Ndërlidhjet

WHYTE:"STABILITETI LIDHET ME ZGJIDHJEN E SHPEJT TË STATUSIT"


Nicholas WHYTE, drejtor për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Whyte, zyra e z. Ahtisaari në Vjenë tha se mandati i të dërguarit të posaçëm të KB është shtyrë deri në qershor, 2007. A nënkupton kjo se vendimi për statusin e Kosovës mund të shtyhet ndonëse Ahtisaari ka ripërsëritur se ai do ta paraqesë propozimin e tij në Këshillin e Sigurimit para fundit të këtij viti?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se na duhet të presim e të shohim se ç'do të ndodhë pasi propozimi të jetë i dorëzuar. Duhet të kemi parasysh se shqyrtimi i tij nga ana e Këshillit të Sigurimit do të zgjatë një farë kohe, pastaj edhe zbatimi gjithashtu do të marrë një periudhë kohore. Për rrjedhojë, nuk jam shumë i befasuar që kontrata e zotit Ahtisaari është zgjatur. Në fakt jam shumë më i kënaqur që kjo ndodhi tash dhe jo më vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka thënë se shtyrja e vendimit për statusin e Kosovës mund të shkaktojë "jostabilitet politik" në rajon.
Çfarë është komenti juaj?

NICHOLAS WHYTE
Ne kemi argumentuar prej kohësh që është e rëndësishme që të zgjidhet statusi i Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur. Vazhdimi i paqartësisë dhe i tensioneve, nuk i ndihmon stabilitetit në të gjithë rajonin, dhe për këtë arsye ne gjatë gjithë kohës kemi qenë përkrahës të zëshëm të procesit të Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë ndikim referendumi për kushtetutën e Serbisë në statusin final të Kosovës?

NICHOLAS WHYTE
Jo. Ne e dimë se çfarë ka në preambulën e kushtetutës së Serbisë. Është i njëjti pozicion i Serbisë që ka qenë gjithmonë, që të inkuadrojë këto shpresa në preambulën e kushtetutës që në fakt nuk kanë kurrfarë fuqie ligjore. Prandaj nuk shoh që përfshirja e Kosovës në këtë kushtetutë paraqet ndonjë ndryshim.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu referuar të ashtuquajturave "konflikte të ngrira", presidenti rus z. Putin disa herë ka thënë se çështja e Kosovës duhet zgjidhur në bazë të parimeve universale. Nga ana tjetër, z. Ahtisaari dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se Kosova është rast i veçantë. Si i komentoni këto qëndrime?

NICHOLAS WHYTE
Unë punoj shumë në të gjithë këto rajone, përfshirë gjithashtu edhe Nagorno Karabahun dhe çështjen e pjesës turke të Qipros. Më duket se pavarësisht parimeve universale, secili nga këto konflikte përmban karakteristikat e veta, dhe sigurisht që për çdo çështje zgjidhja do të jetë e veçantë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Moskës në Këshillin e Sigurimit? A mundet Rusia të përdorë veto?

NICHOLAS WHYTE
Sigurisht që mundet, kjo është arsyeja pse është Këshilli i Sigurimit, çdokush aty e ka këtë mundësi. Megjithate, duhet të përmend faktin që Grupi i Kontaktit deri tash ka mbetur i bashkuar dhe procesi i statusit të Kosovës filloi me pjesëmarrjen e Rusisë, duke e ditur mjaft mirë se ç'përfundim të mundshëm do të kishte ky proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Nisur nga deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të BE-së për shtyrjen e vendimit për statusin e Kosovës, a mendoni se fuqitë Perëndimore brenda Grupit të Kontaktit ndajnë qëndrimin e njëjtë për të ardhmen e Kosovës?

NICHOLAS WHYTE
Po. E kam marrë mesazhin mjaft të qartë nga të gjithë që duan të shohin këtë proces të përfunduar këtë vit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund z. Whyte, kush mund të ketë rolin vendimtar në përcaktimin e të ardhmes së Kosovës?

NICHOLAS WHYTE
Fakti themelor është që ne nuk do të ishim këtu nëse nuk do të ekzistonte vullneti i popullit të Kosovës. Kjo është pika thelbësore, ndaj së cilës gjithçka tjetër duhet të matet apo të provohet.

Intervistoi Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG