Ndërlidhjet

logo-print

HASANI: UP KA PROBLEME ME PLANPROGRAMET DHE CILËSINË E MËSIMIT


Enver Hasani, rektor i Universitetit të Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, Universiteti i Prishtinës vazhdon të përballet me sfidën e reformave brenda këtij institucioni. Çfarë keni ndërmarrë ju deri më tash në këtë drejtim?

ENVER HASANI
Unë deri më sot kam futur në sistemin e universitetit, do të thotë në procesin arsimor, shtatë asistentë të rinj dhe jemi në negociata edhe për tre doktorë të shkencave, që janë shkolluar në Vjenë dhe Paris, respektivisht në shkencat teknike dhe natyrore, ndërkaq këta tjerët janë kryesisht në juridik dhe shkenca politike. Në mënyrë graduale jemi duke bërë edhe riorganizmin e administratës. Këto ditë do të bëjmë një “brainstorming”për të bërë një kuadër kah të lëvizim për zhvillimin e kurikulave të cilat mendoj se deri në qershor do të mbyllen, do të thotë do të ridefinohen komplet sipas standardeve të Bolonjës, ashtu siç e kërkon Bolonja. Financat i kemi disiplinuar, jemi duke punuar pa ndërprerë. Për herë të parë është bërë një raport financiar që pasqyron deri në çdo cent gjendjen financiare të universitetit. Kemi bërë 30 bursa jashtë buxhetit të Kosovës dhe presim edhe gjysmën e tyre të rregullojmë shumë shpejt edhe me PTK-në.
Kemi bërë memorandum bashkëpunimi me disa universitete; jemi në negociata me disa universitete për të bërë binjakëzimin e fakulteteve. Unë do të shkoj në Paris, bashkëpunëtorët e mi në Kanada, do të shkojmë në Holandë dhe kemi premtime se do të na ndihmojnë në këtë që është jetike në zhvillimin e kurikulave dhe për kontrollin e procesit të recensionit të zgjedhjes së pedagogëve dhe asistentëve në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jeni emëruar rektor i Universitetit të Prishtinës, keni thënë se do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit. Keni arritur ta përmbushni këtë synim?


ENVER HASANI
Unë jam këtu që tre muaj, politika e regjistrimit të studentëve në dy afatet ka qenë shumë korrekte, që ka mundur të ndodhë ndonjëherë në këtë universitet. Në Fakultetin e Mjekësisë, për herë të parë në historinë e këtij universiteti nuk është plotësuar numri në fatin e parë, që tregon për korrektësi. Dhe unë besoj fuqimisht që bashkëpunëtorët e mi, dekanët, prorektorët dhe të tjerët në këtë drejtim kanë qenë korrektë. Unë po ta kem edhe dëshminë më të vogël, nga një burim i sigurt, me emër dhe mbiemër për ndonjë praktikë korruptive, jo vetëm me të holla, por edhe gjera të tjera, unë sigurisht që do të kem zero tolerancë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kritikët thonë se pas themelimit të Agjencisë së Akreditimit, Universiteti i Prishtinës rrezikon të mos i përmbushë kriteret për licencim. Ju çfarë mendoni?

ENVER HASANI
Unë besoi se Agjencia e Akredimit do të bëhet operative dhe do të fillojë dhe merret me ne. Por duke marrë parasysh se si janë duke shkuar punët me këtë agjenci, besoj se kjo do të ndodhë pas pesë muajsh. Dhe ata kanë të drejtë, sepse gjendja është e rëndë. Po të funksiononte sot dhe të bëhet një vlerësim, të cilin ne do ta bëjmë, edhe të brendshëm edhe të jashtëm, përmes institucioneve ndërkombëtare, gjendja vërtet është shumë e rëndë, veçanërisht sa i përket plan programeve dhe cilësisë së mësimit. Por, që unë besoj se në qershor do të sanojmë deri në 70 përqind të të metave në plan programe dhe përgjithësi në procesin mësimor.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, një prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet universiteti publik është çështja e katedrave në gjuhët e pakicave kombëtare. Ku qëndron problemi?

ENVER HASANI
Ajo që është varur prej meje, pranimi edhe më kritere shumë të buta të minoriteve, është bërë pa asnjë përjashtim dhe me procedurë të shpejtë. Katedra e gjuhës turke tashmë ekziston, por këtu mendohet kryesisht për katedrën e sllavistikës. Unë universitetin e kam gjetur pa të dhe unë jam i gatshëm në qoftë se dikush është i interesuar, dhe institucionet ndërkombëtare nëse e ndihmojnë si projekt, t'i hap dyert atij projekti pa asnjë pengesë, pa asnjë problem. Këtu është problemi te sllavët e jugut që banojnë dhe jetojnë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës me origjinë sllave duhet të organizohen, dhe unë jam shumë i gatshëm të eci përpara me ta, pa asnjë pengesë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do të jetë qasja e Universitetit të Prishtinës në raport me Universitetin në gjuhën serbe që vepron në veri të Kosovës? Do të funksionojnë të dyja si të ndara?

ENVER HASANI
Ato funksionojnë tashmë. Nuk është çështje që varet prej meje, është problem politik. Ekzistenca dhe mosekzistenca e tij është problem politik, dhe atë ju e dini se e ka themeluar dhe licencuar UNMIK-u. Unë jam i gatshëm, në qoftë se politika e Kosovës, vendore dhe ndërkombëtare, në qoftë se gjejnë një gjuhë të përbashkët për një vizion të caktuar, unë jam i gatshëm si universitet ta luaj rolin që më takon. Por problemi esencial është politik.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI

XS
SM
MD
LG