Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-U NUK E PËRKRAH MBAJTJEN E REFERENDUMIT TË SERBISË NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Referendumi për Kushtetutën e Serbisë që është paralajmëruar të mbahet më 28 dhe 29 tetor nuk do të ketë kurrfarë ndikimi mbi statusin e Kosovës dhe si i tillë nuk përkrahet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, thanë sot zyrtarë të UNMIK-ut në Prishtinë.

Neeraj Singh, zëdhënësi i UNMIK-ut tha se ekziston një proces i Kombeve të Bashkuara për të përcaktuar statusin e Kosovës, prandaj referendumi i Serbisë nuk ka kurrfarë ndikimi:

"Referendumi nuk ka kurrfarë ndikimi mbi përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, pasi sipas rezolutës 1244, ky vendim do të merret nga Këshilli i Sigurimit," tha Neeraj Singh. Ai tha procesi i statusit, i udhëhequr nga Ahtisari është duke vazhduar dhe është i vetmi proces për të përcaktuar statusin dhe UNMIK-u do të ofrojë gjithë mbështetjen e mundur vetëm për atë proces.

"UNMIK-u nuk e përkrah mbajtjen e referendumit në territorin e Kosovës, por nuk do të pengojë individët që të votojnë në atë referendum," tha Neeraj Singh, duke shtuar se sipas mandatit që kanë, UNMIK-u dhe KFOR-i do të garantojnë ambient të sigurt dhe do të jenë vigjilentë në ditën e referendumit në përpjekjet për të penguar veprimet eventuale nga akëcila palë, që mund të cilësohen si destabilizuese ose nxitëse.

Në anën tjetër, serbët e Kosovës kanë qëndrimet të ndryshme sa u përket synimeve dhe efekteve të këtij referendumi për Kushtetutën e re të Serbisë, në të cilën Kosova parashihet si pjesë integrale e saj.

Përderisa liderë të Këshillit Nacional Serb të Veriut të Kosovës janë të bindur se referendumit do t’i përgjigjen gati të gjithë serbët dhe joshqiptarët e tjerë në Kosovë, udhëheqës të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë e shohin referendumin si përpjekje për të forcuar pozitat negociuese të Serbisë në bisedimet për statusin e Kosovës. Oliver Ivanoviq nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë thotë se referendumi nuk do të sjellë asgjë të re:

"Shikuar esencialisht, referendumi nuk do të sjellë asgjë të re në kuptimin e statusit të Kosovës në kuadër të Serbisë, pasi edhe referendumi paraprak e ka rregulluar këtë çështje në mënyrën e njëjtë," tha Oliver Ivanoviq.

Mirëpo, Këshilli Nacional Serb jo vetëm që e sheh të nevojshëm organizimin e këtij referendumi edhe në Kosovë, por tashmë ka nisur fushatën, tha Milan Ivanoviq, një nga liderët e Këshillit Nacional Serb:

"Ne do t’i bashkohemi fushatës të cilën do ta udhëheqin partitë më të mëdha dhe shteti i Serbisë, për sukses në Kosovë," tha Milan Ivanoviq, sipas të cilit Këshilli Nacional Serb dhe Bashkësia e Komunave Serbe të Kosovës, tashmë ka mbajtur disa tubime për të bindur qytetarët që të dalin në referendum. Ai është i bindur se përgjigjia ndaj referendumit do të jetë afër maksimales sa u përket serbëve dhe joshqiptarëve, ndërkohë që, siç shprehet Milan Ivanoviq, te shqiptarët referendumi mund të ketë jehonë negative për shkak të ndikimit të politikanëve shqiptarë.

Në anën tjetër, Oliver Ivanoviq nga Lista Serbe e sheh referendumin si një rast unik, që në momentet e rëndësishme kur jemi në fazën përfundimtare të bisedimeve për statusin e Kosovës të homogjenizohet ekipi negociues i Serbisë:

"Mendoj se qëllimi kryesor i referendumit është homogjenizimi i ekipit negociues të Serbisë dhe forcimi i pozitës negociuese të Serbisë në raport me Ahtisarin, por edhe në raport Grupin e Kontaktit dhe me Prishtinën," tha Oliver Ivanoviq. Ai tha e se kjo nuk është koha e duhur për referendum, pasi ky është momenti kur po bie qeveria, e cila duke qenë qeveri e pakicës ka probleme serioze për të mbetur në pushtet. Në këtë mënyrë partitë përbërëse të koalicionit qeveritar po përpiqen të fitojnë popullaritet përmes referendumit dhe në këtë valë të organizojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të mbetur në pushtet.

Mbajtja e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë është kundërshtuar ashpër nga institucionet e Kosovës dhe nga prtitë politike.

XS
SM
MD
LG