Ndërlidhjet

DANIEL SERWER: ÇËSHTJE QË DUHET TË SQAROHET ËSHTË SOVRANITETI


"Mendoj se çështja thelbësore që duhet të sqarohet është sovraniteti dhe Beogradi e ka kuptuar gjithmonë saktësisht që sovraniteti është çështja dhe jo pavarësia. Pavarësia është një çështje relative dhe të them të drejtën Kosova është tashmë relativisht e pavarur", thotë, pos tjerash, Daniel Serwer, drejtor i operacioneve për paqe dhe stabilitet në Institutin e Shteteve të Bashkuara për Paqe me seli në Uashington, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se çështja kryesore në këtë moment është orari kohor për statusin e Kosovës. Disa zëra kërkojnë shtyrje, por Grupi i Kontaktit ka thënë se do të bëjë çdo gjë të mundshme që kjo çështje të zgjidhet deri në fund të vitit. Si e shihni ju këtë situatë?

DANIEL SERWER
Mendoj se Grupi i Kontaktit po tregohet i sinqertë, por gjithashtu mendoj se mund të ketë disa muaj shtyrje. Serbët mjaft qartë po kërkojnë që të shtyhet procesi, Beogradi ka shpallur referendumin për kushtetutën, ndërsa pas këtij referendumi do të mbahen zgjedhje. Edhe pse Grupi i Kontaktit mund të bëjë ç'të dojë, mendoj se është vështirë të besohet se Këshilli i Sigurimit do të veprojë pa pasur një qeveri të re në Beograd. Ndoshta do të mundnin në parim, por ndoshta nuk do të duan, prandaj mund të ketë disa muaj shtyrje. Megjithatë nuk mendoj se disa muaj shtyrje kanë ndonjë rëndësi të veçantë. Çështja më e rëndësishme është që të ketë një zgjidhje të qartë të statusit dhe jo një zgjidhje plotësisht të mjegulluar dhe me paqartësi.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se në fund do të kemi, siç thoni ju, zgjidhje të qartë?

DANIEL SERWER
Nuk e di, mendoj se ka një rezistencë të jashtëzakonshme ndaj një zgjidhjeje të qartë, rezistencë kjo që vjen sidomos nga ana e Beogradit, që sigurisht preferon një zgjidhje të mjegulltë të statusit të Kosovës, i cili nuk do ta prekte sovranitetin e saj. Rusët gjithashtu duket se preferojnë një status të mjegulltë apo të paqartë. Unë personalisht jam kundër çdo lloj statusi të paqartë, sepse do të mund të shkaktonte një jostabilitet të mëtejshëm në Ballkan. Por më lejoni të qartësoj diçka. Ka apo s'ka shtyrje, gjëja më e keqe që shqiptarët e Kosovës mund të bëjnë për veten e tyre dhe çështjen e tyre është dhuna ndaj serbëve. Gjëja më e mirë që shqiptarët mund të bëjnë për momentin, është që të rikthejnë sa më shumë serbë në shtëpitë e tyre me sa më shumë siguri që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kombet e Bashkuara e zgjatën kontratën për të dërguarin e veçantë për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Sipas jush a ishte kjo thjeshtë një lëvizje administrative apo diçka në lidhje me shtyrjen e mundshme të statusit?

DANIEL SERWER
Nuk e di, por siç e thashë, nuk do të befasohesha nëse do ketë disa muaj shtyrje, ndërkohë që Beogradi zgjidhë situatën e vet të brendshme politike. Nuk është diçka jo e zakonshme. Kosova duhet të mësohet me faktin se disa herë nuk mund të realizohen gjërat në mënyrë precize sipas planit kohor. Disa muaj nuk kanë rëndësi. Ajo që është e rëndësishme është qartësia e zgjidhjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cila do të ishte zgjidhje e qartë?

