Ndërlidhjet

SHPALLET TENDERI PËR OPERATORIN E DYTË TË TELEFONISË MOBILE NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit shpalli sot për herë të dytë tenderin për operator të telefonisë së dytë mobile në Kosovë. Tenderi do të jetë i hapur 75 ditë dhe ofertuesit mund të konkurrojnë nga 3 nëntori deri më 17 janar. Pakon ofertuese e ka përgatitur kompania konsulente Stelacon nga Suedia, e kontraktuar nga qeveria.

Licensimi i operatorit sipas Ministrit të Telekomunikacionit Qemajl Ahmeti, do të bëhet sipas formës së kombinuar.
“Forma e kombinuar nënkupton që ka një pjesë të ankandit dhe një pjesë –zgjidhja më e mirë. Në kuadër të ankandit kemi propozuar një çmim minimal dhe kush ofron më tepër, dhe kjo vlerësohet me 30 përqind të tenderit,” tha Ahmeti.

Çmimi minimal që duhet të ofrojnë kompanitë ofertuese është 20 milion euro. Ofertuesit do të përzgjidhen në bazë të asaj se sa shpejt do të arrijnë nivelin e mbulueshmërisë, sa do të kenë participim vendor, çfarë do jetë cilësia dhe gama e shërbimeve, si dhe çfarë përvoje kanë në telefoninë mobile.

Komisioni vlerësues i ofertave do të përbëhet nga ekspertë të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit. Ministria është e bindur se këtë herë nuk do të ketë probleme siç kishte herën e kaluar, ku për shkak të shkeljeve procedurale u anulua shpallja e fituesit të telefonisë së dytë mobile. Edhe atëbotë ofertat qenë vlerësuar nga ekspertë të ART-së.

Ministri Qemajl Ahmeti shpjegon.
”Ne kemi marrë hapat në fillim. Kemi formuar komisionin mbikqyrës, që përbëhet nga ekspertë të ART-së, ministrisë, kryeministrisë dhe Shtyllës I dhe IV të UNMIK-ut. Këta janë të obliguar të mbikqyrin a po shkon procesi si duhet. Nëse nuk ka transparencë dhe ka parregullshmëri, ky komision është i obliguar që ministrit t’ia paraqesë vërejtjet e veta, dhe unë si ministër jam i obliguar t’i paraqes në qeveri dhe të marrim vendimin përkatës”, tha Ahmeti.

Ministri Qemajl Ahmeti shpreson se në fillim të vitit të ardhshëm do të shpallet fituesi.
”Nëse na shkojnë punët mbarë edhe mirë, ne mendojmë se në fillim të shkurtit, komisioni vlerësues mund të paraqesë propozimin për kompaninë më të mirë,” tha ministri Ahmetaj.

Për shkak të mungesës së statusit politik, Kosova nuk ka kod ndërkombëtar të sajin telefonik. Kompania që fiton tenderin për operator të dytë nëse është e huaj, do të shfrytëzojë kodin e shtetit të saj. Ndërsa në rast se fiton tenderin ndonjë kompani vendore, atëherë ART do të sigurojë kodin nga operatori i tashëm publik, pra me Valën 900.

Në Kosovë, operator i vetëm legal i telefonisë mobile është Vala 900, ndërkohë që operatorë ilegalë nga vendet fqinje, i ofrojnë shërbimet e tyre në pjesë të ndryshme të Kosovës. Aktivitetet e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për heqjen e antenave ilegale të Telenorit serb, ish- Mobtelit janë ndërprerë kohë më parë nga UNMIK-u, për të lejuar komunikimin në mes vete të komunitetit serb të Kosovës, të cilët shfrytëzojnë kryesisht shërbimet e kësaj kompanie që tashmë është blerë nga Telenori norvegjez.

Administrata ndërkombëtare ka lejuar heqjen e antenave ilegale të Telekomit të Serbisë. Megjithatë, ART po has vështirësi në realizimin e këtij vendimi, pasi që ato janë vendosur në objekte me pronësi private të qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG