Ndërlidhjet

ÇEKU: SERBIA DUHET TË ÇLIROHET NGA KOSOVA, KY KAPITULL I TURPSHËM I HISTORISË SË SAJ


Agim Çeku, Kryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, javëve të fundit, ka pasur një numër deklaratash përfshi dhe atë të kryenegociatorit Ahtisari, se nuk ka gjasa që të ketë zgjidhje të negociuar të Kosovës. Në këto kushte mbetet zgjidhja e imponuar. Cila është strategjia e qeverisë dhe e ekipit negociator që zgjidhja e imponuar të jetë sipas vullnetit të popullit të Kosovës?

AGIM ÇEKU
Ne po kalojmë nëpër një proces bisedimesh me bashkësinë ndërkombëtare, që i ka disa rregulla dhe që udhëhiqet nga një parim nga ana jonë. Ky parim është që pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje e pranueshme për mbi 90 përqind të popullatës së Kosovës.
Ne jemi të zgjedhurit legjitimë dhe e kemi për detyrë të përcjellim vullnetin e qytetarëve tanë. Kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme dhe e vetmja, që siguron funksionalitet dhe stabilitet në të gjitha aspektet, qoftë në ato ekonomike, politike apo sociale, e të tjera. Unë mendoj se çdo zgjidhje tjetër do të ishte artificiale dhe do të sillte sërisht në diskutim dosjen Ballkan në një moment të dytë kohor.
Askush besoj nuk është i interesuar për këtë. Nuk ka arsye të besojmë se zoti Ahtisari dhe bashkësia ndërkombëtare do ta merrnin në konsideratë një zgjidhje gjysmake, përpos pavarësisë së plotë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur tek procesi i statusit dhe afatet kohore. Ju keni kundërshtuar shtyrjet e mundshme, por cilat janë hapat konkretë që ju si kryeministër dhe ekipi negociator i Kosovës, kanë marrë pas deklaratave për mundësinë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit, veçanërisht në varësi të zgjedhjeve në Serbi?

AGIM ÇEKU
Siç keni mundur ta shihni ne kemi nisur një ofenzivë diplomatike. Të qënit shtet ka disa avantazhe, normal, siç është të pasurit e një rrjeti të tërë misionesh diplomatike nëpër botë që mbrojnë interesat e vendit. Nga ana tjetër, në këto aktivitete diplomatike si argument kryesor po tregojmë që Kosova është bërë, Kosova është gati për pavarësi, Kosova ka potencial që t'i përballojë të gjithë sfidat e shtetësisë dhe nuk ka asnjë argument për shtyrje.
Zgjedhjet në Serbi janë një pretekst unë mendoj, dhe janë një nga pretekstet e shumta që klasa e qeverisë serbe do ta nxjerrë për ta vonuar sa më shumë çështjen e Kosovës.
Nuk mund të presim ne që konstelacioni i forcave të ndryshojë në Serbi pas zgjedhjeve. Ajo që mund të ndryshojë është vetëm raporti mes këtyre forcave politike, mirëpo asnjë nga forcat politike në vendimmarrje apo pranë vendimmarrjes në Serbi, nuk ka treguar as vullnetin më të vogël politik, as vizionin për t'u marrë, apo për të pranuar realitetin e krijuar tanimë në Kosovë. Atëhere pse duhet të shtyhet kjo çështje? Ky është argumenti jonë.
Ne gjithashtu kemi argumentuar se kemi trajtuar me shumë, shumë seriozitet, të gjitha angazhimet që i kemi marrë. Kemi qenë shumë konstruktivë gjatë gjithë procesit të bisedimeve, si dhe në zbatimin e standardeve. Kemi bërë përpjekje të shumta dhe hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së minoriteteve në Kosovë. Mendoj që kjo është një marrëveshje simbolike që ne kemi bërë, ku secila palë merr përsipër të respektojë angazhimet e veta.
Çdo abdikim nga këto përgjegjësi, cënon kredibilitetin e palës që tërhiqet.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithë deklaratat e unitetit të Grupit të Kontaktit, ekspertë të ndryshëm thonë se ka ndarje brenda vendeve anëtare të këtij grupi. Mesazhet që ju keni marrë nga vendet e veçanta të GK-së a e mbështesin faktin se ka ndarje apo dallime në qëndrime, dhe nëse po, cilat janë ato?

