Ndërlidhjet

ALFRED MOISIU: NUK PRES QË RUSIA TA PËRDORË VETON


"Pavarësisht nga nuancat e ndryshme, që mund të ketë patur nga disa personalitete këtu, politika e Shqipërisë ka qenë unike, edhe pozita edhe opozita edhe opinioni publik, të gjithë kemi qenë për pavarësinë e Kosovës", tha, pos tjerash, presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në intervistën ekskluzive për Radion Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti president, Gjatë qëndrimit në Karagjorgjevë (Serbi) keni pasur vlerësime të kundërta me presidentin serb, Boris Tadiq rreth Kosovës. Cili ka qenë qëndrimi i pjesëmarrësve të tjerë të takimit rreth Kosovës?

AFLRED MOISIU
Dua të them që rendi i ditës kërkonte çështjen e luftës kundër krimit dhe terrorizmit, dy aspekte që kanë pasur, si të thuash, premisa për t’u zhvilluar në rajonin tonë, por edhe të lidhura me njëra – tjetrën dhe problemi i Kosovës atje doli domethënë në aneks... unë me qëllim e vura në fjalën time si çështje që duhet të zgjidhet dhe problemi i Kosovës sepse, duke pasur probleme të tilla, krimi dhe terrorizmi mund të gjejnë terren për tu zhvilluar në të ardhmen, pra e vura për të ngjallur debat dhe si të thuash, shënimi që pata vënë në fjalën time, dëgjoj se agjencia Reuters, ka komentuar sepse bëri një replikë Tadiqi, por në fakt nuk e pati me qëllim. Edhe ai qe pozitiv në kuptimin e asaj që duhet zgjidhur problemi i Kosovës, sigurisht ai zgjidhjen e mendon siç e mendon ai, ne zgjidhjen e mendojmë ndryshe, por ishte edhe ai për zgjidhje. Dhe kur pata konferencën e shtypit dola dhe thashë ato gjëra që tashmë dihen, që tashmë njihen që Shqipëria është për pavarësinë e Kosovës dhe ne nuk kemi hezituar asnjëherë. Pavarësisht nga nuancat e ndryshme që mund të ketë patur nga disa personalitete këtu, politika e Shqipërisë ka qenë unike, edhe pozita edhe opozita edhe opinioni publik të gjithë kemi qenë për pavarësinë e Kosovës. Dhe shpesh herë në bisedime, që kam bërë këtu me presidentë të ndryshëm, ua kam thënë edhe atje ua thashë kështu, se këtë nuk e them thjesht si shqiptar, pasi si president i Shqipërisë me kushtetutë jam i detyruar të interesohem për fatin e shqiptarëve, që banojnë jashtë kufijve tanë. Por, këtë e them edhe sepse jemi pjestarë të rajonit dhe të gjithë e dimë, kush e thotë me zë të lartë e kush me zë më pak të lartë se zgjidhja e problemit të Kosovës është një premisë shumë e rëndësishme për qetësinë dhe për paqen e ardhshme në rajon dhe u kam thënë përfaqësuesve politikë të Evropës, që kjo është një çështje që duhet zgjidhur me shpejtësi, nuk duhet zgjatur shumë për shumë arsye. E para është se sa më shumë të zgjatet, ekstremistët e dy krahëve, sigurisht që mund të krijojnë probleme dhe e dyta, që nuk është më pak e rëndësishme, sepse tani në horizont kanë dalë probleme të reja dhe Europa duhet t’i mbyllë problemet e saja që të jetë unike, e gatshme për tu përballur dhe ndeshur me problemet që po dalin sepse janë probleme, që në pamje të pare, duken si të lehta, por në të ardhmen do të kenë peshë të madhe në zhvillimet politike botërore. Pra, këtu nuk pat, si të thuash jehonë... në prill kur ishim këtu në Durrës, këtu po, këtu kemi patur debate në tryezë dhe dua t’u them këtë që presidenti Mesiç në mënyrë të veçantë ka qenë i hapur dhe i vendosur për zgjidhjen sikurse edhe ne, ndërsa presidenti i Malit të Zi, nisur nga ajo që ata ishin para referendumit nuk u prononcua hapur, presidenti i Maqedonisë ka patur pozicionin që ka patur, dihet. Por në përgjithësi duhet të them këtë që pavarësisht se çfarë thonë të gjithë janë të bindur që kjo punë duhet mbyllur dhe mbyllet me pavarësinë e Kosovës. Edhe serbët vetë e dinë këtë punë, por ata e përdorin më shumë për mbijetesë politike midis tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti President, a mendoni se çështja e Kosovës mund të zgjidhet brenda këtij viti siç ka sugjeruar Grupi i Kontaktit apo mbase mund të ketë edhe një shtyrje kohore?

