Ndërlidhjet

WISNER VIZITOI KLINËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, Frank Wisner ka vizituar sot komunën e Klinës me rrethinë, ku për së afërmi ka dashur të shohë se si jetojnë komunitetet në këtë pjesë të Kosovës, në veçanti ai serb. Duke u shprehur se statusi i Kosovës është vetëm një kapitull i procesit, Wisner ka pohuar se me zgjidhjen e këtij statusi nuk do të zgjidhen edhe problemet aktuale, të cilat do të mbesin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Kosovën para dhe pas zgjidhjes së statusit të saj. Ne mbetemi tek qëndrimet se statusi duhet të zgjidhet sivjet, tha ai.
“Presim që statusi të zgjidhet këtë vit, por problemet mbesin”, theksoi Frank Wisner, pas takimeve të ndara që zhvilloi në Kuvendin komunal të Klinës, me kryetarin e komunës Prenk Gjotaj dhe më pas me peshkopin Teodosije.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që procesi negociues për statusin final të Kosovës të përmbushet sivjet dhe mbi parimet e Grupit të Kontaktit”, tha Wisner.

“Kam ardhur këtu në Klinë që të kem një pasqyrë të qartë të jetës së komuniteteve dhe të bëjë me dije se statusi i Kosovës nuk u jep fund problemeve, dhe se edhe pas statusit do të ketë edhe më tepër punë”, tha ambasadori Wisner.

Pas Kuvendit komunal, Wisner ka vizituar fshatin Videj, ku jetojnë dhjetëra familje të kthyera serbe. Po ashtu ai ka vizituar dhe familjen Pavlloviq, e cila kohë më parë ishte sulmuar me një granatë dore. “Sulmi ndaj kësaj familjeje ishte një akt kriminal që e dëmton të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Wisner.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit komunal Prenk Gjotaj, kryesisht vetëm ka falënderuar angazhimin dhe përkushtimin amerikan të shprehur dhe me këtë vizitë të ambasadorit Wisner. Kurse peshkopi Teodosije tha se vizita të tilla janë një shtytje për serbët që të mbesin dhe të jetojnë në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite që i bëri Klinës, ambasadori Wisner është shoqëruar dhe nga shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kajdanov. Wisner vlerësoi se komuna e Klinës është shembull i mirë i bashkëjetesës dhe tolerancës ndëretnike, ndërsa rastet e dhunës së paradokohshme i cilësoi si shembuj të këqij, që dëmtojnë proceset në Kosovë.

Dje, ambasadori Wisner ka takuar liderët kosovarë si dhe ekipin negociues së bashku, të cilëve ai u ka premtuar mbështetjen amerikane për Kosovën, duke u shprehur se pret që zgjidhja e statusit të arrihet gjatë këtij viti. Duke përmbyllur këtë vizitë tre ditore në Kosovë, pasdite, Wisner nga Prishtina ka udhëtuar për në Vjenë.


XS
SM
MD
LG