Ndërlidhjet

JIANG: MARTI AHTISARI DO TË PUNOJË SIPAS PARIMEVE TË GRUPIT TË KONTAKTIT


Albana Isufi, Prishtinë

Zyra e kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin Marti Ahtisari, ka thënë sot se vazhdon të respektojë kalendarin e caktuar nga Grupi i Kontaktit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, përkatësisht që procesi të përfundojë brenda këtij viti.

Zëdhënësja e UNOSEK-ut Hua Jiang, ka bërë këtë deklaratë, një ditë pasi që zoti Ahtisari është cituar nga media të huaja të ketë thënë se zgjedhjet e mundshme parlamentare në Serbi, mund të çojnë deri te shtyrja e paraqitjes së propozimit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ahtisari, i cili pritet që në nëntor të paraqesë propozimin për statusin e ardhshëm, citohet të ketë thënë se plani i tij ndoshta duhet të presë deri pas zgjedhjeve në Serbi, të cilat mund të mbahen në dhjetor.

“Nëse Grupi i Kontaktit e ndërron këtë kalendar, duke marrë parasysh zgjedhjet në Serbi, atëherë natyrisht ne do të punojmë me afatet e reja. Por, tash për tash nuk ka asgjë, madje nuk ka asnjë datë për zgjedhjet në Serbi dhe ajo që ne po e bëjmë tash është që të vazhdojme të punojmë me kalendarin e vetëm të dhënë nga Grupi i Kontaktit dhe ky është se në fund të këtij viti, procesi duhet të përfundojë”, tha Hua Jiang, duke shtuar se UNOSEK do të presë udhëzimet e Grupit të Kontaktit.

“I përket Grupit të Kontakti të vendosë. Tash duhet të shohim datën se kur do të mbahen zgjedhjet në Serbi, dhe pastaj të shohim se si Grupi i Kontaktit do të reagojë rreth kësaj”, tha Hua Jiang.
Ndërkohë, zëvendëshefi i UNMIK-ut Steeven Schook ka përsëritur sot se zgjidhja e statusit final do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“UNMIK-u vazhdon të ndjekë udhëzimet e Grupit të Kontaktit të dhëna në Nju Jork dhe UNMIK-u vazhdon të besojë dhe vazhdon të shtyjë përpara faktin se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur", ka thënë Schook.

Ndryshe ekipi negociator ka theksuar në takimin e fundit se zhvillimet politike në Serbi nuk do të ndikojnë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ekipi negocitaor është i bindur se zgjidhja e statusit do të ndodhë brenda vitit.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Havier Solana ka thënë se mbajtja e referendumit për kushtetutë dhe zgjedhjeve parlamentare në Serbi do të kenë ndikim në vendimin që duhet të marrë Ahtisari rreth negociatave dhe rreth kalendarit që duhet të zbatojë ai për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.






XS
SM
MD
LG