Ndërlidhjet

TRAFIKIMI I NJERËZVE NË KOSOVË GJITHNJË NË RRITJE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Trafikimi i qënieve njerëzore dhe shfrytëzimi i tyre për prostitucion në Kosovë, vazhdimisht po rritet, por edhe më tej nuk dihet se sa është numri i saktë i tyre. Sipas organizatave që merren me rehabilitimin e viktimave të trafikimit, është zvogëluar dukshëm numri i viktimave të huaja dhe është rritur numri i viktimave kosovare.

Në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, e cila bën rehabilitimin dhe riatdhesimin e viktimave ndërkombëtare dhe vendore, pohojnë se që prej përfundimit të luftës kjo organizatë ka ndihmuar 530 viktima, 82 prej të cilave kanë qenë vajza dhe gra nga Kosova.

Bekim Ajdini, zëdhënës në këtë organizatë, thotë se në bazë të deklaratave të viktimave të huaja, premtimet e rreme për punësim jashtë vendit të tyre, janë arsyet kryesore që këto femra përfundojnë në lokale nate dhe detyrohen të merren me prostitucion. Viktimat vendore ndërkaq në shumicën e rasteve, sipas zotit Ajdini kanë përfunduar në prostitucion, pasi janë rrëmbyer.

"Në rastin e viktimave vendore në fakt kemi një rritje të numrit të viktimave vendore, Derisa në vitin 2001 kanë qenë vetëm 6 viktima, në 2002 12 viktima, në vitin 2003 17viktima, në vitin 2006, pra deri në muajin tetor, janë regjistruar 24 viktima, të cilat kanë qenë të asistuara nga IOM-i", tha zoti Ajdini.

Naime Sherifi, udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, thotë se gjatë pesë muajve të fundit, kjo qendër ka ndihmuar dy viktima të trafikimit.

"Ato fillimisht tek ne janë sjellë si raste të dhunës në familje, por më vonë gjatë intervistave është konstatuar që këto dy viktima më parë kanë qenë viktima të trafikimit dhe prostitucionit të brendshëm, por që janë në procesin e integrimit", thotë zonja Sherifi.

Sipas zotit Ajdini, shumica e viktimave kosovare kanë qenë të moshës nën 18 vjeçare.
"Në rastin e viktimave kosovare, mbi 65 përqind të tyre janë të moshës minore, që do të thotë se kemi të bëjmë me një kategori qytetarësh, të cilët janë të lëndueshëm në aspektin e premtimeve, etj. Niveli i shkollimit ka qenë tepër i ulët i këtyre viktimave vendore, shumica prej të cilave vijnë nga pjesë rurale të Kosovës", thotë zoti Ajdini.

Shërbimi Policor i Kosovës të martën në një lagje periferike të Prishtinës, ka arrestuar 5 persona nën dyshimin për trafikim të qënieve njerëzore dhe ka identifikuar gjashtë viktima të trafikimit. Veton Elshani, zëdhënës në këtë shërbim, thotë se vetëm në këtë muaj, ky shërbim ka identifikuar 24 viktima të trafikimit.

"Deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ne kemi patur 18 viktima të identifikuara, nga të cilat 6 moldave, 8 kosovare, tre shqiptare dhe një ukrainase. Po ashtu vlen të theksohet se muaji tetor, ky muaj i vitit 2006, ka qenë mjaft aktiv për Shërbimin Policor të Kosovës, dhe ka përfshirë gjithsej 20 persona të arrestuar në pesë aksione policore dhe 24 viktima të trafikimit të identifikuara", thotë zoti Elshani.

Në qeverinë e Kosovës thonë se gjithë kjo po ndodh për shkak të moskontrollimit të kufijve në mënyrë adekuate.
Cyme Mahmutaj, nga zyra për qeverisje të mirë, thotë se për shkak të kushteve të vështira ekonomike, kjo dukuri aktualisht është bërë biznesi më fitimprurës në Kosovë.

"Kufiri, hyrje-daljet është një ndër pengesat esenciale ku po bëhet identifikimi i personave. Dhe, duke patur parasysh se ata persona janë shumë të vetëdijshëm dhe shumë mirë dinë t'i gjejnë mangësitë ligjore, në këtë drejtim, pa patur një kufi të fortë të mbikqyrur nga shërbimi policor vendor apo ndërkombëtar do të jetë shumë problem", thotë Cyme Mahmutaj.




XS
SM
MD
LG