DANIEL SERWER
Mendoj se çështja thelbësore që duhet të sqarohet është sovraniteti dhe Beogradi e ka kuptuar gjithmonë saktësisht që sovraniteti është çështja dhe jo pavarësia. Pavarësia është një çështje relative dhe të them të drejtën Kosova është tashmë relativisht e pavarur. Jam dakort me zotin Rugova, i cili kishte zakon të thoshte që Kosova është tashmë e pavarur dhe se vetëm i mungon njohja ndërkombëtare. I mungon njohja ndërkombëtare e sovranitetit të saj, jo e pavarësisë së saj. Sovraniteti nuk është vetëm çështje e autoritetit tuaj, por e autoritetit mbi një territor. Kjo është pika ku kam disa shqetësime, sepse mendoj se edhe pse Grupi i Kontaktit i ka thënë gjithmonë jo ndarjes, nuk është bërë sa duhet për të parandaluar ndarjen ekzistuese, që të vazhdojë pasi të gjendet zgjidhja e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia ka thënë se mund ta përdorë veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. A është ky opsion real?

DANIEL SERWER
Mendoj se është dhe mendoj se është roli i duhur i Shteteve të Bashkuara që të flasin me Moskën se çfarë don apo a ka ndonjë nevojë, në mënyrë që të mos përdorë veton e saj. Nuk kam parë ende në fakt, shumë vullnet nga ana e amerikanëve që të bëjnë këtë hap. Për sa kohë që Beogradi e ka veton e Moskës në xhep, forca negociuese është në anën e Beogradit dhe vetëm amerikanët mund t'i bindin rusët që të heqin dorë nga vetoja dhe të mbështetin një zgjidhje të qartë të statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mund të bëjnë ata në këtë çështje?

DANIEL SERWER
Shtetet e Bashkuara do të duhet t'i japin Rusisë disa stimulime. Nuk e di se çfarë mund të jenë ato, jam i sigurt asnjë nuk di se çfarë do të jenë, varet se për çfarë do të kenë nevojë rusët në një ditë të caktuar. Nuk mendoj se rusët janë domosdoshmërisht të angazhuar për gjithmonë për ti bërë veto një zgjidhjeje të qartë të statusit të Kosovës. Por amerikanët do duhet të bëjnë ofertë konkrete, siç themi ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Ti kthehemi sërish Grupit të Kontaktit për Kosovën. A janë vendet anëtare perëndimore të këtij grupi unike lidhur me çështjen e Kosovës?

DANIEL SERWER
Mendoj se janë unike në kërkimin e një zgjidhjeje të qartë të çështjes së sovranitetit. Nuk jam i sigurt nëse janë aq të bashkuar lidhur me afatin kohor, apo se çfarë do të përbënte një zgjidhje të qartë. Mendoj se në përgjithësi janë të bashkuar në kërkimin e një zgjidhjeje të qartë dhe paekuivoke të çështjes së Kosovës. Lind pyetja nëse do e paguajnë çmimin për të.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është ky çmim që duhet të paguhet?

DANIEL SERWER
Nuk është e qartë se cili është çmimi për të paguar, sepse siç e thashë, rusëve u paguan çmimin ditën që u kërkon të heqin dorë nga vetoja. Po më pyesni një pyetje që nuk mund të ketë përgjigje. Gjithçka varet nga rrethanat dhe nga momenti dhe ai moment nuk ka ardhur ende. Ajo për të cilën jam i shqetësuar është fakti se nuk po shoh që Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane të bashkohen dhe të përgatiten të paguajnë atë çmim. Jam i shqetësuar për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund të kësaj intervsita dëshrorj t'ju pyes për një orar kohor të mundshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje?

DANIEL SERWER
Po më kërkoni që të parashikoj diçka mbi të cilën nuk kam asnjë kontroll. Mendoj që afati kohor luhatet midis fundit të vitit dhe mesit të vitit tjetër. Edhe nëse ka ndonjë shtyrje, nuk mendoj se ajo do të jetë e gjatë. Beogradi do përpiqet që ta stërzgjatë atë, por nuk mendoj se munden t'ia dalin mbanë përgjithmonë. Mendoj se njerëzit në Prishtinë duhet të kuptojnë se kjo është një çështje që lidhet me statusin e tyre përgjithmonë dhe nëse ka ndonjë shtyrje disa mujore në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e qartë dhe paekuivoke, kjo është më mirë se sa të kemi një zgjidhjeje të paqartë të statusit të Kosovës.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG