Ndërlidhjet

JIANG:"PËR SHKAQE ADMINISTRATIVE, ZGJATET MANDATI I AHTISARIT"


Hua JIANG, zëdhënëse e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin

RADIO EVROPA E LIRË
Mandati i të dërguarit të posacëm të Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, është zgjatur deri në qershor të vitit të ardhshëm. A mund të jepni më shumë hollësi mbi këtë cështje?

HUA JIANG
Fillimisht, do të doja të them se ne kurrë nuk i diskutojmë me opinionin kontratat tona të punës, por në anën tjetër, dua të sqaroj se ky vendim është vetëm një masë administrative. Unë nuk do ta bëja këtë çështje të madhe, sepse ne ende synojmë që ta çojmë vetë procesin drejt përmbylljes para përfundimit të këtij viti. Ky është mandati jonë dhe kjo është korniza kohore që na është dhënë nga Grupi i Kontaktit. Natyrisht, për shkaqe administrative, Kombet e Bashkuara e kanë parë të arsyeshme që të zgjaten kontratat, por kjo nuk do të thotë se i gjithë procesi për definimin e statusit do të zvarritet deri në skadimin e kontratave tona, kurdo që ato skadojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju mendoni se ky vendim nuk do të ndikojë aspak në procesin e definimin të statusit përfundimtar?

HUA JIANG
Jo, nuk do të ketë kurrfarë ndikimi. Procesi është proces, kurse kontrata është kontratë. Prandaj, siç e thashë edhe më parë, nuk do ta bëja këtë çështje të madhe. Vendimi është marrë për shkaqe administrative, sepse zakonisht i gjithë personeli ka nevojë për kohë për të lëvizur nga një post në tjetrin. Sido që të jetë, Grupi i Kontaktit e ka thënë shumë qartë se procesi duhet të përmbyllet deri në fund të vitit. Dhe ky është synimi drejt të cilit jemi ende duke punuar. Madje, i dërguari i posacëm i Kombeve të Bashkuara e ka bërë shumë të qartë se ekziston vetëm një kornizë kohore e cila na është dhënë nga Grupi i Kontaktit, në bazë të të së cilës procesin duhet çuar drejt përmbylljes para këtij fundviti.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky proces a do të përmbyllet këtë vit apo do t’i afrohet përmbylljes?

HUA JIANG
Është e njejta gjë. Deri në fund të vitit ne planifikojmë që t’ia prezantojmë Këshillit të Sigurimit propozimin tonë, dhe pastaj i takon Këshillit të Sigurimit çfarë të bëjë me këtë propozim.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe zgjedhjet e mundshme në Serbi nuk do të kenë asnjë ndikim?

HUA JIANG
Nuk e dimë. Ne madje nuk duam të përfshihemi në spekulime. A keni dëgjuar se cila do të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve? Jo, askush nuk ka dëgjuar. Në fakt, janë përmendur disa data, por ne nuk duam të përfshihemi në këto spekulime. Prandaj, mandate ynë është shumë i qartë dhe Grupi i Kontaktit dëshiron nga ne që ta përmbyllim procesin deri në fund të vitit dhe ne jemi duke punuar intenzivisht drejt këtij synimi.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG