Ndërlidhjet

KRSTOVIQ:"KOMPROMISI NUK ËSHTË I MUNDSHËM"


Dragisha KRSTOVIQ, një nga liderët e Listës Serbe

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar mundësia e shtyrjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës. Institucionet dhe Qeveria e Kosovës e kanë kundërshtuar një mundësi të tillë duke shprehë shqetësime se kjo do të mund të sillte pasoja për Kosovën e rajonin. Si ju i shihni këto paralajmërime dhe reagimet e institucioneve kosovare?

DRAGISHA KRSTOVIQ
Nuk është në rregull që institucionet e Kosovës reagojnë për këtë. Institucionet e Kosovës duhet të kenë mirëkuptim për një skenar të tillë të mundshëm, për një arsye të thjeshtë, pasi që nëse shtyhet zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, kjo do të bëhet për shkak të Serbisë dhe zgjedhjeve që do të mbahen pas miratimit të kushtetutës së re të Serbisë. Kjo do të thotë shumë në radhë të parë për Serbinë, por edhe për rajonin. Prandaj, mendoj se këto shqetësime dhe reagime në Prishtinë në këtë moment nuk janë politikisht racionale. Mendoj se Prishtina duhet të përmbahet nga reagime të tilla. Asgjë nuk do të thotë nëse për disa muaj shtyhet zgjidhja e statusit përfundimtar, ngase edhe ashtu jemi në vitin e tetë që kur bashkësia ndërkombëtare është e pranishme në Kosovë dhe me të vërtetë nuk po shoh ndonjë arsye për shqetësim që kjo çështje mund të shtyhet. Kjo çështje edhe ashtu do të shtyhet pavarësisht se si do të reagoj Prishtina zyrtare apo si do të reagoj Beogradi zyrtar. Nëse bashkësia ndërkombëtare vlerëson se politikisht është racionale që kjo çështje duhet të shtyhet, ajo do të shtyhet pavarësisht qëndrimeve që do të mbajnë Prishtina apo Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të ndërlidhet procesi i statusit të Kosovës me zgjedhjet në Serbi, kur dihet se procesi negociues zhvillohet nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara?

DRAGISHA KRSTOVIQ
Po, kjo nuk ka ndërlidhje, por kjo sigurisht që do të ketë pasoja sa u përket opsioneve politike në zgjedhjet e ardhshme në Serbi të cilat sigurisht se do të mbahen pas miratimit të Kushtetutës së re. Unë nuk e di se kur do të mbahen, por sigurisht ose në fund të këtij viti ose në fillimin e vitit të ardhshëm. Pra, këto zgjedhje do të mbahen dhe statusi final do të ketë refleksione në opsionet politike për sa u përket zgjedhjeve të ardhshme. Pra, të gjitha këto kanë ndërlidhje mes vete. Është një rrëfim i gjatë, por gjithsesi që ka ndërlidhje. Natyrisht që varet dhe nga statusi i ardhshëm. Nëse statusi do të ishte i këtillë çfarë është, atëherë forcat politike në Serbi ndoshta do të përfitonin mbi këtë opsion, kurse nëse statusi do të ishte ndryshe, atëherë do të përfitonin forca tjera politike. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare llogaritë pikërisht në këtë dhe bëhen disa kalkulime që në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë forca demokratike në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë muaj pritet pakoja e Ahtisarit për statusin e Kosovës. Çka prisni ju nga kjo pako dhe sa konsideroni se ajo mund të sjellë zgjidhje që do të ishin të pranueshme për palët në bisedime?

DRAGISHA KRSTOVIQ
Unë me të vërtetë nuk mund ta di se si do të duket kjo pako për statusin final të Kosovës. Natyrisht që jam i vetëdijshëm për faktin që një ditë kjo çështje duhet të nxirret në tavolinë para bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash para Këshillit të Sigurimit dhe Grupit të Kontaktit dhe mbase edhe para palëve në bisedime, por çfarë do të ishte rezultati përfundimtar nuk e di dhe nuk do të doja të prejudikoja. Do të shohim.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë takimeve në Vjenë nuk është arritur ndonjë përparim në çështjet teknike të cilat kanë të bëjnë me komunitetet. Andaj, cilat janë kërkesat konkrete të komunitetit serb se si të gjinden zgjidhje, qoftë për decentralizimin apo pozitën e pakicave?

DRAGISHA KRSTOVIQ
Unë gjatë gjithë kohës e kam ditur se bisedimet e Vjenës do të përfundojnë kështu dhe gjatë gjithë procesit kam deklaruar se nuk pres diçka të madhe nga këto bisedime. Nuk kam prit që palët në bisedime do të arrijnë deri te kompromisi dhe ende mendoj se kompromisi është i pamundshëm.

Intervistoi: Zijadin GASHI
XS
SM
MD
LG