Ndërlidhjet

WELCH:"KOSOVËN E KËRCËNON EKONOMIA E PAPUNËSIA DHE JO DHUNA NDËRETNIKE"


Anthony WELCH, koordinator për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Welch jeni në përfundim të raportit tuaj për sigurinë në Kosovë. Cilat janë gjetjet e para?

ANTHONY WELCH
Ka qenë një përvojë shumë interesante, kemi analizuar thellë sektorin e sigurisë në Kosovë dhe ajo që është zbuluar nga një hulumtim i gjerë i publikut është se gjërat që lidhen më shumë me sigurinë - policia, gjyqësia, edhe pse të rëndësishme, nuk janë aq të rëndësishme për popullin e Kosovës sesa jeta e përditshme dhe ajo që ndikon në perceptimin tyre për sigurinë. Dhe kjo parimisht është ekonomia: mungesa e punës, mungesa e një ekonomie të sigurt për Kosovën.
Më lejoni ta shpjegoj këtë: tash e kemi një situatë ku rreth 70 për qind e popullsisë janë të papunë. Dhe ajo që u bie ne mend këtyre njerëzve kur të zgjohen në mëngjes është siguria personale, familjare dhe ajo e shoqërisë. Është fakt se ata s’kanë me së te jetojnë dhe nuk kanë me çka të edukojnë familjen dhe t’i sigurojnë mirëqenien sociale.
Kjo nënkupton se për shkak se njerëzit janë të varfër dhe kanë vështirësi me mbajtjen e familjeve të tyre, atëherë ka tentim për të bërë krime. Për shkak të kësaj ka krim të organizuar, për shkak të krimit të organizuar ka korrupsion. Kështu që edhe nëse dikush me një shkop magjik do t’i zgjidhte problemet ekonomike brenda natës, do të duhet shumë kohë për të zgjidhur problemet e sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra ju mendoni, se ekonomia e dobët dhe papunësia ende mbesin kërcënime kryesore për sigurinë?

ANTHONY WELCH
Jo vetëm unë që mendoj, por edhe shumica e popullit të Kosovës. Hulumtimi ynë ka qenë shumë i gjerë, kemi folur me rreth 8 mijë njerëz, dhe te gjithë, qoftë shqiptarët, serbët, romët, apo goranët, të gjithë ata shqetësohen për mospasjen e një vendi pune.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë ndërkombëtarë dhe vendore thonë se me afrimin e zgjidhjes se statusit, situata e sigurisë mund të destabilizohet. Çfarë mendoni ju për këtë?

ANTHONY WELCH
Unë do të thosha të kundërtën. Kur të merret vendimi, me çfarëdo rruge që të shkohet, atëherë pasiguritë e thella, që prekin secilin do të evitohen. Nëse do të ketë ndonjë vazhdim të kësaj gjendjeje çfarë kemi tash, te paktën dihet se çfarë do ketë, nëse do ketë pavarësi madje edhe nëse kjo do jete me shumë kufizime, të paktën do të dimë. Aktualisht s’ka asgjë. Ne po rrime varur pa ndonjë ide se si do të jetë e ardhmja.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni shpërthimet e javëve te kaluara?

ANTHONY WELCH
Ne nuk jemi këtu për të shikuar sigurinë në baza ditore, por për sigurinë e përgjithshme për të ardhmen. U mbetet autoriteteve kompetente të gjejnë se çfarë ka ndodhur. Por, do të thosha një gjë: shumë flitet për konfliktet etnike në Kosovë. Por gjetjet tona nuk thonë se ky është problemi kryesor këtu. Është problem, por jo kryesori. Njëri nga ekspertët tonë ka thënë se Irlanda veriore që po kalon nëpër procesin e paqes ka më shumë dhunë sektariane sesa ka Kosova. Dhe ky është një observim që thotë shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z Welch është thënë se Sektori për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme rekomandon që Kosova të ketë të gjitha forcat mbrojtëse. A mund të shpjegoni më shumë këtë?

ANTHONY WELCH
Ne kemi analizuar thellë se cka do të ndodhë, nëse Kosova pas rezolutës 12 44 merr pavarësinë. Nëse kjo ndodh, atëherë si shtet sovran Kosovës i duhen forcat mbrojtëse. Ka pasur shumë diskutime jo vetëm në rajon, por edhe në nivel ndërkombëtar për këtë. Ne besojmë se nëse Kosovës i jepet pavarësia atëherë si çdo qeveri ka të drejtë dhe do të formojë forcat mbrojtëse.
Ne duke u bazuar në statusi final kemi rekomanduar që nëse Kosovës i jepet sovraniteti atëherë duhet formuar një forcë e vogël mbrojtëse me jo me shumë se 2500 njerëz.
Mendojmë se kjo duhet të bëhet nën udhëzimin dhe ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht NATO-s. Dhe kjo duhet të përfshijë të gjithë komunitetin e Kosovës, jo vetëm ata që tashmë kanë përvojë ushtarake, por duhet të jetë e hapur për secilin në Kosovë. Ne sugjerojmë që në një kohë të duhur kur këto forca të arrijnë të jenë efektive duhet ta marrin rolin e TMK-së. Dhe TMK-ja duhet të shpërndahet. Arsyeja kryesore për këtë është financiare. Buxheti është shumë i vogle dhe nuk do të jetë më mirë në vitet e ardhshme. Nuk mund të ketë aq luks sa për të mbajtur edhe forcat mbrojtëse edhe TMK-në. Besojmë se një Kosovë e ardhshme e pavarur do të dëshirojë forcat mbrojtëse, por kjo mbetet të vendoset nga qeveria.

RADIO EVROPA E LIRË?
Pra, a duhet që TMK-ja të transformohet në forcë mbrojtëse?

ANTHONY WELCH
Jo, anëtarët e forcave mbrojtëse mund të aplikojnë si çdokush tjetër të jene anëtarë të kësaj force në konkurrencë me çdokënd tjetër.
Kur kjo force të arrijë nivelin që mund të kryejë punën, që po e bën TMK-ja, atëherë, TMK-duhet të shpërbëhet.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni diskutuar këtë çështje, me autoritetet, me shefin e UNMIK-ut, me institucionet vendëse?

ANTHONY WELCH
Kemi diskutuar këtë me të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë fushë, me koordinatorin e TMK-së, me komandantin e TMK-së, gjeneralin Selimi, vendimi për të pranuar ose jo këtë rekomandim mbi komitetin drejtues, që udhëhiqet nga shefi i UNMIK-ut, presidenti, kryeministri dhe të tjerët. Takimi është paraparë më 16 tetor dhe shpresojmë se do të marrin raportin ashtu siç është shkruar, por u mbetet atyre që të thonë nëse e duan atë apo ta ndryshojnë. Parimisht ne jemi shërbyes të Komitetit Drejtues.

RADIO EVROPA E LIRË
A është ky raporti i fundit nga ju?

ANTHONY WELCH
Po, do të jetë.

Intervistoi: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG