Ndërlidhjet

AHTISARI: NUK KA NDRYSHIME NË PLANET E MIA


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryeadministratori ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari ka marrë sot në NATO mbështetjen e plotë të Aleancës, për të vazhduar procesin politik për përcaktimin e statusit të Kosovës dhe për të paraqitur idetë e tij për rolin e NATO-s edhe pas statusit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha pas takimit që Këshilli i Aleancës pati me zotin Ahtisari, se mesazhi i NATO-s është shumë i qartë. KFOR-i është në Kosovë, është i gatshëm për çdo eventualitet dhe të gjithë në Kosovë duhet ta dinë se tani është e domosdoshme që në Kosovë të mbretërojë qetësia, ka thënë Scheffer.

Zyrtarët e NATO-s kanë pranuar se me afrimin e afatit për përcaktimin e statusit të Kosovës po rritet dhe mundësia për tensionimin e situatës, prandaj thonë se trupat e NATO-s në Kosovë do të jenë vigjilente, përfshirë edhe në Mitrovicë, siç u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në të dyja anët e lumit Ibër.

Duke folur pas takimeve në NATO, Ahtisari tha se është i kënaqur me mbështetjen që ka marrë sot nga ambasadorët e NATO-s dhe NATO-ja me përfaqësuesit e saj në grupin e tij punues, është duke kontribuar po ashtu në përpilimin e propozimeve.

Ahtisari sot nuk deshi të komentojë spekulimet lidhur me mundësinë që për shkak të zgjedhjeve në Serbi të ketë shtyrje të procesit, gjë që dje e kishte konfirmuar edhe presidenca finlandeze e BE-së pas takimeve të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg.

"Porosia ime është shumë e qartë, nuk ka ndryshime në planin tim. Mua do të më kritikonin nëse nuk do jem gati në punën time, ndaj unë kam për qëllim që në kohë të jem gati", tha Ahtisari, duke paralajmëruar se do të ketë takime me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, një herë në fund të këtij muaji dhe pastaj edhe në pjesën e parë të muajit që vjen.

I pyetur të komentojë deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Havier Solanës se Ahtisari do t'i përshtatë planet e tij me zgjedhjet që mund të mbahen në Serbi, Ahtisari sot në Bruksel tha se gjatë ditës do të ketë takim me Havier Solanën dhe do e pyesë atë se mos është shndërruar në lexues të mendjes.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha se si BE-ja ashtu dhe NATO-ja, duhet ta lejojnë Ahtisarin që të jetë në krye të procesit.

"Kam parë raporte me shkrim për spekulimet e disa njerëzve dhe ministrave, por duhet të mbështes atë që thotë Ahtisari se deklarata të tilla nuk ndihmojnë dhe nuk janë produktive. Ahtisari është duke e udhëhequr procesin dhe jo BE-ja e as NATO-ja, prandaj duhet ta lejojmë Ahtisarin që të kryejë punën e tij", tha shefi i NATO-s.

Por edhe vetë Marti Ahtisari tha se nuk është ai, i cili vendos vetë, por Grupi i Kontaktit.

Sa i përket zgjedhjeve në Serbi, ish presidenti i Finlandës tha se ka patur edhe më parë spekulime se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Serbi; një herë në muajin mars, pastaj është përmendur qershori, tani nëntori, por nuk ka parë ndonjë datë të saktë.

Sidoqoftë as sot nuk është bërë krejtësisht e qartë nëse do të ketë apo jo shtyrje të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës.



XS
SM
MD
LG