Ndërlidhjet

NUMRI I UNIVERSITEVE PRIVATE NË KOSOVË ËSHTË SHUMË I MADH


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë deri më tash ka licencuar 19 universitete private në gjithë Kosovën. Fehmi Krasniqi, zyrtar për arsimin e lartë në Ministrinë e Arsimit, pohon se Kosova është stërngarkuar me universitete private dhe sipas tij, licencat që kanë këto universitete, kanë të bëjnë vetëm me disa lëmi në kuadër të këtyre institucioneve.

“Në universitet private është i stërngarkuar numri, kemi edhe aplikime të shumta, që për rajonin e Kosovës është numër shumë i madh. Gjë që disa prej tyre vetëm kanë filluar të keqësohen, do të thotë po i bartin studentët prej një institucioni në një institucion tjetër,” tha zoti Krasniqi.

Por, Abdullah Hoti, këshilltar i ministrit për arsim, e vlerëson të arsyeshme numrin e madh të institucioneve private të arsimit të lartë.
Ai shpreson se në të ardhmen, do të zgjerohet tregu rajonal i punës dhe studentet kosovarë do të kenë mundësi të gjejnë veten në profesionet përkatëse.

“Ne nuk duhet të mendojmë vetëm tregun kosovar, ne prej tre deri në pesë vitet e ardhshme, kuadrot të cilat i nxjerrim këtu, ato do të jenë në gjendje të konkurrojnë për punë edhe në tregun e Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgari Serbisë dhe Mal të Zi. Do të jetë një treg rajonal që kuadrot tona do të shkojnë të punojnë atje, pra nuk duhet parë si një treg të mbyllur këtu,” tha zoti Hoti.

Halim Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës, ndërkaq thotë se numri i universiteteve në Kosovë është i madh dhe i tejkalon të gjitha mundësitë materiale dhe ekonomike në vend. Ai madje e ngriti edhe çështjen e cilësisë së shkollimit që ofrojnë universitetet private, duke thënë se çështje primare për to janë përfitimet e tyre materiale dhe jo cilësia e mësimit.

“Kjo është bërë një modë për përfitime të shpejta brenda natës. Prioritet i tyre nuk është cilësia, vlera, konkurrenca e mirëfilltë me cilësi, me universitete të ngjashme në botën e civilizuar perëndimore, por përfitimi material”, tha zoti Hyseni.

Por, zoti Hoti, nga Ministria e Arsimit, thotë se me hapjen e universiteteve private, po rritet përqindja e popullatës me nivel të lartë të arsimit.
“Nëse merret statistika, për t’u dhënë përgjigje këtyre ekspertëve, pjesëmarrja e popullsisë prej 18 deri -24 vjeç, në arsimin e lartë në Kosovë është dikund 12 deri në 14 përqind. Në vendet e rajonit është dyfish, në Evropë është 50 përqind, në Amerikë është 80 përqind dhe shih sa poshtë jemi ne,” tha zoti Hoti.

Edhe zoti Halimi pajtohet me një gjë të tillë, por, sipas tij, vlerat që dalin nga këto universitete vihen në dyshim. Ai thotë se kushti i vetëm që plotësojnë këto universitete janë ndërtesat e reja ku këto institucione veprojnë.

“Pjesa dërrmuese e studentëve, të cilët futen në provime nuk është më rëndësi nëse dinë apo nuk dinë, tregojnë aftësi apo nuk tregojnë aftësi, ata kanë një notë të siguruar kaluese. Do të marrin çertifikatat e këtyre universiteteve, të cilat nuk do të pranohen, se objektivisht pasqyrë nuk do të jetë cilësia,” tha zoti Hyseni.

Për shkak të cilësisë së ulët në mësim në këto universitete, Fehmi Krasniqi, zyrtar për arsimin privat në Ministrinë e Arsimit, thotë se në një të ardhme të shpejtë disa institucione private të arsimit të lartë do të mbyllen.

“Unë mendoj se për një kohë shumë të shkurtër, brenda dy vitesh, institucionet e larta që do të kenë sukses dhe do t'i përmbahen planprogramit, do të arrijnë të mbijetojnë. Ndërsa të tjerat do të shuhen vetvetiu,” tha zoti Krasniqi.

Sidoqoftë, kontrollin mbi këtë situatë pritet ta vendosë Agjencia e Akreditimit të Kosovës, e cila ende nuk themeluar për shkak mungesës së personelit. Me të filluar punën, kjo agjenci do të vlerësojë cilësinë e mësimit dhe përmbushjen e kushteve të tjera që duhet të plotësohen nga një institucion i arsimimit, qoftë ai privat apo publik.
XS
SM
MD
LG