Ndërlidhjet

logo-print

HYSENI: JEMI TË GATSHËM PËR BISEDIME, POR JO PËR KONCESIONE


Albana Isufi, Prishtinë

Ekipi Negociator i Kosovës është në pritje të paraqitjes së pakos për statusin e Kosovës nga ana e kryengociatorit ndërkombëtar Marti Ahtisari, ndërkohë që dyshon se mund të arrihen rezultate, nëse ende vazhdohet me bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit. Zëdhënësi i ekipit negociator Skënder Hyseni, ka thënë se me këtë pajtohet madje edhe vetë zoti Ahtisari.

”Nëse mund të mbështetemi në informacionet që kemi ne, edhe presidenti Ahtisari është i mendimit që nuk ka më hapësirë të bisedohet për çështjet që tashmë janë biseduar", tha Skënder Hyseni.

Por, Hyseni ka thënë se nëse Vjena kërkon, pala kosovare është e gatshme që ende të pranojë bisedimet, por jo edhe koncesionet.
“Tani nuk ka hapësirë për koncesione të mëtejme në decentralizim, trashëgiminë kulturore, ekonominë", tha zoti Hyseni.

Pala kosovare sipas zëdhënësit Hyseni, pavarësisht arritjeve që janë bërë në bisedimet për çështjeve teknike, nuk do të pranojë marrëveshjet e pjesëshme, pa u arritur pajtimi për pakon e plotë për statusin përfundimtar të Kosovës.

Ndërsa, ekipi negociator është i bindur se çështja e statusit do të përmbyllet brenda këtij viti, pavarësisht veprimeve të vendeve fqinje, përkatësisht Serbisë, e cila ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi për kushtetutën, në të cilën Kosova shihet si pjesë integrale e Serbisë.

“Ekipi i unitetit mendon se procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës ka hyrë në rrugë pa kthim dhe si i tillë duhet të përfundojë brenda vitit 2006 dhe në asnjë mënyrë procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës nuk duhet të kushtëzohet me çfarëdolloj veprimesh në cilindo vend fqinj, në këtë rast në Serbi", thotë zëdhënësi Hyseni.

Ndryshe, Hyseni ka theksuar se anëtarët e ekipit negociator do të dalin për të informuar më detajisht publikun e gjerë lidhur me procesin negociator, kërkesë kjo bërë më herët nga zëvendësshefi i UNMIK-ut Stiven Shook. Ky i fundit u pat kërkuar liderëve kosovarë që të rritin raportet me publikun, pas disa shpërthimeve që ndodhën në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Lidhur me këto shpërthime, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot që në seancën e 19 tetorit të diskutojë për sigurinë, ku do të jenë të pranishëm dhe autoritete vendore dhe ndërkombëtare, përgjegjëse për sigurinë në vend.




XS
SM
MD
LG