ALFRED MOISIU
Këtu ka diçka, ata kanë planifikuar tre zgjedhje, ose më mirë të themi tre dalje në kutitë e votimit për popullatën e Serbisë, që nga data 28 tetor deri në fund të vitit: është referendumi, që në mos gaboj është më 28 tetor të këtij muaji, janë zgjedhjet parlamentare, por janë edhe zgjedhjet presidenciale. Tadiq, më tha se ka vendosur, megjithëse mandati i mbaron më 2009, "por më duhet të rivotohem, për të marrë një si të thuash përkrahje më të fuqishme nga populli im që të jem në gjendje të vazhdoj përpara me objektivat e mia që kam”. Unë i thashë: si është e mundur sepse kjo ka të bëjë edhe me kostot, por në të njëjtën kohë ky është edhe një problem që ka të bëjë me një angazhim të madh dhe nga ana praktike e zhvillimit e organizimit dhe në tërësi të zhvillosh tre zgjedhje brenda një kohe kaq të shkurtër, një afati kohor një mujor është një mbingarkesë. Megjithatë, kjo është një punë e tyre, por kjo është një taktikë shtyrje për të bindur Europën se duhet pritur akoma. Unë në takimet që kam patur i kam argumentuar personaliteteve të huaja që kam kontaktuar se nuk duhet shkuar në këtë drejtim se mbas kësaj kanë për të nxjerrë një gjë tjetër, mbas kësaj do të nxjerrin një gjë tjetër. Ata mund të kenë shpresë domethënë, fakti për të fituar kohë është i njohur në politikë - duke shpresuar se mund të dalin probleme të tjera më të mëdha, që mund të angazhojnë qoftë Amerikën, qoftë Europën dhe të lenë në harresë Kosovën. Zgjatjen e mandatit të Ahtisarit, unë nuk e shikoj si sinjal për shtyrjen e zgjidhjes së statusit, unë e shikoj përkundrazi si sinjal që vlerësohet seriozisht ky problem dhe nëse vlerësohet seriozisht do të thotë që do të marrë zgjidhjen që do të japë rezultatin më serioz dhe rezultati më serioz është pavarësia.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia ka sinjalizuar mundësinë e përdorimit të vetos në Këshillin e Sigurimit nëse zgjidhja e propozuar për Kosovën nuk përfill qëndrimet e Moskës. A mendoni se një skenar i tillë është i mundur dhe a do të mund të bllokonte vetoja çështjen e statusit të Kosovës?

ALFRED MOISIU
Rusia ka nxjerrë edhe një gjë tjetër, thotë që shembulli i zgjidhjes së Kosovës mund të vlejë, si të thuash, si një shëmbëlltyrë për zgjidhjen e disa problemeve të tjera që ekzistojnë në Europë, por edhe në botë, siç janë në Gjeorgji apo në disa republika të tjera. Unë kur fola në OKB, në fjalën time e përmenda që zgjidhja e problemit të Kosovës është një çështje krejt e ndryshme si nga ana historike, si nga ana gjeografike ashtu edhe nga ana politike dhe këtë e thashë edhe në konferencë shtypi në Karagjorgjevë kur isha në Serbi, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët. Por, dihet dhe duhet pranuar, që politika dhe diplomacia serbe ka qenë shumë aktive. Ecejaket e tyre në kryeqytetet evropiane kanë qenë shumë të mëdha duke filluar nga Moska deri në Uashington. Në mënyrë të veçantë Moska, mund të ketë qenë Koshtunica, në rast se nuk gabohem, ka qenë dy tri herë gjatë kësaj periudhe brenda këtij viti, po ashtu edhe Tadiq ka qenë një herë. Tani fatmirësisht shohim që edhe politika kosovare po lëviz. Çeku ishte në Angli, Sejdiu ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Çeku prap është në Paris, dhe mbase do të vazhdojnë rrugën e tyre, sepse ndryshe është të merresh vesh me letra, ndryshe është të vendosësh kontakte personale. Nuk ma merr mendja që Rusia do të vendosë veton dhe këtë e them edhe nga një takim që kam pasur vjet me ish ambasadorin e Rusisë në OKB, në bisedën që pata me të, në një pritje të organizuar nga Departamenti i shtetit. Më rezultoi se edhe ata janë të bindur se ky problem duhet zgjidhur, sepse edhe Rusia nuk ka ndonjë interes të veçantë të sakrifikojë për një çështje që për ata nuk ka aq vlera sa mund të mendohet. Ky problem, që është ngritur për çështjen e vetos, mund të komentohet kështu për mendimin tim sepse politika gjithmonë ka ato pazarllëqet e saj, unë nuk e di se ç’mund të kërkojë Rusia për t’u tërhequr nga ky pozicion nga vendet e tjera, nga Fuqitë e Mëdha, por unë nuk pres që të ketë veto.

RADIO EVROPA E LIRË
Si dhe sa është duke kontribuar Shqipëria zyrtare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

ALFRED MOISIU
Kontributi i Shqipërisë unë mendoj që ka qenë pozitiv. Sigurisht, ne nuk jemi faktor për zgjidhjen e Kosovës dhe mund të them se në takimin e parë që kam patur me presidentin Tadiq, vjet në janar në Kroaci i thashë: president edhe ju edhe ne duhet të heqim duart nga Kosova, ta lemë popullin të vetëvendosë atje bashkë me ndërkombëtarët sepse ai propozoi që të angazhohemi si Beogradi ashtu edhe Tirana. Unë i thashë: jo, unë këtë nuk mund ta pranoj, i thashë se edhe ju duhet të largoheni. Dhe meqë më pyetët, kur ishim në Karagjorgjevë, ishim në një tryezë të gjithë presidentët duke ngrënë drekë dhe po bisedonim, siç bisedohet në këto raste në një bisedë të lirë dhe i përmenda presidentit Vujanoviq, por duke patur parasysh se kisha Tadiqin në krah, kur kam qenë vjet, thashë për vizitë zyrtare në Mal të Zi, në një takim që pata në Universitetin e Podgoricës me fakultetin e gjuhës shqipe u thashë: jeni shqiptarë me kombësi, por jeni nënshtetas të Malit të Zi dhe duhet të zbatoni ligjin dhe kushtetutën e tyre dhe Vujanoviqi e miratoi se ishte aty prezent dhe u thashë: edhe ju këtë duhet të bëni, në kuptimin që nuk keni pse të ndërhyni dhe të imponoheni aq më tepër serbëve të Kosovës sepse në fund të fundit janë ata që jetojnë atje. Nuk kanë për të jetuar serbët e Beogradit në Kosovë, por do të jetojnë serbët që janë aktualisht në Kosovë bashkë me qytetarët shqiptarë. E rëndësishme është që nuk do të ketë qytetarë të parë dhe të dytë. Siç e kërkojmë këtë për shqiptarët në Mal të Zi, ja kërkova me forcë Vujanoviqit në takimet që pata, po kështu edhe ne nuk mund të pranojmë që të ketë në Kosovë qytetarë të dorës së parë dhe të dorës dytë, duhet të jenë qytetarët njëlloj para ligjit, para kushtetuës, dhe marrëdhëniet duhet të jenë të tilla... sepse është bërë një propagandë e madhe dhe është fryrë shumë kjo çështje që çfarë do të ndodhë me serbët atje? Asgjë nuk ka për të ndodhur. Edhe në takimet që kam patur ua kam thënë edhe austriakëve, Rohenit, zëvendësit të Ahtisarit i thashë: ju nuk i falët turqve 350 vjet përpara që u rrethuan Vienën, tashi ne u kërkojmë shqiptarëve të falin çfarë ka ndodhur këto 100 vjet sidomos në vitet 98-99 dhe ata po e falin,i thashë, po e falin jo pse mund të falet kollaj gjaku, por po e falin se e kuptojnë që ka më shumë rëndësi pavarësia e Kosovës se sa të merresh me këto gjërat e tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e asocim stabilizimit me Bashkimin Europian. Sipas jush, çfarë hapash duhet të ndërmerren më tej?

ALFRED MOISIU
Marrëveshja e asocim stabilizimit ishte vërtet një arritje e madhe, por në të njëjtën kohë, unë e kam thënë që kur u nënshkrua, kjo duhet të na bëjë që të reflektojë politikën shqiptare, sepse ne e kemi filluar këtë punë që në vitin 1992, mund të jemi nga vendet e para të rajonit që kemi aplikuar për këtë punë, por zhvillimet politike këtu teK ne, na lanë prapa të tjerëve. Dhe pikërisht thirrja ime për reflektim këtu ishte që politika shqiptare duhet të vetëkontrollohet, në kuptimin që nuk duhet të presim të na thonë të tjerët se çfarë duhet të bëjmë e çfarë nuk duhet të bëjmë, se tashmë kemi një përvojë politike jo të vogël, rreth 16 vjet, një periudhë zhvillimesh demokratike mëse të mjaftueshme për të nxjerrë konkluzionet se si duhet ecur përpara, si duhet të mbrohen interesat e vendit, si duhet tësigurohet e ardhmja e këtij vendi. Nuk na lejohet ne që mbas nënshkrimit të marrëveshjes të krijojmë përplasje të tilla, qoftë në Parlament qoftë në zgjidhjen e problemeve... nuk mundet mazhoranca të zgjidhë problemet në mënyrë të pavarur duke injoruar kërkesat e opozitës, opozita është pjesë e shtetit dhe mendoj e shpresoj dhe kam bindjen që mazhoranca ta shikojë këtë pozicion dhe të futet në hullinë e një zgjidhje të një shtetit demokratik. Eshtë e vërtetë që rregullat e demokracisë nuk i shpikëm neve, ne vetëm i kemi mësuar nga të tjerët, por duhet ti zbatojmë si të tjerët, nuk mund të marrim një rregull nga të tjerët dhe ta zbatojmë sipas mendësive vendore, pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse është një marrëveshje shumë e madhe, ka shumë pika dhe po vëzhgohemi me lupë, nëse mund të shprehemi kështu, nga Bashkimi Evropian që ato që themi i kemi të sinqerta, apo s’i kemi të sinqerta, i kemi të menduara mirë, apo s’i kemi të menduara mirë, a do t’i realizojmë vërtet sinqerisht apo nuk do t’i realizojmë dhe nuk mundet të mendojmë se në një moment të caktuar mund të bëjmë një truk që t’ia hedhim dikujt, nëse mendojmë se ia kemi hedhur të tjerëve, në radhë të parë ja kemi hedhur vetes tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria është në prag të zgjedhjeve lokale. Para një viti ju mblodhët forcat politike për reformën zgjedhore. Në gjykimin tuaj a janë përgatitur kushtet për të realizuar zgjedhje të pakontesutara nga partitë politike?

ALFRED MOISIU
Ne vjet bëmë zgjedhje të mira, dhe ishin zgjedhjet më të mira gjatë gjithë kësaj periudhe, jo se ishin më perfekte, por ishin më të mirat në raport me të kaluarën dhe vetë qoftë ODHIR, qoftë OSBE, por edhe ne vetë pamë që këto zgjedhje kishin efekte. Unë i mblodha vjet më 7 dhjetor forcat politike parlamentare pikërisht që të reflektonim të gjithë së bashku, duke patur një kohë të mjaftueshme në dispozicion që të evitojmë dhe të reflektojmë në dokumentat ligjore të gjithë ato gjëra që duheshin korrigjuar. Fatkeqësisht mund të them se kjo u zvarrit, megjithëse unë kam ndërhyrë kohë pas kohe me anë të mesazheve të ndryshme duke u bërë thirrje forcave politike, në mënyrë të veçantë mazhorancës, sepse ajo mban përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e zgjedhjeve, opozita ka pjesën e saj, por përgjegjësia kryesore dihet, pjesa e luanit i takon mazhorancës, përsa i përket rregullit dhe zhvillimi të zgjedhjeve. U bë marrëveshja e 30 gushtit që është tashmë e njohur nga të gjithë ne, dhe ajo ka pasur shumë kontradikta. Mora vesh që dje ka filluar puna, për t’u ulur konkretisht që atë çka vendosën të materializohet, të përgatiten dokumentat e duhura dhe t’i paraqiten Parlamentit për miratim dhe për të hedhur hapat e mëtejshme. Unë mendoj këtë që, këto zgjedhje janë më të rëndësishme se zgjedhjet politike të vitit të kaluar sepse ne patëm një rotacion pushteti dhe duhet të bindemi ne vetë këtu dhe gjithë bota që të gjitha forcat politike shqiptare pavarësisht nga rotacioni janë në të njëjtën rrugë për të bërë zgjedhje të ndershme dhe të lira, në mënyrë të veçantë ka rëndësi fjala e ndershme prandaj e vura pëpara. Nëqoftëse e marrim pushtetin vetëm për ta mbajtur pushtetin dhe të mendojmë si ta mbajmë pushtetin, dijeni se do të gabojmë. Nëse e marrim pushtetin për të zhvilluar vendin për ta çuar atë përpara nuk ka nevojë të bësh truke se vetë votuesi shqiptar ta jep votën pa u vështirësuar fare. Në këtë aspekt them se duhet të jemi të kujdesshëm. Politika shqiptare duhet të jetë shumë e kujdesshme.
Intervistoi: Alma ÇUPI
XS
SM
MD
LG