Ndërlidhjet

SERBËT E KTHYER NË KOMUNËN E PRIZRENIT SHPREHEN TË KËNAQUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Para pak më shumë se dhjetë ditësh, disa dhjetëra banorëve të fshatit Sreckë të komunës së Prizrenit u janë dhënë çelësat e shtëpive të renovuara apo të rindërtuara. Banorët që kanë marrë çelësat e shtëpive të reja janë serbë nga ky fshat, të cilët pas qershorit të vitit 1999 kanë braktisur shtëpitë e tyre.

Tash në fshatin Sreckë jetojnë 63 familje serbe. Në projektin e ndërtimit të shtatëdhjetë shtëpive në 16 vendbanime të komunës së Prizrenit, Agjencia Evropiane për Rindërtim ka investuar 1 milion e 200 mijë euro.

Dukshëm i prekur që ka marrë çelësat e shtëpisë dhe që pas shtatë vjetësh ka sërish kulm mbi kokë, Vesko Gajeviç thotë:
"I falënderohem organizatës ASB, Gjermanisë dhe Evropës për këto që po bën për këtë popull të humbur, që po e ndihmon në këto kushte të vështira," tha Gajeviq.

Jelisavka Markoviq e cila shtatë vjet ka jetuar si e zhvendosur në Brezovicë, tha se ndërtimi i shtëpive do të ndihmojë që edhe më shumë njerëz të kthehen për të jetuar në këtë vendbanim.

"Jam shumë e kënaqur që dikush po mendon edhe për ne dhe që fshati Sreckë edhe një herë po bëhet i banueshëm, që njerëzit të kthehen dhe që të jemi si më parë," tha zonja Markoviq.

Kryetarja e Sreckës, Biserka Zrzeviq thotë se ndërtimi i shtëpive dhe realizimi i projektit për kthim ka rëndësi shumë të madhe për ta:
"Për ne kjo ka kuptimin e shpresës së në këto hapësira e kemi përpara jetën dhe të ardhmen," tha Biserka Zrzeviq, e bindur se ndërtimi i shtëpive dhe infrastrukturës tjetër mund ta ndihmojë edhe vetë procesin e kthimit.

Bil Fokston udhëheqës i organizatës gjermane ASB thotë se në këtë rajon deri më tash janë ndërtuar 70 shtëpi dhe planifikohet që gjatë vjeshtës të nisë meremetimi i lagjes së nënkalasë në Prizren, në të cilën deri në luftën e fundit kanë jetuar kryesisht serbët dhe është shkatërruar gjatë trazirave të marsit të vitit 2004.

Se çka do të thotë ndërtimi i shtëpive dhe kthimi në vatrat e tyre për serbët e këtij fshati, flet Jelisava Markoviq.
"Për ne kjo është pasuria më e madhe," thotë plaka Jelisava Markoviq.

Realizimi sa më i plotë i mundshëm i kthimit vullnetar dhe të qëndrueshëm të serbëve në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre është një nga prioritetet e qeverisë së Kosovës dhe një nga kërkesat më të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare në kuadër të përmbushjes së standardeve.




XS
SM
MD
LG