Ndërlidhjet

KOSOVA RIKTHEHET NË AGJENDËN NDËRKOMBËTARE


Christian Science Monitor

Me zhvillimet e fundit në Korenë e Veriut, luftën në Irak dhe Afganistan dhe politikën e trazuar në Lindjen e Mesme, vëmendja në Ballkan nuk është edhe aq e përqëndruar. Por, Kosova është sërish afër mundësisë që të rivendoset në skenën botërore. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke bërë presion për të gjetur këtë vit zgjidhjen politike për Kosovën, duke nënkuptuar se kjo zgjidhje nuk do të jetë asgjë më pak se pavarësia. Por, tani Serbia është duke konstruktuar shtyrjen e kësaj zgjidhjeje, një hap ky i cili do të mund të nxiste trazira të reja në Ballkan.
"Ndoshta është e vështirë për të paramenduar se jo edhe shumë kohë më parë, Ballkani ishte çështja më e madhe e politikës së jashtme në agjendën ndërkombëtare, por thelbi i kësaj çështjeje vazhdon të jetë ende në këtë agjendë”, thotë z. Daniel Serwer nga Instituti Amerikan i Paqes në Uashington.
Zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë, thonë se veprimet e fundit të Serbisë vështirë se do të mund të pengojnë synimet e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit, edhe pse ata e pranojnë faktin se taktikat e Serbisë mund ta vonojnë vendimin deri në vitin e ardhshëm. Dhe në kohën e këtyre manovrimeve, në Uashington përkrahësit dhe kundërshtarët e pavarësisë kanë dyfishuar përpjekjet e tyre për të siguruar mbështetës të tjerë.
Grupet kundër pavarësisë, të përkrahur nga Serbia, janë duke paguar reklama nëpër gazeta dhe duke sponzoruar seminare në Uashington për të tërhequr vërrejtjen mbi një shtet radikal islamik që do të krijohej në rast të shkëputjes së Kosovës nga Serbia. “Pavarësia për Kosovën nënkupton shpërblim për krimet që shqiptarët kanë bërë dhe krijim i një baze për kriminalitet dhe xhihad në zemër të Evropës”, ka thënë peshkopin serb Artemije, i cili pranon se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara ka hasur në mirëkuptimin e disave në Kongresin amerikan, por nuk ka arritur të bëjë lëvizje në qëndrimin që Departamentin i Shtetit ka për pavarësinë.
Zoti Serwer ndërkaq pranon se ka raste dhune kundër serbëve në Kosovë, por të dhënat mbi to janë fryrë shumë nga lobi kundër pavarësisë për të dhënë një pasqyrë më alarmante. Ai mendon se pohimet që barazojnë Kosovën e pavarur me një strehimore të Al Qaedas janë aq të turpshme dhe qëllimisht anti-myslimane sa janë edhe të neveritshme.
Një qëndrim të ngjashëm ka edhe z. Januzs Bugajski nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Popullata në Kosovë është në mesin e popujve më pro-perëndimorë dhe pro-amerikanë në botë”, thotë z. Bugajski, duke shtuar se kjo popullatë ka dërguar vullnetarë në Afganistan dhe në Irak, prandaj ta cilësosh atë si fundamentaliste don të thotë të përhapësh dezinformata.
XS
SM
MD
LG