Ndërlidhjet

logo-print

KAOSI I UNIVERSITETEVE PRIVATE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ende nuk e ka themeluar Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, që sipas ligjit për arsim do të vlerësonte cilësinë e mësimit nëpër institucionet private. Megjithëkëtë kjo ministri tashmë ka licencuar 19 institucione të arsimit të lartë.

Fevzi Berisha, zëvendësministër i arsimit, tha se problemi kryesor në mosthemelimin e agjencisë është kompletimi i bordit udhëheqës, pasi tre nga nëntë anëtarët e tij duhet të jenë ekspertë ndërkombëtarë.

“Kemi vështirësi nga pjesa ndërkombëtare. Që një kohë të gjatë kërkojmë që zyrat ndërlidhëse që janë në Kosovë, të na dërgojnë ekspertë të njohur, por megjithatë ne kemi vështirësi, sepse nuk po na dërgojnë ekspertë të njohur ndërkombëtarë, në mënyrë që të kompletojmë agjencinë”, tha zoti Berisha.

Ramiz Kelmendi, drejtues i Fakultetit privat të Gazetarisë "Faik Konica”, pohon se nuk është kjo arsye e mosthemelimit të kësaj agjencie. Sipas tij fajtor për këtë është Ministria e Arsimit, pasi deri më tash nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje, duke i lënë hapësirë manipulimeve në këtë fushë.
Mos themelimi i agjencisë ka ndikuar edhe në cilësinë e mësimit në universitetet private, tha zoti Kelmendi, për të shtuar se Ministria e Arsimit në këtë drejtim po bën shkelje të ligjit.

“Edhe sikur të zgjidhen këshilltarët, ky vit akademik filloi. Ministria e Arsimit edhe një vit është mbrapa, edhe një vit është mëkatare ndaj procesit dhe cilësisë, cilësisë së shkollave private. Pikërisht pse nuk e themeloi Agjencinë e Akreditimit të Kosovës,” tha zoti Kelmendi.

Zëvendësministri Berisha, ndërkaq thotë se edhe përkundër mosthemelimit të agjencisë, Ministria e Arsimit do të ndërmarrë masa adekuate në universitetet private.

“Disa prej tyre do të ballafaqohen vetë me vështirësi, sepse shumica prej tyre i kanë të gjithë mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës. Një masë do të jetë,që mësimdhënësi i UP,nëse është i rregullt në Universitetin e Prishtinës, senati do të marë vendim që ai të mos angazhohet edhe në institucionet private të arsimit të lartë", tha zoti Berisha.

Por, zoti Kelmendi, i cili tash e 11 vjet udhëheq Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”, thotë se nuk i beson asnjë komisioni të ministrisë, përveç Agjencisë së Akreditimit.

“Agjencioni i Akreditimit sot le të vijë le të më vlerësojë dhe le të konstatojë se “Faik Konica” nuk i plotëson kushtet. Pa dalë ata prej dere unë ia vë çelësin shkollës, për arsye se kam besim,” tha zoti Kelmendi.

Sipas tij, mosfunksionimi i kësaj agjencie ka bërë që në Kosovë të hapen çdo ditë universitet të reja, pa marrë parasysh cilësinë në mësim.
“Por e di se janë aq shumë sa ndoshta do t'i mjaftonin Evropës e jo më Kosovës. Unë kam një konstatim që po e them me shumë vështirësi, se jo gjithmonë themelimi dhe hapja e universiteteve ka pasur,ka dhe do të ketë për qëllim vetëm cilësinë”, tha zoti Kelmendi.

Edhe zëvendësministri Berisha,pohon se për fat të keq,në universitetet private nuk është me rëndësi cilësia, por përfitimet materiale.

“Këto nuk janë shumë nëse specifikohen nëpër degë që neve na duhen në Kosovë. Por nëse marrim anën tjetër, që këto institojnë të kenë atë anën e vet komerciale, fitimprurëse, nuk është në rregull që të ekzistojnë të gjitha këto institucione," tha zoti Berisha.
XS
SM
MD
LG