Ndërlidhjet

logo-print

RUECKER: REFERENDUMI PËR KUSHTETUTËN SERBE NUK KA PESHË PËR PROCESIN E STATUSIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kreu i administratës së UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe delegacioni i Kosovës për statusin, vazhdojnë të besojnë se zgjidhja e statusit të Kosovës do të arrihet deri në fund të vitit. Pas një takimi të zhvilluar sot ndërmjet kryeadministratorit Joachim Ruecker dhe ekipit negociues, shefi i UNMIK-ut tha se administrata ndërkombëtare nuk sheh ndonjë ndërlidhje të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës me referendumin për kushtetutën e Serbisë. Këto janë dy çështje të ndara tha me këtë rast, Ruecker:

“Unë kam paraqitur pikëpamjet e UNMIK-ut lidhur me referendumin për kushtetutën e Serbisë. Vlerësimi ynë është se procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës është qartë i përcaktuar në Rezolutën 1244 dhe në mandatin e të dërguarit special që ka Marti Ahtisari dhe ky proces si i tillë, ndaras përcakton statusin e Kosovës”, tha Ruecker.

Referendumi në Serbi nuk ka ndonjë kuptim apo ndërlidhje me statusin e Kosovës, qoftë tani apo në të ardhmen, tha shefi i UNMIK-ut, duke shtuar se UNMIK-u nuk do ta përkrahë mbajtjen e këtij referendumi në territorin e Kosovës, por sidoqoftë as nuk do të ndërhyjë në votimet e individëve.

Ruecker tha po ashtu se ai dhe UNMIK-u vazhdojnë të besojnë se procesi i përcaktimit të statusit duhet të udhëhiqet nga parimet e Grupit të Kontaktit dhe si i tillë, kërkohet që të bëhen të gjitha përpjekjet që zgjidhja të arrihet deri në fund të vitit.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës njëherësh dhe kryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Sejdiu tha se e kishte parasysh qëndrimin e UNMIK-ut për referendumin serb për kushtetutën, kurse si president i Kosovës dhe si ekip negociues, ne tha Sejdiu e kundërshtojmë mbajtjen e këtij referendumi.

“Nga ana jonë u shprehëm shumë qartë se ne kundërshtojmë mbajtjen e një referendumi të tillë në Kosovë, posaçërisht në kohën kur kemi zhvillimet tona rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës. Natyrisht duke pasuar parasysh me një mënyrë të tillë, në këtë rast kontribuohet jo mirë nëpër proceset e përgjithshme dhe në këtë aspekt mund të them se është një qëndrim unik i delegacionit që ne të vazhdojmë me mbështetje të qëndrimeve të Grupit të Kontaktit”, tha Sejdiu.

Presidenti i Kosovës tha se Prishtina pret që procesi të dinamizohet edhe më tej, duke ditur se deri në fund të vitit ka mbatur pak kohë. Duke besuar se zgjidhja për statusin do të arrihet këtë vit, Sejdiu u zotua se Kosova është tashmë e gatshme për të qenë një shtet i pavarur e sovran:

“Kosova është e pjekur që të startojë si shtet dhe natyrisht e kemi nevojën e mbështetjes ndërkombëtare lidhur me këtë drejtim. Natyrisht e kemi parasysh edhe agjendën e Grupit të Kontaktit që nuk ka ndryshuar ende. Por ne jemi në një proces të bashkëpunimit të gjithmonshëm si Kosovë dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin, për arsye se dëshirojmë që Kosova edhe në fazat e tjera të zhvillimit të saj si shtet i pavarur, të ketë një bashkëpunim sa më të ngjeshur të faktorin ndërkombëtar duke lehtësuar paralelisht kësaj, edhe rregullimin intergimit të saj në strukturat veriatlantike, që është vizioni yni”, theksoi Sejdiu.

Në takimin e sotëm të ekipit negociues është ngritur sërish dhe çështja e hartimit të Kushtetutës së Kosovës, për çka negociatorët kosovar i kanë kërkuar Kuvendit të formojë një komision përkatës, i cili do të përgatiste draftin e parë kushtetues.



XS
SM
MD
LG