Ndërlidhjet

JIANG: AHTISARI DO TË RESPEKTOJË AFATET E GRUPIT TË KONTAKTIT


Albana Isufi, Prishtinë

Pavarësisht vendimit të Këshillit të Sigurimit për shtyrjen ose jo të mandatit të të dërguarit të OKB-së për statusin Marti Ahtisari, ai do të respektojë afatet e caktuara nga Grupi i Kontaktit. Zëdhënësja e zyrës së Ahtisarit në Vjenë Hua Jiang, thotë se mandati i UNOSEK-ut që skadon në nëntor mund të shtyhet nëse ka nevojë.

“Kontrata e zotit Ahtisari dhe e stafit të tij do të vazhdohet nëse ka nevojë. Por, sa i përket procesit, Ahtisari ka bërë të qartë edhe dje, se është vetëm një afat kohor i Grupit të Kontaktit, se deri në fund të vitit duhet të paraqitet propozimi për statusin. Ne nuk kemi parë indikacione nga Grupi i Kontaktit që ky afat të shtyhet”, tha Hua Jiang.

Pavarësisht zërave në qarqe ndërkombëtare, që flasin për shtyrjen e zgjidhjes së statusit përfundimtar, qeveria është e bindur se ky proces do të përmbyllet këtë vit.

Këshilltari politik i kryeministrit Arben Qirezi, e ripohon këtë.
“Është një qëndrim të cilin qeveria e ka përsëritur edhe më parë, pritet që zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës të bëhet deri në fund të këtij viti", thotë zoti Qirezi.

Zëdhënësja e UNOSEK-ut Hua Jiang thotë se aktualisht Ahtisari me ekipin e tij po punojnë se si të formulojnë dokumentin që do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit.

“Propozimi, që po punojmë është në proces dhe ka filluar që kur kjo është kërkuar nga ne prej Grupit të Kontaktit. Nuk ka ndonjë dokument. Ne ende po diskutojmë idetë mes vete dhe me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, me Grupin e Kontaktit”, thotë Hua Jiang, duke shtuar se i mbetet Këshillit të Sigurimit të pranojë, ose jo këtë propozim.

Ndërkohë, që dje Ahtisari ka thënë se nëse palët nuk arrijnë zgjidhje të negociuar, atëherë ai do t’u paraqesë propozimin për statusin atyre dhe Këshillit të Sigurimit. Mirëpo, zëdhënësja e tij Hua Jiang thotë se kjo nuk ka të bëjë me zgjidhje të imponuar.

“Nuk flasim për status të imponuar, sepse nuk e dimë se si do të jetë statusi i ardhshëm dhe çka do të vendosë Këshilli i Sigurimit. Mendoj se në këtë fazë është shumë herët për të spekuluar. Ne duhet të presim propozimin e të dërguarit special, i cili do të sugjerojë se çfarë lloj statusi duhet të ketë Kosova dhe pas kësaj ne përsëri duhet të presim se si do të pritet kjo nga Këshilli i Sigurimit”, thotë Hua Jiang.

Ahtisari në fund të këtij muaji do të marrë pjesë në takimin e drejtorëve politikë për Ballkanit të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit. Do të jetë ky takimi i radhës i Grupit të Kontaktit, pas atij të nivelit ministror, që qe mbajtur ne Nju Jork, ku edhe qe rikonfirmuar qëndrimi që të arrihet një zgjidhje për statusin brenda këtij viti.

Sido që të jetë zyra e UNOSEK-ut në Vjenë po dërgon edhe më tej ekipe ekspertësh në Prishtinë dhe Beograd, për të parë nëse palët janë të gatshme të vazhdojnë edhe më tej bisedimet për çështje teknike, bisedime këto të filluara në shkurt të këtij viti.
Prishtina dhe Beogradi nuk janë pajtuar për asnjërën çështje të diskutuar deri më tash.

XS
SM
MD
LG