Ndërlidhjet

INTENSIFIKOHEN VEPRIMTARITË LIDHUR ME KOSOVËN NË BRUKSEL


Augustin Palokaj, Bruksel

Bashkimi Evropian dhe Aleanca e NATO-s vazhdojnë t'i japin mbështetje të plotë kryenegociatorit ndërkombëtar për Kosovën Marti Ahtisarit dhe planeve të tij për të dalë me një propozim gjithëpërfshirës të statusit të Kosovës. Pritet që këtë mbështetje BE-ja dhe NATO-ja ta rikonfirmojnë javën që vjen në disa takime.

Ish presidenti i Finlandës Ahtisari pritet të hënën dhe të martën të qëndrojë në Luksemburg ku do të ketë takime me kryeministrin e këtij vendi Jan Klod Junker dhe me Ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, ndërsa do të flasë sipas paralajmërimeve dhe në një darkë të organizuar për ministrat e jashtëm të BE-së që mblidhen këto dy ditë në Luksemburg.

Pas Luksemburgut Ahtisari do të vijë në Bruksel për të takuar ambasadorët e NATO-s dhe Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj aleance Jaap de Hoop Schaffer.

NATO-ja është e interesuar të dëgjojë nga Ahtisari propozimet e tij sa më konkrete që të jetë e mundur, për rolin e NATO-s pas statusit të Kosovës, pohuan diplomatët në Bruksel.

Tashmë bashkësia ndërkombëtare, por edhe udhëheqësit kosovarë, në parim janë pajtuar se NATO-ja duhet ta ketë rolin udhëheqës në misionin e ardhshëm ushtarak ndërkombëtar në Kosovë edhe pas statusit, por në këtë moment janë duke vazhduar konsultimet brenda NATO-s se cili do të jetë saktësisht ai rol.

Ndërkohë vendet anëtare të Bashkimit Evropian tashmë kanë formuluar një tekst të një projekt konkluze, që do të miratohet në takimin e ministrave të jashtëm dhe me të cilin do t'u bëhet ftesë Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga hapat e njëanshëm provokues, që mund të dëmtojnë procesin për gjetjen e statusit të Kosovës.

Duke përkujtuar deklaratën e ministrave të Grupit të Kontaktit ,që ishte mbledhur në Nju Jork më 20 shtator, edhe Këshilli i Ministrave të BE-së, do të nënvizojë se gjatë kërkimit të një zgjidhjeje të negociuar për statusin, nuk duhet të lihet anash fakti se asnjëra palë nuk mund të vonojë apo të bllokojë në mënyrë të njëanshme përparimin e procesit.

Këshilli përsërit mbështetjen e plotë për të dërguarin e posaçëm Ahtisari në përpjekjet për të zhvilluar procesin politik për të caktuar statusin e Kosovës thuhet në këtë projekt konkluzë dhe shtohet se mirëpritet qëllimi i Ahtisarit për të përgatitur një propozim gjithëpërfshirës të zgjidhjes si bazë për lëvizjen përpara.
Në këtë dokument që është përgatitur nuk ka ndonjë afat kohor.

Këshilli i Ministrave të BE-së po ashtu do të përkujtojë palën kosovare se është me rëndësi që të vazhdohet procesi i përmbushjes së standardeve. As kësaj rradhe ministrat nuk do të harrojnë që të përkujtojnë edhe Beogradin se duhet të inkurajojë serbët e Kosovës të marrin pjesë në institucionet kosovare, sepse aty mendon BE-ja, aty më së miri serbët mund t'i mbrojnë interesat e tyre.

XS
SM
MD
LG