Ndërlidhjet

CARPENTER:"SHBA-të PËR ZGJIDHJEN E STATUSIT DERI NË FUND TË VITIT"


Ted CARPENTER, Instituti CATO në Uashington

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni procesin e deritashëm të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë?

TED CARPENTER
Unë nuk mendoj se këto negociata vërtetë do të bëjnë ndonjë ndryshim. Serbia i ka rinovuar pretendimet e saj për Kosovën, së fundi me ndryshimin e kushtetutës. Serbia do të mbajë referendum për këtë çështje nga fundi i muajit. Është e qartë se ajo dëshiron të theksojë se nuk heq dorë nga pretendimet e saj për Kosovën. Por realiteti është se Serbia në asnjë mënyrë nuk mund ta mbështesë këtë pretendim përballë kundërshtimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera perëndimore. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se duan që kjo çështje të zgjidhet deri në fund të vitit. Mënyra e vetme që kjo të zgjidhet është nëse fuqitë botërore mund të bien dakord për të ashtuquajturën pavarësi të kushtëzuar për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Carpenter, presidenti rus z. Putin ka thënë se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në baza të parimeve univerzale. Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i KB, z. Ahtisaari dhe nënsekretari amerikan i shtetit z. Fried kanë thënë se Kosova është rast i veçantë. Si i komentoni këto qëndrime?

TED CARPENTER
Kjo është shumë e përshtatshme, sidomos për Shtetet e Bashkuara, që të thonë se ky është një rast i veçantë. Në realitet, ekzistojnë edhe zona tjera në botë që janë pak a shumë të ngjashme me rastin e Kosovës, ku pakicat etnike janë të pakënaqura me sundimin e shumicës tjetër etnike.
Mirëpo pozicioni rus është shumë shqetësues. Mendoj se kjo është mënyra e Putinit për të bërë presedencë, që pastaj Rusia të merret me problemet në Gjeorgji dhe në pjesët tjera për rreth Federatës Ruse.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Carpenter, si e parashihni rolin e Moskës dhe Pekinit në Këshillin e Sigurimit?

TED CARPENTER
Moska dhe Pekini do të përpiqen të zbusin goditjen për Serbinë. Por realiteti është se as Këshilli i Sigurimit nuk është forca që vë në lëvizje procesin. Forca lëvizëse do të jenë Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë kryesore në Bashkimin Evropian. Ata do ta vazhdojnë rrugën e tyre, sepse Moska dhe sigurisht Pekini, nuk do të duan t'i prekin plagët e veta, duke u përpjekur që t'i parandalojnë aleatët perëndimorë në zbatimin e preferencave politike të tyre. Pavarësisht që mund të mos jenë dakord me politikat e tilla, për Moskën dhe Pekinin kjo nuk është një çështje aq prioritare sa të rrezikojnë dëmtimin e marrëdhënieve, sidomos me Shtetet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju mendoni se Shtetet e Bashkuara do të kenë rol vendimtar në përcaktimin e të ardhmes së Kosovës?

TED CARPENTER
Qartazi, Shtetet e Bashkuara përpiqen pak që të mbeten në hije. Por fakti që zyrtarët amerikanë kanë theksuar se kjo çështjet duhet të zgjidhet deri në fund të vitit, i jep kahje lojës. Kjo lë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara po luajnë një rol mjaft thelbësor në këtë proces dhe se kanë ndërmend të vazhdojnë në këtë mënyrë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Carpenter, a kanë fuqitë perëndimore brenda Grupit të Kontaktit qëndrim të njëjtë për epilogun e procesit?

TED CARPENTER
Nuk jam i sigurtë nëse kanë të njëjtin qëndrim, por nuk ka shumë dallim në perceptimet dhe preferencat për të penguar rezultatin përfundimtar, i cili do të jetë një Kosovë e pavarur. Sërish nuk ka shumë ndryshim në nivelin e prioriteteve të larta, që do t'i çonte aleatët perëndimorë të rrezikonin marrëdhëniet e tyre, duke u përpjekur që të mbizotërojnë në këtë çështje.
Pra, do të jetë një Kosovë e pavarur, do të ketë kushte të bashkangjitura ndaj kësaj pavarësie, të cilat për disa vite do të bëhen shumë të pakuptimta.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG