Ndërlidhjet

logo-print

A NDIHMOJNË APO DËMTOJNË MARRËVESHJET PËR TREGTI TË LIRË?


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe vendeve të ndryshme të rajonit, po pengon zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, thonë udhëheqës të këtyre ndërmarrjeve.

Agim Dushi, drejtor i ndërmarrjes “ Bonus “ në Lipjan, që bën përpunimin e ujit, thotë se marrëveshjet e tilla e kanë goditur rëndë prodhimin vendor.

“Politikanët tanë nxitojnë sa më shpejt për t’i realizuar kërkesat e ndërkombëtarëve, për nënshkrimin e tregtisë së lirë me shtetet përreth, të cilat kanë një traditë të gjatë të prodhimit dhe eksportit, ku kanë subvencione të ndryshme për eksport, kurse ne i kemi kushtet jashtëzakonisht të këqija,” tha zoti Dushi.

Duke marrë parasysh kapacitetin e ulët dhe kushtet në të cilat gjenden ndërmarrjet kosovare, marrëveshjet e tregtisë së lirë, për një kohë të shkurtër do t’i dëmtojnë këto ndërmarrje, thotë Isa Dukaj, drejtor i departamentit të Industrisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Por, ai pohon se këto marrëveshje kanë edhe anët pozitive, pasi ndërmarrësit vendorë do të mësohen me konkurrencë më të fortë.
“Vizioni është që ndërmarrjeve tona t’u rrisim tregun dhe ndërmarrjet tona të mos mendojnë në investimet e tyre vetëm për një treg dy milion, për një treg të varfër, siç është Kosova. Mirëpo këtë treg ta zgjerojnë dhe të mendojnë për 10 milion banorë. Sot i kemi marrëveshjet e tregtisë së lirë për më shumë se 10 milion banorë. Dhe atyre ndërmarrjeve që kanë vizion zhvillimi t'i hapim tregun,” tha zoti Dukaj.

Ejup Qerimi, sekretar i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, ndërkaq thotë se është e vërtetë se ndërmarrjet e vogla dhe mesme e ndiejnë veten të rrezikuar me këto marrëveshje, por, sipas tij, ky proces duhet parë si stimulim.

“Unë mendoj se më shumë është një shanc që ato të zhvillohen, një shanc që ato të hyjnë në konkurrencë, që të fitojnë një treg, edhe tregun këtu brenda, por edhe atë në rajon. Më mirë është të kuptohet si një mundësi e zhvillimit se sa një mundësi me e mbrojt një treg të vogël, e ndoshta dalë ngadalë me e humb atë treg”, tha zoti Qerimi.

Por, Agim Dushi, nga ndërmarrja “Bonus” pohon se është vështirë të rritet kapaciteti i prodhimit të tyre dhe të jenë në konkurrent në treg, pa ndihmën e institucioneve vendore.

“Ne jemi të detyruar të paguajmë repro materialin në kufi, pjesën e doganës dhe TVSH-së që është 26.5 për qind. Kur ju e ngarkoni çmimin e prodhimit me 26.5 për qind, nuk keni teori me qenë konkurrentë me shtetet, të cilat importojnë brenda dhe kanë subvencione për eksportin e tyre," tha zoti Dushi.

Isa Dushi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se kjo ministri nuk ka mundësi t’i ndihmojë këto ndërmarrje.
”Ne kemi përgatitur programe, kemi shumë kërkesa, por kemi shumë probleme. Nuk kemi fond investimi, nuk kemi fond për garantimin e kredive nga qeveria nëpër banka. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, por jemi në këtë gjendje, që këtë vit nuk mund të krijojmë. Shpresojmë se shumë shpejt do t'i krijojmë këto mekanizma, me të cilat do të ndihmojmë këto ndërmarrje,” tha zoti Dukaj.

Sidoqoftë, deri tani Kosova ka nënshkruar Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, më Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë, ndërkaq deri në fund të këtij viti pritet të nënshkruajë marrëveshjen edhe me Bosnje Hercegovinën.

XS
SM
MD
LG