Ndërlidhjet

logo-print

KRIMI I ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONI PENGOJNË STABILITETIN EKONOMIK


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë pengesë kryesore për stabilitetin ekonomik, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik, thotë se këto elemente negative kanë marrë përmasa shumë të mëdha.

“Pasi që këto elemente negative gjithnjë shikojnë që përfitimet të jenë për individë dhe grupe të caktuara, paraqiten si pengesë shumë e madhe e proceseve normale të zhvillimit ekonomik të Kosovës,” tha zoti Limani.
Një gjë të këtillë e pohon edhe Sabri Kadriu, profesor në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës.

“Konkretisht, nëse keni parasysh ligjin për promovimet, ligjet për prokurimet publike, atëherë shihet qartë se kush janë ata drejtorë, ata bartës të funksionit, të cilët kanë të drejtë të vendosin për projekte të ndryshme, të cilët qysh në fillim i marrin 10 deri 20 përqind. Ata njerëz ecin, ata njerëz janë të gjallë dhe janë në ballë të funksioneve,” tha zoti Kadriu.

Edhe Musa Limani, thotë se as korrupsioni dhe as krimi i organizuar nuk mund të veprojnë pa mbështetje institucionale.
“Me ekonominë ilegale, nënkuptohet se mallrat futen në tregun e Kosovës, pa iu nënshtruar obligimeve, doganave, TVSH etj. Dhe normalisht se ai nuk mundet të futet nëpërmjet ajrit, ai futet nëpërmjet pikave doganore, nëpër tokë. Prandaj dikush e lejon atë, tash ose e lejojnë doganierët, ose vjen urdhri nga udhëheqësit e lartë se duhet të lëshohet, psh. një maune ose një kamion etj,” tha zoti Limani.

Problem tjetër në këtë fushë, zoti Kadriu, pohon se njerëzit i njohin personat që keqpërdorin detyrën e tyre, por nuk kanë guxim t'i paraqesin në organet përkatëse.

“Situata e tanishme është asisoj që më të vërtet, jo mua, por të gjithëve i kanoset një rrezik. Ajo më e keqja që është se këta njerëz nuk zgjedhin mjete për me arrit te paratë,” thotë zoti Kadriu.

Por, zoti Limani, pohon se edhe nëse rastet e dyshuara paraqiten në organet përkatëse, prapë ato stopohen nga përfaqësues të institucioneve vendore.

“Ka të korruptuar, sepse ka shumë indikacione në këtë drejtim se bëjnë presion partitë politike, mandej udhëheqësit e strukturave tona, pasi ata janë edhe përfaqësues të partive të caktuara, që bëjnë presion te gjyqësia,” tha zoti Limani.
XS
SM
MD
LG