Ndërlidhjet

logo-print

WISNER: STATUSI DO TË PËRMBYLLET BRENDA KËTIJ VITI


Albana Isufi, Prishtinë

Jemi pothuajse në fund të marrjes së vendimit që do jetë i një rëndësie thelbësore për Kosovën, ka thënë i dërguari i Shteteve të Bashkuara Frank Wisner, pasi ka takuar sot anëtarët e ekipit negociator.

“Jemi në kohën e një marrëveshjeje që do të sjellë statusin final. Disa nga ne nuk kemi dyshime se çka nënkupton statusi final. Nënkupton arritje të një vizioni historik që ju zoti president dhe të gjithë njerëzit e Kosovës e kanë shfaqur për shumë vite.
Ka qenë privilegji im këtë mëngjes që të sjell një mesazh special të përkrahjes dhe inkurajimit nga qeveria dhe vendi im, që ka kuptuar se pavarësisht të gjitha obligimeve të tjera të Amerikës në botë, ne kemi një përgjegjësi të veçantë që të përcjellim Kosovën kah statusi final”, tha zoti Wisner, duke siguruar presidentin Sejdiu se statusi final do të përmbyllet brenda këtij viti.

“Por po ashtu zoti president, u thashë juve dhe anëtarëve të grupit negociator, se Grupi i Kontaktit, në takimin e fundit në Nju Jork, ka vendosur që të vazhdojnë negociatat dhe që procesi të përfundojë në vitin 2006. Është observimi im se edhe zoti Ahtisari po punon për të arritur atë datë dhe të arrijë kompletimin e dokumenteve, që zyrtarisht do të shënojnë vendimin mbi statusin final, - statusin final, ku Kosova do jetë territor i bashkuar, ku nuk do të ketë ndarje si jugu apo veriu i Ibrit. Do jetë një territor dhe emri i saj është Kosova”, tha zoti Wisner.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka falenderuar zotin Wisner për angazhimin e tij dhe të SHBA-ve në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
“E falenderoj shumë për të gjitha angazhimet që ka prej fillimit në këtë proces, duke kontribuar që ky të marrë mbarrën e vet dhe të ketë një rrjedhë thjesht në dobi të qytetarëve të Kosovës. Po kështu falenderoj angazhimin që kanë gjatë gjithë kohës Shtetet e Bashkuara të Amerikës në proces, në mbështetje të vizionit politik që kemi për një të ardhme të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ju e dini objektivin tonë, është pavarësia e Kosovës," tha zoti Sejdiu.

Ndryshe i dërguari amerikan për statusin, Frank Wisner nuk sheh se do të kenë ndikim në Kosovë zhvillimet politike në Serbi, përkatësisht referendumi serb për kushtetutën, e cila e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë. Wisner ka thënë se serbët e Kosovës janë të lirë të dalin në referendum, ndërkohë që thotë se llogarit se miqtë e tij shqiptarë do të lejojnë që ky proces të rrjedhë i qetë dhe pa probleme.

“Ju duhet të kuptoni se puna juaj, kjo që po ndodh tek ju, është çështje e Kosovës dhe çështje ndërkombëtare. Nuk është çështje e sovranitetit të Serbisë, i cili ka ndryshuar kur Kombet e Bashkuara u pajtuan për rezolutën 12 44”, tha zoti Wisner, duke shtuar se përgjegjësia për Kosovën bie mbi rezolutën 12 44 dhe se bashkësia ndërkombëtare do të vendosë për rezultatin.

“Unë po ashtu shikoj të ardhme të ndryshme mes Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se një nga arsyet për të argumentuar kundër shtyrjeve, është se pa një qartësim të statusit final, është i pamundur zhvillimi i raporteve stabile dhe produktive mes Prishtinës dhe Beogradit, apo Kosovës dhe Serbisë.

Mendoj se qartësimi do të hapë rrugën, jo ndoshta menjëherë, por më vonë në rikrijimin e raporteve normale. Kam parë se si Serbia ka rindërtuar marrëdheniet me Kroacinë, Slloveninë, Maqedoninë e tash edhe me Malin e Zi. Dua të mendoj se ky model do të jetë udhërrëfyes edhe në raportet me Kosovën në të ardhmen”, tha i dërguari amerikan për statusin, pas takimit me kryeministrin Agim Çeku.

Ndërsa, zoti Çeku ka deklrauar se nga i dërguari amerikan për statusin ka marrë mesazhe shpresëdhënëse se statusi do të zgjidhet shpejt.
“Shumë shpejt do ta kemi atë që na takon dhe shumë shpejt Kosova do të jetë për bindjen time e pavarur dhe ne jemi duke bërë çmos që të bëhemi gati për këtë, që qytetarët të jenë gati, që qeveria, institucionet të jenë gati për të mund të zgjidhur dhe përballur me të gjitha sfidat e shtetësisë," tha kryeministri Çeku.

Në takimin mes zotit Wisner dhe kryeministrit Çeku është biseduar edhe për sfidat në Kosovën e pas statusit. I dërguari amerikan për statusin ka takuar sot edhe disa kryetarë të komunave të Kosovës, si dhe në një takim të veçantë, takoi edhe liderin e PDK-së Hashim Thaçi.



XS
SM
MD
LG