Ndërlidhjet

logo-print

F. FEHMIU: VARFËRIA E PENSIONISTËVE KOSOVARË KA ARRITUR NË EKSTREM


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Pensionistët kosovarë vazhdojnë të përballen me kushte të vështira socio- ekonomike, e madje një pjesë e tyre jeton në varfëri ekstreme. Shuma prej 40 eurosh në muaj që marrin pensionistët, nuk mjafton as për gjërat elementare, thotë Qazim Jashanica, 70 vjeç. Për 40 vjet me radhë gjatë punës së tij, zoti Jashanica thotë se asnjëherë nuk e ka paramenduar një pleqëri të tillë.

“Ta kisha paramenduar se jetoj kështu, nuk kisha punuar kurrë, po e kisha mbytur veten, ose kisha dalë jashtë Kosovës. Duhet me i çel sytë pak dhe të mendojnë për pensionistët. Sot pensionistët kosovarë te kontejnerat e bërllogut po flenë dhe po ushqehen,” tha zoti Jashanica.

Pensionistët kosovarë të të gjitha kategorive kanë mbetur pa mbrojtje ligjore, thotë Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës. Përveç kësaj, zoti Fehmiu, shpjegon disa faktorë, që sipas tij, kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së pensionistëve.

“Shkelja shumëvjeçare e të drejtave sociale-ekonomike të njerëzve në përgjithësi, e të pensionistëve të pleqërisë invalidor e familjar në veçanti, privatizimi antiligjor i pronës shoqërore, korrupsioni, krimi i organizuar, aparati enorm joprofesional e burokratik i organeve të pushtetit dhe luksi i tepruar i tyre, ka varfëruar plotësisht shtresat e gjera të popullsisë së Kosovës, edhe ashtu të varfëruara nga regjimi kolonialist i Serbisë,” tha zoti Fehmiu.

1/3 e popullatës së përgjithshme në Kosovë, si burim të vetëm financiar kanë pensionet, thotë zoti Fehmiu, për të shtuar se kjo ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen në familjet e tyre.

“Prandaj mos realizimi i kësaj të drejte, prapë me gjuhën juridike po shprehem, rrezikon të drejtën për të jetuar, e cila është e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe ligjet vendore”, tha zoti Fehmiu.

Si pasojë e gjendjes të pensionistëve, është rritur niveli i vdekshmërisë së tyre, tha zoti Fehmiu.
“Tani kemi një fenomen, sipas disa të dhënave që mortaliteti i pensionistëve është rritur për këtë periudhë, diku prej pesë deri në gjashtë herë. Vetë fakti se nuk kanë barna, nuk kanë mundësi të blejnë bukën e gojës dhe kanë kaluar në kategorinë e të varfërve që quhen skamnor ekstrem,” tha zoti Fehmiu.

Një gjë të tillë e pohon edhe zoti Jashanica, duke shtuar se pensionet që marrin nuk mjaftojnë për ushqime kalorike që nevojiten për njerëz të moshës së tyre.

“Barnat po më dalin t'i blej, por mish që tre muaj nuk kam ngrënë, jam ligur dhe veç me paqe jetoj,” tha zoti Jashanica.

Për shkak të këtyre problemeve, Sindikata e Pavarur e Pensionistëve, me anë të një vërejtjeje ka njoftuar institucionet vendore se, siç thotë zoti Fehmiu, poshtërimi ndaj kësaj kategorie ka tejkaluar kufijtë e durimit.

“Çdo gjë e ka masën e vet. Ata thonë se nuk kemi kurrgjë me humb nëse dal para Kuvendit dhe bëj vetëvrasje. Prandaj këto janë indikator të cilët si duket nuk janë duke i marrë në konsideratë njerëzit përgjegjës të pushtetit. Prandaj, kjo ka qenë kryesorja t'u jepet një sinjal se ka kërkesa për radikalizmin e sjelljeve,” tha zoti Fehmiu.

Edhe Qazim Jashanica pajtohet me zotin Fehmiu.
“Mua më ka humbur durimi krejt, unë nuk duroj më, unë nuk pres më. Megjithëse gjysma e pensionistëve janë të sëmurë prej shëndetit, të gjithë kishin dalë në rrugë dhe do kishim fjetur aty, le të dilte dhe le të mbyste kush do,” tha zoti Jashanica.

Në Kosovë llogariten të jenë më shumë se 100 mijë pensionistë, ndërkaq sipas ligjit mbi pensionet, ata marrin nga 40 euro në muaj, pavarësisht nga puna që kanë bërë dhe kontributi që kanë dhënë.


XS
SM
MD
LG