend të punës, diskriminimin në vend të punës, por edhe me trafikimin dhe prostitucionin. Do të thotë me forma nga më të ndryshme të diskriminimit dhe shkeljes të të drejtave më elementare që i ndodhin femrave në Kosovë”, tha zoti Makolli.

Cyme Mahmutaj, nga zyra për qeverisje të mirë, e cila funksion në kuadër të kryeministrisë, pranon se të drejtat e grave vazhdojnë të mosrespektohen. Ajo shpjegon se ky fenomen është më së shumti i pranishëm në zonat rurale, atje ku gratë vazhdojnë të heshtin mbi gjendjen e tyre.

“Më tepër është punuar në viset urbane, mirëpo situata është më e rëndë në viset rurale, sepse aty mungon infrastruktura shtresë, qoftë nga aspekti i edukimit apo shëndetësisë. Mirëpo, mungon edhe niveli i arsimimit të vetë gruas për të drejtat e saj. Kështu që edhe më tutje gruaja heziton, gruaja hesht, ajo po shkakton shumë probleme,” tha zonja Mahmutaj.

Pozita e grave është dhe do mbetet e tillë, derisa të vihet si çështje prioritare në shoqërinë kosovare, tha zonja Mahmutaj.
“Mirëpo kemi edhe probleme shtesë, sepse më tepër është duke i kushtuar rëndësi proceseve që janë vitale për shtetin e Kosovës. Unë shpresoj se vullneti politik ekziston," tha zonja Mahmutaj.

Në Kosovë llogaritet se më shumë se gjysmën e popullatës së përgjithshme e përbën gjinia femërore. Zbatimi i ligjit për të drejtat e tyre mbetet çështje problematike, në mungesë të një mekanizmi që do të mbikqyrte këtë proces.
XS
SM
MD
LG