Ndërlidhjet

SERBËT TUBOHEN NË VERI TË MITROVICËS NË MBËSHTETJE TË REFERENDUMIT


Rrahman Paçarizi,Prishtinë

Zyrtarë të ndryshëm të partive politike nga Serbia dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës, kanë porositur sot në Mitrovicë se nuk do ta pranojnë në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës dhe sipas tyre, askush në Serbi nuk është i gatshëm ta firmosë pavarësinë e Kosovës.

Këto porosi janë dhënë nga folësit në një tubim të madh që është mbajtur sot në mesditë në pjesën veriore të Mitrovicës, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të partive më të mëdha politike nga Serbia, si dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës në ekipin negociues të Serbisë për statusin e Kosovës.

Tubimi ishte në fakt një nisje e fushatës për të bindur qytetarët serbë të Kosovës, që të marrin pjesë në referendumin për kushtetutën e Serbisë, e cila e përkufizon Kosovën pjesë të pandashme të saj.

Ne nuk e miratojmë kushtetutën e re për shkak të kushtetutës, pasi edhe në të vjetrën thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë, por duam t’i tregojmë gjithë botës se të gjithë qytetarët e Serbisë mendojnë se Kosova është vendi i lindjes së Serbisë dhe Serbia nuk mund të largohet nga ajo, tha zyrtari i lartë i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq:

"Në Serbi nuk guxon të ekzistojë dorë serbe që do ta nënshkruante pavarësinë e Kosovës", tha Ivica Daçiq.

Ndërkaq, Aleksandër Vuçiq nga Partia Radikale Serbe ka kundërshtuar zërat në Serbi se e ardhmja evropiane është për Serbinë më e rëndësishme sesa Kosova:

"Nëse dikush mendon që kurdoherë të thonë se për Serbinë më e rëndësishme është e ardhmja evropiane, sesa Kosova, unë u them atyre se do të fluturojnë nga kolltuqet e tyre," tha Aleksandër Vuçiq.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, anëtari nga Kosova i delegacionit të Serbisë në bisedimet për statusin, Goran Bogdanoviq, tha se platforma e ekipit të Serbisë është platformë e kompromisit që mbështetet në autonomi substanciale për Kosovën, por nga ana tjetër janë kërkesat maksimaliste të shqiptarëve për pavarësi, siç u shpreh Bogdanoviq.
Ai tha se dëshironte të siguronte masën e tubuar se askush në Serbi dhe nga serbët e Kosovës nuk është i gatshëm, që me kompromis të arrihet pavarësia e Kosovës:

"Një zgjidhje e tillë vetëm mund të imponohet, por ne me siguri nuk do të marrim pjesë në këtë zgjidhje dhe kjo është diçka më e madhe dhe më e fuqishme sesa ne," tha Bogdanoviq, sipas të cilit secila zgjidhje për statusin e Kosovës duhet të kalojë patjetër nëpër Këshillin e Sigurimit, pasi vetëm në atë mënyrë mund të sigurohet që të ketë zgjidhje kompromisi.

Në këtë tubim kanë folur edhe zyrtarë të tjerë, ndërkohë që nuk njoftohet për incidente eventuale.
Zyrtarët në Beograd kanë paralajmëruar se mbajtjen e referendumit për Kushtetutën e Serbisë do ta organizojnë edhe nëpër enklavat serbe në Kosovë, gjë që është kundërshtuar nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Misioni i Kombeve të Bashkuara ka theksuar se nuk e mbështet mbajtjen e këtij referendumi, por as do ta pengojë mbajtjen e tij.

XS
SM
MD
LG