AGIM ÇEKU
Unë mendoj se nuk është më sekret se ka vende, të cilat janë më të zëshme në artikulimin e kërkesës për përmbylljen e statusit të Kosovës brenda këtij viti. Ka dhe vende, të cilat janë më nguruese për këtë. Mirëpo është me rëndësi të theksohet se çdo deklaratë dhe çdo qëndrim që ka dalë nga Grupi i Kontaktit ka qenë pozitiv dhe është marrë në emër të këtij grupi. Kjo është mendoj përgjegjësi kolektive dhe rezultati është i kënaqshëm dhe i pranueshëm për ne deri tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Njohës të Ballkanit thonë se ekziston mundësia e skenareve optimiste, por dhe pesimiste në rajon. Këto të fundit nuk përjashtojnë dhunën në Kosovë, në rast të mospërmbushjes së vullnetit të Kosovës. Si kryeministër, cila është analiza juaj për çështjet e sigurisë?

AGIM ÇEKU
Fillimisht dua të theksoj se Kosova nuk është vend i dhunës dhe nuk pres asnjë dhunë në Kosovë. Gjithashtu dua të shtoj se populli i Kosovës ka të drejtë që të ketë shtetin e vet. Dihet se cili ka qenë regjimi i Serbisë. Ai ka qenë gjatë gjithë kohës injorues ndaj kërkesave që vinin prej Kosovës dhe në shumë periudha historike, ka qenë armiqësor dhe represiv ndaj popullit të Kosovës.
Kjo kulmoi me fushatën e spastrimit etnik dhe shpërnguljeve masive gjatë rregjimit të Millosheviçit. Është jashtë çdo diskutimi që gjërat të kthehen siç kanë qenë. Asnjë mendje racionale nuk mund të thotë të kundërtën. Prandaj nuk ka asnjë shanc që zgjidhja për Kosovën të injorojë vullnetin e popullit shumicë të Kosovës.
Mendoj se nga ana tjetër është shumë i rëndësishëm dhe faktori kohë dhe mendoj se sa më shpejt aq më mirë, ngase qartësia gjithmonë prodhon siguri dhe siguria ndikon positivisht në qetësimin e klimës brenda vendit, fokusimin në çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, social dhe çështje të tjera, që janë të rëndësishme për mirëqënien e qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët e Kosovës ende nuk janë kyçur në institucione, megjithatë bashkësia ndërkombëtare kërkon nga ju si institucione të Kosovës gjithçka për integrimin e tyre. Cilat janë komentet tuaja për këtë situatë?

AGIM ÇEKU
Ne jemi duke bërë gjithshka për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës dhe mendoj që ne do t'i vazhdojmë këto përpjekje. Është një listë e gjatë e përpjekjeve tona për integrimin e tyre. Jemi vazhdimisht duke treguar jo vetëm vullnet të mirë, por jemi duke treguar vazhdimisht se ne kujdesemi për ta dhe jemi duke vepruar si qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ne kemi ofertën e hapur, e kemi dorën e shtrirë dhe presim që ata të kuptojnë këtë vullnet të mirë, këtë sinqeritet tonin dhe të bashkohen në projektin tonë për të ndërtuar Kosovën dhe një jetë të re për të gjithë qytetarët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia vazhdon ta përfshijë Kosovën në dokumentat bazë si pjesë të saj dhe sipas burimeve ndërkombëtare e vendore, ata pengojnë integrimin e serbëve të Kosovës. Cila është përgjigjia juaj përballë politikave të Serbisë?

AGIM ÇEKU
Kjo tregon edhe njëherë atë që thashë, se nuk ka vullnet politik për një zgjidhje të njëmendtë dhe se çdo vonesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës do të provojë dokumentet e paarsyeshme, joproduktive, që sigurisht nuk i kontribuojnë krijimit të një klime bashkëpunimi dhe stabiliteti në rajon.
Serbia duhet të ndihmohet të çlirohet nga Kosova, e cila ka qenë për të dhe kështu do të rikujtohet, një kapitull i turpshëm dhe i errët i historisë së tyre, prej mënyrës se sa egër kanë administruar dhe sa fatkeqësi dhe dhunë i kanë shkaktuar popullit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Flitet shumë për pas statusin në Kosovë. A kanë institucionet e Kosovës burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, që njëherësh të vazhdojnë me procesin e bisedimeve për statusin dhe të njëkohësisht të përgatiten për situatën e pas statusit në Kosovë?

AGIM ÇEKU
Menaxhimi në të njëjtën kohë i procesit të statusit dhe përgatitjet për pas statusin nuk është ushtrim i lehtë, por jemi duke i kushtuar vëmendjen e duhur të dyja proceseve dhe po punojmë me të gjitha fuqitë, që të mos ketë vonesa në asnjërin prej këtyre.
Kosova ka burime, ka potenciale që ta ndërtojë një shoqëri çfarë dëshirojmë dhe ta menaxhojë shtetin e ardhshëm të Kosovës.

Intervistoi Iliriana A. Bajo

XS
SM
MD
LG