Ndërlidhjet

REFERENDUMI MUND TË RADIKALIZOJË QËNDRIMET E SERBËVE TË KOSOVËS, VLERËSOJNË ANALISTËT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shtyrja e procesit të statusit është një lëshim që bashkësia ndërkombëtare i bën udhëheqjes aktuale të Serbisë në kohën kur është paralajmëruar mbajtja e zgjedhjeve atje, vlerësojnë analistë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke komentuar mundësinë e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë dhe pasojat eventuale mbi procesin për statusin.

Alex Anderson shef i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, beson se ky është një lëshim në të mirë të procesit për përcaktimin e statusit:

"Është bërë një llogaritje nga disa ministri të jashtme në Evropë se Serbisë i duhen bërë së paku disa koncesione kohore formale, në mënyrë që të krijohet njëfarë atmosfere në Serbi që të mos përjetohet mjaft hidhur statusi i Kosovës dhe të mos krijohet ndjenjë refuzimi për bashkësinë ndërkombëtare," tha zoti Anderson, ndërkohë që udhëheqësi i Institutit KIPRED në Prishtinë, Lulzim Peci, thotë se referendumi nuk do ta kishte shtyrë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por këtu më shumë të rëndësishme janë zgjedhjet që duhen mbajtur më tutje:

"Mbajtja e referendumit dhe zgjedhjeve mund të interpretohet si dhuratë për lidershipin e tanishëm të Serbisë, në mënyrë që radikalët të mos vijnë në pozitë në Serbi", thotë zoti Peci.

Në anën tjetër, zoti Anderson thotë se shikuar nga perspektiva e Prishtinës, mund të ketë një shqetësim dhe një ndjenjë të lëndueshmërisë për faktin se disa nga anëtarët e Grupit të Kontaktit dhe Solana për shembull, kanë thënë aq qartë se zgjedhjet e Serbisë janë arsyeja e shtyrjes së përcaktimit të statusit të Kosovës:

"Kur bashkësia ndërkombëtare e shikon situatën e Kosovës, nuk e sheh Kosovën si të izoluar, por e sheh edhe Serbinë dhe zhvillimet e mundshme në të ardhmen, në një perspektivë tre apo pesëvjeçare," tha Anderson, sipas të cilit të gjithë e dinë se Kosova do të jetë e pavarur, por me disa monitorime ndërkombëtare ku rolin kryesor do ta ketë Bashkimi Evropian

Analisti Lulzim Peci ndërkohë mendon se shtyrja për një kohë të shkurtër nuk është problematike:
"Shumë më problematik është kualiteti i statusit që do ta kemi, prandja nëse procesi i përfundimit të statusit do të prodhojë një zgjidhje kualitative dhe të mirë për Kosovën, atëherë besoj se kjo do të jetë periudhë jo fort stabile, por rezultati i fundit do të ketë ndikim të mirë te pala shqiptare", thotë zoti Peci.

Sipas analisti Lulzim Peci menaxhimi i punëve të brendshme në Kosovë nuk do të jetë i lehtë në këtë periudhë, sidomos nëse Ahtisari nuk del në këtë kohë me propozimin, i cili do të jepte atë shpresën kyçe popullatës së Kosovës për lëvizje të mëtejshme.

Këtë dilemë e shtron edhe zoti Anderson:
"A mund Kosova të gjejë forca për të qëndruar edhe disa muaj deri sa të ndodhë zgjidhja e pavarësisë, gjë të cilën të gjithë tashmë e kanë pranuar se do të ndodhë?" tha Anderson, duke e cilësuar si një të arritur të rëndësishme faktin që Rusia të mbahet brenda qëndrimit të Grupit të Kontaktit, kur Grupi i Kontaktit ka deklaruar se Beogradi duhet ta dijë se statusi i Kosovës duhet të përmbushë vullnetin e shumicës së popullatës së Kosovës që është pavarësia.

Zoti Lulzim Peci në anën tjetër e sheh mbajtjen e referendumit në Kosovë si një veprim, që do të lërë pasoja në qëndrimet e serbëve të Kosovës:

"Referendumi si referendum do t'i çimentojë pozicionet e serbëve të Kosovës, të një pjese të tyre dhe do të jetë një injeksion për radikalizimin e mëtejshëm të tyre, sepse është vështirë për një pjesë të njerëzve që votojnë në një referendum dhe shohin pastaj se nuk janë pjesë e asaj zgjidhjeje për të cilën kanë votuar", thotë zoti Peci.

Sidoqoftë, analistët pajtohen se barra më e rëndë në këtë fazë u takon institucioneve të Kosovës, të cilat duhet të merren me menaxhimin e situatës, e cila në të parë mund të duket frustruese për njerëzit të cilët gjatë gjithë vitit kanë jetuar me premtimet për zgjidhjen e statusit deri në fund të këtij viti.




XS
SM
MD
LG