Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI NUK DO TË DISKUTOJË KËRKESËN MBI REFERENDUMIN PËR PAVARËSI


Albana Isufi, Prishtinë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka miratuar iniciativën që Kuvendi të shpallë referendumin për pavarësinë e Kosovës.
Ka qenë kjo kërkesë e 7 deputetëve dhe e partive politike e shoqatave nga Gjilani dhe Vitia, bërë publike edhe në seancën e fundit të Kuvendit.

Mirëpo, pas takimit të sotëm të kryesisë së Kuvendit, anëtarët e pozitës dhe opozitës kanë vlerësuar se është herët për të organizuar referendum.
Sabri Hamiti, anëtar i kryesisë nga radhët e LDK-së, thotë se këtë kërkesë nuk mund ta miratojë kryesia, pasi që lypset diskutim më i gjerë.

"Kryesia e ka shqyrtuar edhe atë kërkesë, i ka shqyrtuar rrethanat konstitucionale dhe përgjegjësitë rreth kryesisë. Kryesia nuk e ka të drejtën që të shpallë kurrfarë referendumi. Kryesia ka të drejtë që të shqyrtojë kërkesat e deputetëve dhe kërkesat që kanë një rëndësi dhe peshë të veçantë, vetëm pasi të konsultohet me grupet e mëdha parlamentare, në këtë rast me përfaqësuesit e grupeve parlamentare", tha zoti Hamiti.

Anëtari i kryesisë nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se Kosova nuk ka nevojë që të imitojë veprimet e Serbisë dhe Malit të Zi.
"Kosova është në një situatë krejt tjetër. Kosova dhe respektivisht Kuvendi i Kosovës ka autorizuar dhe ka ngarkuar dhe ka votuar një grup, i cili është duke u marrë me procesin e statusit të ardhshëm në Kosovë, respektivisht dialogun që është duke u zhvilluar me bashkësinë ndërkombëtare", tha zoti Haliti.

Xhavit Haliti thotë se nuk është çështje e kryesisë së Kuvendit që të shpallë këtë kërkesë në Kuvend, duke krijuar më pas situata të palakmueshme në rrafshin kombëtar.
Ndërsa Gazmend Muhaxheri, nga partia politike Ora, thotë se për referendum kurrë nuk është vonë.

“Personalisht mendoj se Kosova nuk ka nevojë të marrë akte të njëanshme. Jemi në procesin negociator. Për referendumet nuk është kurrë vonë", thotë zoti Muhaxheri.

Ndryshe, në seancën e radhës që do mbahet më 19 tetor, Kuvendi do të debatojë për gjendjen e sigurisë, ku para deputetëve do të paraqitet ministri i rendit, Fatmir Rexhepi. I ftuar për të folur për sigurinë është edhe komisioneri i policisë. Debati për sigurinë qe kërkuar pas një mori sulmesh me bomba, që ndodhën në Kosovë në javët e kaluara.

Po ashtu në këtë seancë të Kuvendit temë diskutimi do të jetë gjendja në shëndetësinë kosovare. Në interpelancë është ftuar Ministri i Shëndetësisë Sadik Idriz.
XS
SM
MD
LG