Ndërlidhjet

PRAGË


Bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar provat e armëve bërthamore të kryera nga Pheniani.
"Qeveria jonë do ta diskutojë çështjen me bashkësinë ndërkombëtare dhe besojmë se Këshilli i Sigurimit do të debatojë rreth saj menjëherë", tha Yoon Tae-Young nga kabineti i presidentit koreano-jugor.
Ministria e Jashtme kineze tha se "kundërshton vendosmërisht" prova të tilla dhe shpreson kthimin e shpejtë të Phenianit në bisedimet për çarmatim.
Japonia e ka cilësuar një hap të tillë si kërcënim për stabilitetin rajonal.
"Nëse raporti është i vërtetë, ky nuk është kërcënim vetëm për vendin tonë por edhe për vendet tjera aziatike dhe bashkësinë ndërkombëtare", tha sekretari i kabinetit japonez Yasuhisa Shiozaki.
Japonia gjithashtu tha se Tokio dhe Shtetet e Bashkuara duhet t'u japin shtysë punimeve për të ndërtuar sistemin e tyre mbrojtës raketor.
Në Uashington, presidenti amerikan George Bush e ka dënuar provën e sotme bërthamore të Koresë së Veriut, duke e cilësuar si "akt provokativ".
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Bush tha se Kina, Koreja e Jugut, Rusia dhe Japonia janë dakorduar për aksion të koordinuar.
Presidenti Bush gjithashtu i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të veprojë.
Kryeministri britanik Tony Blair i cilësoi si "plotësisht të papërgjegjshme" provat në fjalë, kurse ministri i jashtëm francez tha se ky akt i rëndë cënon sigurinë ndërkombëtare.
"Ne do të bisedojmë me partnerët tanë në Këshillin e Sigurimit, për të reaguar ndaj kësaj prove, e cila paraqet problem në kuptimin e sigurisë ndërkombëtare", tha Philippe Douste-Blazy.
Në Bruksel reagoi edhe aleanca veriatlantike.
"Në emër të NATO-s, nuk mund të them gjë tjetër përveç ta dënoj këtë akt e ta quaj të papranueshëm", tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jaap De Hoop Scheffer.
Rusia tha se prova ka shkaktuar "dëm të madh".
"Rusia sigurisht që dënon provën bërthamore të kryer në Korenë Veriore. Kjo s'ka të bëjë vetëm me Korenë. Dëm i jashtzakonshëm është i është shkaktuar procesit të mospërhapjes së armëve bërthamore", tha presidenti rus Vladimir Putin.
Këshilli i Sigurimit takohet sot për të votuar pasardhësin e Sekretarit të Përgjithshëm të KB, Kofi Annan, por pritet që diskutimet të dominohen nga prova bërthamore e Koresë së Veriut.
XS
SM
MD
LG