Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI DËNON PËRFSHIRJEN E KOSOVËS NË PREAMBULËN E KUSHTETUTËS SË SERBISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot një deklaratë, me të cilën dënohet përfshirja e Kosovës në preambulën e Kushtetutës së Serbisë dhe shpallet i paligjshëm mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë edhe në territorin e Kosovës.

Miratimi i kësaj deklarate është iniciuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi. Ai e quajti agresion kushtetues ndaj Kosovës mbajtjen e këtij referendumi në territorin e Kosovës. Të gjitha grupet parlamentare u pajtuan me miratimin e kësaj deklarate, e cila u drejtohet edhe Grupit të Kontaktit dhe Bashkimit Evropian, ku kërkohet që zhvillime të tilla në Serbi të mos ndikojnë në zvarritjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës veprimin e shtetit serb e konsideron agresion kushtetues ndaj Kosovës. Kuvendi i Kosovës pret nga Grupi i Kontaktit dhe BE-ja që aktin e Serbisë ta vlerësojnë si veprim të njëanshëm, i cili nuk do të ketë ndikim në statusin politik të Kosovës. Referendumi i Serbisë në Kosovë është ilegal për Kosovën, prandaj nuk do të ketë efekte juridike”, tha Jakup Krasniqi.

Duke qenë se referendumi për institucionet e Kosovës është ilegal, Kuvendi i ka ftuar serbët e Kosovës që të mos dalin në këtë referendum, por të integrohen në jetën institucionale në Kosovë. Deklarata kërkon që statusi i Kosovës në asnjë formë të mos ndikohet nga kushtetuta dhe referendumi i Serbisë. “Populli i Kosovës është sovran dhe ai duhet të vendosë për fatin e tij”, thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Po sot, Kuvendit sërish i është paraqitur nisma e shtatë deputetëve për shpalljen e referendumit për pavarësinë e Kosovës, por e cila sërish nuk ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, të cilët thanë se referendumi është një veprim i drejtë dhe demokratik, ata shprehën dhe dilemën nëse është momenti i përshtatshëm për shpalljen e tij.

Po në seancën e sotme, Kuvendi ka diskutuar dhe në lidhje me situatën e sigurisë në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi duke elaboruar gjendjen e përgjithshme të sigurisë, ndër të tjera tha po ashtu se gjendja e sigurisë cënohet në masë të madhe, edhe nga veprimtaria e strukturave paralele dhe shërbimeve të inteligjencës serbe që veprojnë në veri, por edhe pjesë të tjera të Kosovës.

“Zhvillimet në veri të vendit dhe integrimi i qytetit të Mitrovicës gjatë kësaj faze mbeten faktor potencial, që reflektojnë në çështje të sigurisë së brendshme në gjithë vendin. Po ashtu, veprimet disa vjeçare të grupeve e shërbimeve të fshehta në Kosovë, si aktivitetet e agjenturave serbe në pjesë të ndryshme të Kosovës, bëjnë që prania e tyre të jetë potencialisht destabilizuese për sigurinë afatgjate në vend. Habit fakti se si është lejuar kjo nga UNMIK-u me vite të tëra”, tha Rexhepi.

Në debatin parlamentar, deputetët kanë shprehur shumë shqetësime në lidhje me efikasitetin e organeve të rendit për të luftuar krimin, rastet e krimit të organizuar e tjera, që ndikojnë në situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë.





XS
SM
MD
LG