Ndërlidhjet

B. HAXHIU: ZGJIDHJA PËR KOSOVËN NDËRMJET MARSIT DHE QERSHORIT


Baton Haxhiu, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, si i vlerësoni deklaratat, të themi ashtu kundërthënëse, nga zyrtarët e BE-së dhe zyra e UNOSEK-ut për mundësinë ose jo të shtyrjes së procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës?

BATON HAXHIU
Realisht këtu janë dy procese, pakoja e Ahtisarit dhe statusi i Kosovës – ajo që quhet pakoja e Ahtisarit realisht nuk e përcakton statusin e Kosovës, por përcakton konturat për Këshillin e Sigurimit që të nxjerrë rezolutën e re për Kosovën dhe me rezolutën e re të heqë sovranitetin e Serbisë, i cili formalisht ekziston mbi Kosovën dhe ta vërë atë sovranitet në bashkësinë evropiane. Kjo është e para, e dyta është statusi dhe shpallja e Kosovës e pavarur i takon Parlamentit të Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës nëse ka guxim vetë ta bëjë, mund ta bëjë atë qysh në dhjetor. Nëse nuk ka guxim, duhet të presë realisht që të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që ata ta japin sinjalin se kur duhet të shpallet pavarësia. Prandaj, nuk kemi të bëjmë këtu me shtyrje, por me një koordinim të procesit politik për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirë, po a mund të pritet pakoja e propozimit të Ahtisarit deri në fund të këtij viti?

BATON HAXHIU
Absolutisht po. Pakoja do të jetë e gatshme në nëntor. Pakoja e Ahtisarit, me të gjitha rekomandimet ku përfshihen edhe statusi i Kosovës, edhe TMK-ja, edhe Kushtetuta e Kosovës, edhe simbolet dhe ai historiku pse, i arsyetimit për pavarësinë dhe për statusin, pritet të përfundojë në fund të nëntorit.
Është çështje tjetër nëse kjo pako do të koordinohet me Grupin e Kontaktit dhe Këshillin e Sigurimit, që ata ta sjellin rezolutën në dhjetor. Dhe, ta kemi të qartë se as rezoluta që do të miratohet në Këshillin e Sigurimit nuk do të jetë rezolutë për pavarësinë, pasi Këshilli i Sigurimit nuk ka të drejtë të shpallë shtete të pavarura, ashtu siç nuk ka të drejtë as Bashkimi Evropian. Këto gjëra janë të qarta, por shtetet një nga një duhet ta njohin Kosovën si shtet të pavarur, prandaj është çështje e kosovarëve edhe e Kuvendit të Kosovës, se a duhet ta shpallin pavarësinë në dhjetor, në janar, në shkurt, apo në mars, që të jenë në unison me bashkësinë ndërkombëtare. Realisht do të ishte mirë që këtë ta bëjnë në bashkëpunim me Grupin e Kontaktit, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, zoti Haxhiu, sipas jush sa mund të zgjasë ky proces i koordinimit pas dorëzimit të pakos nga Ahtisari dhe deri te kjo marrëveshje unison ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare?

BATON HAXHIU
Varianti më i mirë është deri në mars, ndërsa varianti më i keq deri në qershor. Po them varianti më i mirë deri në mars, për arsye se mund të koordinohen proceseset. Një skenar i keq është që qeveria e Serbisë pas zgjedhjeve të mos formohet as në shkurt, as në mars dhe kjo të shtyhet deri në një periudhë, kur Bashkimi Evropian, SHBA-të, Serbia dhe Kosova, ta kenë një koordinim për statusin e Kosovës. Ky është varianti më i keq.
Varianti më i mirë është marsi, por edhe pas shpalljes së pavarësisë do të hyjmë në një proces tjetër – procesit të paraqitjes apo kërkesës për njohje nga shtetet e veç e veç, duke filluar nga shtetet fqinje, SHBA-të pastaj shtetet e Bashkimit Evropian si për shembull Britania e Madhe. Ky proces është më i rëndë dhe mund të zgjasë, pasi nuk është Kosova aq në qendër të vëmendjes sa ne mendojmë, për arsye se ka probleme të jashtëzakonshme jashtë këtij procesi, si në Kore, e të mos i përmend Irakun e Afganistanin etj, që janë probleme të rënda realisht, krahasuar me problemin e Kosovës.
Prandaj duhet të jemi shumë të qartë se çka do të bëjë Parlamenti i Kosovës dhe qeveria e Kosovës në procesin e njohjes, cilat do të jenë koordinatat.
Me siguri këtë do ta bëjnë edhe në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por do të ishte mirë që së paku në këtë kohë t’i bindin shtetet përreth, sidomos shtetet e ish-Jugosllavisë, hiq Serbinë këtu, që ta njohin Kosovën dhe kur e njohin shtetet fqinje, atëherë procesi i njohjes është më i lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, nesër dhe pasnesër mbahet referendumi për Kushtetutën e Serbisë. Ky referendum është paralajmëruar të mbahet në Kosovë, ku pritet të votojnë serbët e Kosovës. Cilat do të jenë efektet apo implikimet e mundshme të këtij referendumi?

BATON HAXHIU
Efektet do të jenë për konsum të brendshëm. Realisht është manipulim ky referendum, kurse për ne është sikur ta marrësh një laps prej akulli edhe të shkruash në rreze dielli. Domethënë ato shkronja do të shkriheshin ende pa dalë në shesh, prandaj konsideroj se nuk mund të ketë kurrfarë efekti.
Efekt mund të ketë vetëm te ndonjë “patriot” i jashtëzakonshëm, i cili mund ta përdorë situatën apo këtë referendum për të drejtuar gishtin kah qeveria dhe grupi i unitetit.
Unë mendoj se ky referendum realisht nuk ka efekt, ashtu siç nuk ka pasur efekt Kushtetuta e Zhablakut, e cila është shkruar dhe kurrë nuk ka hyrë në përdorim. Realisht efektet për mua janë në marrëdhëniet që duhet të ndërtohen me Rusinë dhe me Kinën, që ne po i neglizhojmë absolutisht. Ne duhet të bëjmë çmos që ta shpërthejmë në një mënyrë a në një tjetër atë bllokadën diplomatike që e kemi me ta. Realisht atyre duhet t’u tregojmë se përse ne duhet të jemi të pavarur, edhe Kinës edhe Rusisë, për shumë arsye, për arsye se janë dy shtetet shumë të rëndësishme dhe janë dy shtete, të cilat në një moment mund ta neglizhojnë, ta shtyjnë dhe prolongojnë zgjidhjen e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, qeveria e Kosovës tashmë ka bërë kërkesën për t’u takuar me zyrtarët e Moskës, për një vizitë të kryeministrit, por ende nuk ka përgjigje. Mendoni se nuk ka bërë mjaft qeveria apo?

BATON HAXHIU
Realisht janë bërë shumë vonë dhe ne kemi krijuar një armiqësi mbi baza historike. E drejtë e jona është, por në diplomaci armiqësi dhe miqësi të përhershme nuk ka. Unë nuk them se ne duhet të përulemi para dy shteteve, por ne do të bëjmë çmos që t’i informojmë këto dy shtete pse na duhet pavarësia, pse Serbia nuk ka qenë e gatshme të ndërtojë një bashkëjetesë me shqiptarët e Kosovës. Prandaj, kjo është arsyeja. Ata kanë elemente paragjykuese për vendin tonë dhe këto elemente ekzistojnë, pasi në njërën anë nuk kemi pasur kontakte dhe në anën tjetër kontaktet ia kemi lënë Serbisë.


Intervistoi: Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG