Ndërlidhjet

ZYRTARËT THONË SE KA KORRUPSION EDHE NË SISTEMIN E DREJTËSISË


Albana Isufi, Prishtinë

Drejtues të gjykatave dhe prokurorive kosovare kanë deklaruar sot se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk i ka shpëtuar fenomenit të korrupsionit.
Kryetari i Këshillit të Agjencisë Kosovare Anti Korrupsion, prokurori Besim Kelmendi, thotë se ka raste kur janë hetuar dhe gjykuar për korrupsion persona nga segmente të ndryshme në Kosovë përfshirë edhe drejtësinë.

“Ka prej të gjitha lëmive, duke filluar edhe prej gjyqësorit, prej prokurorive, prej gjyqtarëve prej policisë prej politikës, edhe raste të tjera", thotë zoti Kelmendi.

Besim Kelmendi nuk përmend raste specifike, por thotë se nuk është duke u bërë sa duhet për të çrrënjosur fenomenin e korrupsionit.
“Ndoshta janë pak dhe unë them se janë pak. Duhet të ketë më tepër raste, mirëpo këtu mund të ndihmojnë shumë institucionet dhe qytetarët për t'i paraqitur rastet dhe për të ofruar prova për të gjykuar raste të tilla", thotë zoti Kelmendi.

Ndërsa, kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj beson se në gjyqësinë e Kosovës nuk ekziston forma e organizuar e korrupsionit. Sido që të jetë, Nokaj mendon se edhe nëse paraqiten raste te korrupsionit, rregullativa ligjore që dënon të korruptuarit është masa më e mirë për të eliminuar këtë problem.

"Nëse kjo llogaridhënie bëhet ashtu si duhet dhe zbatohet kjo rregullativë ligjore, atëhere është mundësi e parë apo më kryesore që të ndalet korrupsioni, kur secili e ka frikën e ligjit dhe të përgjegjësisë, qoftë sipas kodit penal, qoftë dhe sipas kodit të etikës", thotë zoti Nokaj.

Organizata ndërkombëtare Transparency International, në një vlerësim të saj rreth nivelit të korruspionit në Kosovë, ka thënë se gjykatat në Kosovë vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht.

Përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Ibrahim Makolli, thotë se me mosluftimin e korrupsionit nga ana e drejtësisë kosovare, i është bërë një shtytje përpara këtij fenomeni.

"Kujtoj se këtu duhet të shihet pikërisht pse ka dështuar drejtësia në Kosovë deri tani për luftimin e korrupsionit, të shihet cilat janë ato arsye, a ka ndikim nga jashtë nga faktorë të tretë, cili është roli i politikës në gjithë këtë dhe faktorët e tjerë të cilët kanë mundur që ta dëmtojnë vetë detyrën që kanë këto", thotë zoti Makolli.

Por, a ndjehen të kërcënuar prokurorët dhe gjykatësit për të hetuar dhe gjykuar veprat e rënda kriminale në Kosovë? Prokurori Besim Kelmendi e pohon këtë.

"Për t'u marrë me krimin dhe me korrupsionin në veçanti, duhet të ekzistojnë dy baza kryesore: guximi dhe vullneti. Normal se mund të ketë kërcënime, të ketë shantazhe të ndryshme, por megjithatë, ata që vendosin të merren me punën e prokurorit, gjyqtarit, policit, këto duhet t'i kenë parasysh", thotë prokurori Kelmendi.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë është kritikuar për brishtësi dhe mosefikasitet nga shumë organizata ndërkombëtare e vendore. Ndërsa, kritika të veçanta ky sistem ka marrë edhe nga raporti i Kai Aides, i dërguari i OKB-së për vlerësmin e situatës së përgjithshme në Kosovë.

XS
SM
MD
LG