Ndërlidhjet

QEHAJA: SERBIA MUND TË DESTABILIZOJË KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Analistë të çështjeve ushtarake të sigurisë vlerësojnë se shqetësimet e kryeministrit të Kosovës Agim Çeku të shprehura dje, se në këtë fazë të zgjidhjes së statusit të Kosovës ka tendenca serioze për destabilizimin e gjendjes së sigurisë, që burimin e kanë në Serbi, janë shqetësime të bazuara.

Analisti i çështjeve ushtarake Ramadan Qehaja, vlerëson se rreziqet kryesore për sigurinë në Kosovë mund të jenë projekte të Shërbimit Informativ Serb, si dhe shërbyesve të tyre në Kosovë. Shpërthimet e fundit nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, sipas Qehajës, janë paralajmërim i qartë për një situatë të shkallëzuar të sigurisë në Kosovë.

"Shpërthimet e fundit janë dëshmia më e mirë e asaj që ne e quajmë tentim për destabilizim të situatës para së gjithash politike, e të sigurisë në Kosovë. Këto veprime armiqësore, nëse doni dhe terroriste, të cilat i patëm ditët e fundit, janë mirë të organizuara dhe të orkestruara nga një qendër veprimi", thotë zoti Qehaja.

Ramadan Qehaja thotë se akte të tilla kanë arritur qëllimin, pasi dhe popullata ka një lloj paniku dhe pasigurie. Kurse në fazën e dytë kushtimisht thënë, sipas parashikimeve të tij, nuk mund të përjashtohet mundësia e veprimeve edhe më radikale, duke provokuar destabilizimin e gjendjes, duke trazuar pika të ndjeshme siç janë enklavat dhe pakicat.

"Sipas mendimit tim, cak i veprimeve në këtë situatë mund të jenë edhe vendbanimet serbe, për të arritur efektin sa më të madh negativ për imazhin e Kosovës, për shkak të asaj që pasojnë bisedimet për përcaktimin e statusit të Kosovës. Në këtë kuadër nuk do të kisha përjashtuar një mundësi të destabilizimit, sidomos në pjesën veriore të Kosovës", thotë zoti Qehaja.

Vizitat e shpeshtuara të krerëve të NATO-s në veriun e Kosovës, sipas Ramadan Qehajës tregojnë se atje ka indikacione për një situatë të ndjeshme, që mund të provokojë në çdo rast trazira dhe situata të papritura.

"Veriu është pjesë që 7 vite nuk monitorohet, apo nuk udhëhiqet nga lidershipi ynë. Prandaj për këto 7 vite kanë mundur të bëhen përgatitjet paraprake për një destabilizim në momentin e caktuar në ditët vijuese, ose unë kisha mundur të them, me mundësinë e ndarjes së dhunshme të kësaj pjese të Kosovës. Kjo do të ishte gjëja më e keqe që do të mund të ndodhte", thotë zoti Qehaja.

Marrë në përgjithësi thotë Ramadan Qehaja, kryeministri Agim Çeku ka shprehur me vetëdije dhe me të drejtë shqetësime se rreziku i përhershëm në Kosovë vjen nga Serbia dhe shërbimet e saj informative.

"Në Kosovë vepron Shërbimi Informativ civil dhe ai ushtarak serb. Kjo është mëse e ditur. Kemi patur dëshmi edhe më herët dhe grupe njerëzish të armatosur janë futur në uniforma para 5-6 muajsh. Mendoj që me forca të caktuara, me mjete dhe metoda, mund të ndikojnë nëpërmjet argatëve të vet, që të tentojnë të bëjnë destablizimin, sidomos në pjesët e vendit tonë, ku qytetarët serbë janë kthyer në një numër disi më të madh, për të treguar në opinion se si në Kosovë nuk mund të ketë qetësi dhe siguri", thotë zoti Qehaja.

Parandalimi i zhvillimeve që si tendencë do të kishin shkëputjen e veriut të Kosovës, sipas Ramadan Qehajës, i përket politikës dhe diplomacisë dhe jo pranisë ushtarake, siç po veprohet aktualisht nga ana e KFOR-it dhe administratës ndërkombëtare.

"Duke ditur qëndrimin e politikës aktuale të Beogradit zyrtar, tentim të ndarjes së Kosovës, unë mendoj se para së gjithash duhet të shkohet në planin diplomatik dhe politik, të punohet ashtu, kushtimisht thënë, me Beogradin që të mos ndodhë ajo që ne po parashohim se mund të ndodhë. Në të kundërtën këto forca që përmendëm pak më parë, nuk do të jenë të mjaftueshme që të ndalin një përshkallëzim të situatës të sigurisë atje, aq më parë një tentim të shkëputjes me forcë të kësaj pjese të Kosovës", thotë zoti Qehaja.

Kryeministri Agim Çeku, ka thënë dje pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker dhe komandantin e KFOR-it Roland Kater, se përkundër se gjendja aktuale vlerësohet si e qetë, ka indikacione se gjatë periudhës së përcaktimit të statusit politik, Kosova mund të destabilizohet nga Serbia dhe argatët e saj që punojnë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG