Ndërlidhjet

N. SING: I RËNDËSISHËM ËSHTË FOKUSI NË PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata e UNMIK-ut vazhdon të mbajë qëndrimin se parimet e Grupit të Kontaktit duhet të jenë bazë e zgjidhjes së statusit të Kosovës, duke pritur që edhe zgjidhja e statusit të arrihet në afatin më të shpejtët ë mundshëm.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Sing thotë se kjo administratë edhe pse nuk është duke drejtuar procesin negociues, e mbështet misionin e Martti Ahtisaarit dhe pret që ky mision të përmbyllet me gjetjen e zgjidhjes për statusin e Kosovës.

Duke mos dashur ta komentojë deklaratën e Këshillit të Ministrave të BE-së, ku thuhet se statusi i Kosovës mund të shtyhet për shkak të zgjedhjeve në Serbi, zëdhënësi Sing tha se UNMIK-u pret që Prishtina të fokusohet më shumë në çështjet parimore dhe duhet ta kuptojë se zgjidhja e statusit nuk do të jetë fundi i tregimit, pasi që këtu në Kosovë jeta do të vazhdojë dhe problemet do të mbesin edhe pas statusit:

“Statusi nuk është fundi i rrëfimit. Shumë çështje e shumë probleme do të duhet të adresohen nga institucionet edhe pas statusit”, tha Neeraj Sing, duke shtuar se këto probleme do të jenë sfidë jo vetëm për kosovarët por edhe për praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë.

Duke dashur që ta përqendrojë vëmendjen e kosovarëve edhe në çështje të tjera dhe jo vetëm në datën e zgjidhjes së statusit, zëdhënësi Sing citoi shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker, i cili këto ditë i ka bërë thirrje ekipit negociues që të reflektojë unitet dhe menaxhojë mirë gjendjen në terren, për t’u treguar njerëzve se çka nënkupton procesi i statusit:

“Ajo që është e rëndësishme për Kosovën është mbajtja e fokusit në implementimin e standardeve. Për ekipin e unitetit është me rëndësi që të reflektojë unitetin, si dhe është e rëndësishme për liderët kosovarë të dalin e të bisedojnë me njerëzit dhe t’u sqarojnë atyre decentralizimin, të drejtat e pakicave e çështje tjera”, tha Neeraj Sing.

Në anën tjetër, UNMIK-u dhe qeveria, shtoi ai, po i bëjnë të gjitha përgatitjet që Kosova të jetë e gatshme edhe për fazën pas statusit, për çka po punohet që kompetencat të barten tek vendorët dhe autoritetet ndërkombëtare që do të vendosen pas zgjidhjes së statusit.

Ndërsa UNMIK-u nuk kishte një qëndrim shumë të prerë lidhur me deklaratat e djeshme në Bruksel rreth shtyrjes së zgjidhjes së statusit, qeveria e Kosovës pas mbledhjes së sotme ka përsëritur qëndrimin se nuk pajtohet me shtyrje e zvarritje dhe pret që fundi i vitit Kosovën ta gjej me statusin e zgjidhur, përkatësisht që Kosova nga fundi i këtij viti të jetë një vend i pavarur.



XS
SM
MD
LG