Ndërlidhjet

logo-print

LAMANEN: DEKLARATAT PËR SHTYRJE TË STATUSIT NUK BAZOHEN NË FAKTE


Albana Isufi, Prishtinë

Shefi i zyrës finlandeze në Kosovë Mark Lamanen dhe presidenti Fatmir Sejdiu kanë hedhur poshtë deklaratat se mund te ketë shtyrje të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Lamanen, shteti i të cilit është kryesues i radhës i Bashkimit Evropian, ka thënë se pohimet e tilla nuk janë të bazuara në fakte.

“Nuk ka ndonjë fakt që thotë se do të ketë shtyerje. Ende po vazhdojmë me rrugën që qe vendosur dhe unë refuzoj të dëgjoj spekulimet për shtyrje atje-këtu, pa ndonjë bazë faktike. Unë dua t’i referohem vendimeve të Grupit të Kontaktit dhe aktualisht nga faktet që i dimë, nuk duket se do ketë shtyrje”, tha zoti Lamanen, pas një takimi që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu.

Ndërsa, zoti Sejdiu ka thënë se pala kosovare po punon ende bazuar në afatet e parashikuara të Grupit të Kontaktit. Sipas vendimeve të fundit të këtij mekanizmi, procesi i zgjidhjes së statusit është paraparë që të përmbyllet në fund të këtij viti.
Sido që të jetë, presidenti Sejdiu thotë se çdo shtyrje do të shkaktonte zhvillime jo të mira në Kosovë.

"Kështu mendoj se shtyrjet që mund të jenë të propozuara ose variante të tjera si proces, që paraqesin përmbajtjen e tyre një hapësirë, e cila do të krijonte gjendje jo të këndshme, të pëlqyeshme për procesin dhe për qytetarët e Kosovës, sidomos në aspektet zhvillimore", tha presidenti Sejdiu.

Kohët e fundit ka pasur zëra të ndryshëm në qarqe ndërkombëtare që kanë sinjalizuar shtyrjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Një nga arsyet ka qenë mbajtja e mundshme e zgjedhjeve në Serbi si dhe referendumi për kushtetutën, me të cilën Kosova parashihet si pjesë e Serbisë. Mark Lamanen nuk sheh ndërlidhje në mes të zhvillimeve politike në Serbi dhe procesit negociator.

“Sa i përket referendumit në Serbi, ata janë të lirë ta mbajnë atë, pasi kjo nuk do të ndikojë në procesin e statusit”, thotë Mark Lamanen.

Presidenti Fatmir Sejdiu pret që i dërguari i OKB-së për statusin Marti Ahtisari, të paraqesë sa më shpejt para Këshillit të Sigurimit propozimin për statusin.

"Natyrisht insistojmë që përmbajtja e këtij dokumenti, këtij propozimi të jetë ajo që është e përputhshme me vullnetin e popullit të Kosovës, pra me vizionin e popullit për pavarësi", tha zoti Sejdiu.

President Sejdiu dhe Mark Lamanen kanë biseduar edhe rreth pranisë së misionit të Bashkimit Evropian në Kosovën e pas statusit. Bashkimi Evropian do të ketë një rol të vazhdueshëm në fushën e drejtësisë dhe policisë edhe pasi që statusi i Kosovës të jetë zgjidhur.

XS
SM
MD
LG