Ndërlidhjet

SI E SHOHIN SERBËT E KOSOVËS REFERENDUMIN PËR KUSHTETUTËN E SERBISË?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfshirja e Kosovës si pjesë e Serbisë në kushtetutën e re të këtij vendi, nuk do të thotë se Kosova me të vërtetë do të mbetet pjesë e Serbisë, kur dihet roli që ka bashkësia ndërkombëtare në përcaktimin e statusit të Kosovës, thotë Goran Bogdanoviq, nga Lista Serbe.

Ndërkohë që Marko Jakshiq, nga Këshilli Nacional Serb thotë se Beogradi dhe serbët e Kosovës duhet të mos heqin dorë në asnjë formë nga Kosova, edhe nëse ambiciet e bashkësisë ndërkombëtare janë për krijimin e shtetit të ri në Ballkan, përkatësisht shtetit të Kosovës.

Këto komente, përfaqësuesit e serbëve i kanë bërë për radion Evropa e Lirë, ndërsa po bëhen përgatitjet për mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë edhe në territorin e Kosovës. Goran Bogdanoviq thotë se përfshirja e Kosovës në preambulën e aktit më të lartë juridik si pjesë e Serbisë, duhet të jetë pozicioni që çfarëdo qeverie e ardhshme në Beograd duhet të mbajë për Kosovën, mirëpo, shton ai në asnjë moment nuk duhet harruar dhe rolin kryesor në përcaktimin e statusit të Kosovës që ka bashkësia ndërkombëtare:

“Preambula e Kushtetutës nuk do të thotë se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë, sepse duhet ta kemi parasysh këtu dhe qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje”, thotë Bogdanoviq. Sidoqoftë, ai e përshëndet qëndrimin e Beogradit që Kosovën vazhdon ta trajtojë si pjesë të Serbisë.

Në anën tjetër, Marko Jakshiq nga Këshilli Nacional Serb, vlerëson se Beogradi nuk duhet të zmbrapset para qëndrimeve ndërkombëtare për Kosovën e pavarur:

“Rrëfimi për pavarësinë e Kosovës, mendoj se pa Beogradin nuk mund të merret një vendim i tillë. Serbia është vend qendror në Ballkan dhe askush nuk mund t’i marrë asaj 15 përqind të territorit të saj”, thotë Jakshiq. Ai shprehet i bindur se në Këshillin e Sigurimit, pavarësia e Kosovës nuk do të marrë përkrahje, kurse nuk e përjashton mundësinë që vende të caktuara në mënyrë unilaterale ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por, edhe në një rast të tillë, Jakshiq beson se ka hapësirë që Beogradi të mbrojë, si thotë ai, territorin e vet të Kosovës.

Përndryshe, si Bogdanoviq ashtu edhe Jakshiq, e përkrahin mbajtjen e referendumit për Kushtetutën serbe edhe në Kosovë më 28 dhe 29 tetor, duke shpresuar se kjo kushtetutë do të marrë bekimin e popullatës serbe, sidomos për faktin se në preambulën e saj, Kosova është përfshirë si pjesë e Serbisë.

Ndërkohë, tashmë të gjitha institucionet e Kosovës e kanë kundërshtuar mbajtjen e këtij referendumi në territorin e Kosovës, mirëpo administrata e UNMIK-ut është përgjegjëse për veprime të tilla. Qëndrimi i UNMIK-ut është se nuk e organizon, por as nuk do ta pengojë këtë referendum.

Këto ditë, Kuvendit të Kosovës i është paraqitur dhe një iniciativë për organizimin e referendumit në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por kryesia e këtij institucioni i është shmangur procedimit të kësaj kërkesë në sesionin plenar, duke vlerësuar se Prishtina nuk mund të ndjekë hapat politikë të Beogradit dhe duke vlerësuar se statusi i Kosovës do të zgjidhet në bashkëpunim me qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare.



XS
SM
MD
LG