Ndërlidhjet

MOORE:"SHTYRJA NJË OSE DY MUJORE NUK BËNË NDRYSHIM TË MADH"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të Bashkimit Evropian apostrofojnë mundësinë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës, për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Për shtyrje angazhohet dhe Rusia, por kosovarëve disa muaj më parë u është thënë se ky vit është viti i statusit.

PATRICK MOORE
Le t'i kujtojmë arsyet përse ky vit u zgjodh si viti i përcaktimit të statusit përfundimtar. Ky nuk ishte një akt bamirësie apo mirësie të jashtëzakonshme, por një qasje praktike e fuqive të mëdha, në të cilën Shtetet e Bashkuara morën udhëheqjen në vitin 2005, që çështja e statusit duhet të zgjidhet më mirë herët sesa vonë, nëse klima do të duhej përmirësuar në Kosovë për stabilitet politik, për investime ekonomike dhe për të mënjanuar pasiguritë që çuan në ngjarjet e marsit të vitit 2004. Raporti i Kai Eides, i cili u hartua para një viti, e bëri shumë të qartë se çfarë duhet bërë dhe për çfarë arsye.
Është ditur prej kohësh që do të kishte probleme në përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës para zgjedhjeve në Serbi. Zoti Ahtisari sërish e ka përmendur këtë kohët e fundit. Arsyeja për këtë gjë është mjaft e qartë - nuk mund të pritet që politikanët serbë, apo politikanët në çfarëdo vendi, të tregohen të arsyeshëm dhe me vullnet për kompromis kur i kanë zgjedhjet përpara. Vetëm pasi zgjedhjet të kenë përfunduar, mund t'i lejojnë vetes që të bëjnë vendime që mund të mos jenë të pëlqyera në mesin e votuesve të tyre. Nëse zgjidhja e statusit shtyhet për një ose dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh. Por nuk mund të ketë një shtyrje në një afat të pacaktuar, siç e kanë propozuar publikisht disa politikanë serbë në të kaluarën, apo siç duket do dhe Rusia, sepse siç tha këtë javë edhe Komisioneri i Zgjërimit Oli Rehn, kjo do të ishte e rrezikshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka të atillë që thonë se Grupi i Kontaktit dhe fuqitë perëndimore në përgjithësi nuk janë unik sa i përket statusit të Kosovës. A mendoni dhe ju kështu dhe nëse po, çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

PATRICK MOORE
Nuk jam i sigurt nëse dhe në ç'mase kjo është e vërtetë. Ndoshta është, dhe është thjesht e natyrshme që midis vendeve, dhe brenda komuniteteve politike të vendeve të veçanta të ketë dallime në opinione. Mendoj se pozicioni i Shteteve të Bashkuara është mjaft i qartë, edhe pse kemi një artikulim, ndoshta jo të madh të lobit serbo-amerikan në Nju Jork dhe Uashtington. E di se në Gjermani ka disa njerëz që kanë filluar të hezitojnë, dhe duket se i kanë harruar mësimet e marsit 2004, duket se i kanë harruar dhe pikat që theksoi zoti Kai Eide para një viti. Kam lexuar analiza të akademikëve gjermanë javëve të fundit, ku ata dalin me gjithë ato propozime dhe emra shumë të çuditshëm e të mjegullt, me gjëra që mund të krijohen vetëm nga akademikë, të cilët kanë tepër kohë të lirë. Ato që ata propozojnë do të ishin zgjidhje tepër jopraktike nëse do të zbatoheshin në terren.
Mendoj se njerëzit si Ahtisari këtë e kanë të qartë. Përfaqësuesit e fuqive të mëdha që i përcaktojnë politikat në terren, gjithashtu e kanë këtë parasysh dhe shpresoj se askush nuk do të tregohet aq jo i mençur sa të përpiqet të krijojë hibride të tjera shtetërore, siç ishte p.sh. deri para ca kohe unioni jetëshkurtër Serbi-Mali i Zi, apo llojet e qeverive ose shteteve kalimtare, siç kemi parë në Bosnje Hercegovinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia e ka bërë të qartë se nëse Perëndimi insiston për pavarësinë e Kosovës, ajo nuk sheh arsye për të parandaluar rajonet pro- ruse në Gjeorgji dhe gjetiu, që gjithashtu të kërkojnë pavarësi. Moska sërish ka përmendur mundësinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

PATRICK MOORE
Rusët po luajnë sërish dhe interesi i tyre nuk është Kosova, nuk është Ballkani, interesi i tyre lidhet me rajonet afër kufijve të tyre. Ata shpresojnë që siç thonin në mesjetë, të rimbledhin "tokat e Rusisë".
Kësaj çështje, zoti Putin duket se po i kushton vëmendje të madhe, pra rivendosjes së autoritetit të Rusisë në Ukrainë dhe në Gjeorgji.
Ajo për të cilën flasim këtu ka të bëjë me territoret që kërkojnë shkëputjen, Transnjistria në Moldavi, që është në kufi me Ukrainën, dhe Osetia Jugore dhe Abkhazia në Gjeorgji. Siç e ka theksuar e dhe qeveria e Gjeorgjisë, Rusia nuk është një ndërmjetës i ndershëm, por është një lojtar që dëshiron të ndryshojë gjendjen.
Përse Rusia e ka gabim kur krahason këto tre rajone me Kosovën? Arsyeja është mjaft e thjeshtë - as në kohën e Bashkimit Sovjetik, as pas rënies së tij, asnjë nga këto rajone nuk ka patur të drejta kushtetuese siç ka patur Kosova nën kushtetutën e Jugosllavisë dhe të Serbisë të vitit 1974.
Rusia gjithsesi është shumë agresive dhe shumë arrogante nën drejtimin e zotit Putin me gjithë fuqinë financiare të burimeve energjetike që kanë. Rusët padyshim po kërkojnë një marrëveshje të ndonjë lloji. Ato do të donin që vendet perëndimore të njohin dominimin e Rusisë në Ukrainë dhe në Gjeorgji, që nuk mendoj se do ta arrijnë domosdoshmërisht, dhe ndoshta do të kërkojnë ndonjë çmim diku tjetër që të tregohen të gatshëm për bashkëpunim, jo vetëm në lidhje me Kosovën por edhe për Iranin dhe Korenë e Veriut.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG