Ndërlidhjet

LAMANEN: ZGJIDHJA E STATUSIT MUND TË SHTYHET BRENDA AFATEVE TË GK-SË


Marku Lamanen, Shef i zyrës finlandeze në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit ka pasur deklarata dhe dilema se mund të ketë shtyrje të zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Çfarë mendon kryesia e radhës e BE-së, rreth kësaj çështjeje?

MARKU LAMANEN
Po ju keni të drejtë, sepse ekzistojnë disa kontradikta në këto ditët e fundit, por nëse i shikoni të gjitha këto deklarata, në fund të fundit do të gjeni një linjë të përbashkët.
E para është se zoti Ahtisari ende është duke e përgatitur propozimin e tij, dhe kjo s’është e lidhur me opinionet dhe komentet e njerëzve të tjerë. Ai e dëgjon Grupin e Kontaktit dhe vendimi i tij për të vazhduar deri në fund të këtij viti, është i bazuar në deklaratën e 20 shtatorit të Grupit të Kontaktit në Nju Jork. Ndërsa referencat për deklaratat e presidencës së radhës të BE-së, apo Solanës, mendoj se ato nuk tregojnë se diçka do të ngrihet.
Ka mundësi të shtyrjes, që bazohet në disa vlerësime për zgjedhjet në Serbi, por nuk është thënë se do ketë shtyrje të mëdha. Dhe përfundimisht është e qartë se nuk do ketë shtyrje, por ata vetëm konsiderojnë se kjo mund të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Referendumi në Serbi ka qenë një nga arsyet që i ka shtyrë disa vëzhgues të thonë se mund të ketë shtyrje. Si e vlerësoni faktin se ky referendum do të mbahet në Kosovë dhe sa do të ndikojë ai në shtyrjen e zgjidhjes së statusit?

MARKU LAMANEN
Aktualisht ne e dimë datën se kur do të mbahet referendumi, mendoj se më 28 ose 29 tetor. Ndërsa data e zgjedhjeve deri tash nuk është konfirmuar, mund të jenë ndoshta në fillim të dhjetorit. Ata kanë të drejtë që të mbajnë referendum dhe zgjedhje. Por duhet shikuar po ashtu edhe për çështjen e Kosovës. Unë mendoj se Kosova nuk është tema kryesore që do luftohet në zgjedhje. Referendumi është referendum dhe besoj se nuk do ta prekë shumë procesin. Dhe serish duhet cekur ajo që po bën Ahtisari. Ai po punon sipas mandatit të dhënë nga Sekretari i OKB-së dhe sipas rekomandimeve të GK-së, ndërsa pozicioni i BE-së është i lidhur me të. Por BE-ja s’është ajo që do vendosë afatin për vetë procesin. Të themi sërish se shtyrjet nuk janë diçka që do jenë jashtë periudhës së tranzicionit.
Madje edhe nëse spekulojmë se zoti Ahtisari do të bëjë propozimin para Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot edhe më tej duhet një rezolutë e re dhe duhen 3-4 javë konsultime dhe përfundimisht implementimi. E tërë kjo do marrë kohë. Dhe kur flasim për shtyrje, ne flasim për diçka që është brenda kufijve kohorë të procesit.
Por, unë nuk kam parë askënd që ka kërkuar ngrirjen e procesit, por vetëm spekulime për aktivitetet brenda procesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lamanen ju patët thënë më herët se çdo shtyrje nuk do të ketë rezultate pozitive. Ç'ka mendoni tash?

MARKU LAMANEN
Unë nuk kam asnjë arsye specifike për të ndryshuar deklaratat e mia të mëhershme. Nëse dikush propozon ngrirjen e procesit, atëherë do kemi shumë probleme, por unë nuk po shoh se dikush do propozojë ngrirje të procesit, por në fund të fundit vetëm ndryshime sa i përket kohës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lamanen, vendi juaj Finlanda ka qenë e angazhuar në Kosovë në këto vitet e fundit. Më intereson të di se cili është qëndrimi zyrtar i Finlandës rreth statusit të Kosovës?

MARKU LAMANEN
Ne jemi pjesë e BE-së dhe edhe nëse mund të ketë ndonjë politikë nacionale, ne sërish jemi pjesë e BE-së dhe kjo përbën sistemin. Ne shpresojmë se ende BE-ja flet me një zë dhe jo me 25. Për këtë pjesa nacionale s’është më e rëndësishme, sesa një qëndrim i përbashkët i BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po flisni për BE-në, si e shihni rolin e BE-së në fazën e pas statusit në Kosovë?

MARKU LAMANEN
Kosova është në Evropë dhe kjo është një përgjigje e qartë, Bashkimi Evropian ka mundësi, rast dhe përgjegjësi që të përkrahë zhvillimet në Kosovë, si në tërë Ballkanin perëndimor, me të gjitha mjetet e mundshme, së bashku me partnerët e tjerë, veçanërisht me SHBA-të.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse shikoni standardet, sa është larg Kosova nga BE-ja?

MARKU LAMANEN
Në disa pika nuk është larg fare. Nëse e shikoni legjislacionin e ri është shumë i bazuar në direktivat dhe rregulloret e BE-së, por ka fusha të tjera si ekonomia, që është larg nivelit të përgjithshëm të BE-së. Ne mund të vlerësojmë se nëse krahasohet me anëtaret e reja që do i bashkohen BE-së, ka ende dallime. Por prania e BE-së në të ardhmen do të ndihmojë që këto çështje të zgjidhen më shpejt sesa pa praninë e Bashkimit Evropian.

Intervistoi Albana Isufi



XS
SM
MD
LG