Ndërlidhjet

PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZURA NË KOSOVË KËRKOJNË MBËSHTETJE LIGJORE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Personat me aftësi të kufizuar në Kosovë kanë nevojë për mbështetje ligjore dhe nga vetë shoqëria kosovare në përgjithësi.

Në një debat të mbajtur sot në Prishtinë, mbi Konventën e nënshkruar në New York për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, Habit Hajredini, nga zyra për qeverisje të mirë, tha se qeveria e Kosovës në vazhdimësi është munduar që të mbrojë këto të drejta. Ai tha se aktualisht po bëhen përpjekje për të shkrirë disa elemente nga kjo konventë në ligjet kosovare.

“Duhet pasur parasysh rëndësia e kësaj konvente nga lëmia e të drejtave të njeriut, që ka të bëjë me suksesin e jashtëzakonshëm të OJQ-ve në Kosovë, me afirmimin e imazhit pozitiv të Kosovës në sferën e mbrojtjes dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të cilat do të kontribuojnë në shtimin e mëtejmë të prestigjit të Kosovës në planin ndërkombëtar” tha zoti Hajredini.

Herry Mcgreen , nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, tha se është e domosdoshme që të drejtat e personave me aftësi të kufizuar të respektohen në mënyrë ligjore edhe në Kosovë.
Sipas tij, kjo konventë ofron një bazë të fuqishme për plotësimin e këtyre të drejtave.

“Të drejtat themelore të njeriut duhet të respektohen nga të gjitha qeveritë në të gjithë botën. Ne jemi këtu që t’u ndihmojmë, që të punojmë me partnerët tanë vendorë, që të bëjmë respektimin e mëtutjeshëm të personave me aftësi të kufizuara , pasi që të gjithë njerëzit kanë të drejtë të patjetërsueshme nga lindja,” tha zoti Mcgreen, duke shtuar se kjo kategori e njerëzve ka të drejtë të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike dhe institucionale.

Në Kosovë duhet aprovuar një ligj dhe duhet vëzhguar zbatimi i tij sipas modelit të ligjit amerikan, tha Hilmnijeta Apuk, përfaqësuese e organizatës "Njerëzit e vegjël në Kosovë".

“Njëkohësisht në Kosovë ka vetëm 27 organizata joqeveritare, të cilat merren me çështjen e personave me mundësi te kufizuara, kjo është shumë pak. Realizimi i kësaj konvente do të kërkojë që qeveria jonë të përkrahet dhe ndihmohet nga donatorët, pasi me gjendjen e tanishme të buxhetit qeveria mund të bëjë shumë pak”, tha zonja Apuk.

Konventa e re, duhet të jetë si udhërrëfyes për kompletimin e legjislacionit në parlamentin e Kosovës, tha Fatmire Mulhaxha Kollcaku, kryetare e komisionit parlamentar për shëndetësi. Sipas saj Kuvendi i Kosovës duhet të përkrah qeverinë në aktivitetet e saja duke i votuar këto ligje, por edhe të përcjellë zbatueshmërinë e tyre.

“Ne shpresojmë se konventa në të ardhmen duhet të shërbejë si pikënisje për të gjitha aktivitet e qeverisë, që më në fund edhe personat që padrejtësisht sot janë të lënë anash, ta zënë vendin e vet të duhur dhe meritor në shoqëri,” tha zonja Mulhaxha -Kollcaku.

Ndryshe, përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, nuk besojnë se kjo konventë do të përmirësojë gjendjen e tyre. Gëzim Abazi, nga shoqata HENDIKEP –KOSOVA, është skeptik.

“Njëra prej tyre është buxheti, pastaj shumë nga konventat mbesin në sirtar pa i miratuar, pikërisht për një arsye të vetme se nuk ka buxhet. Por nuk besoj se drejtpërdrejt të gjitha gjërat lidhen vetëm me sistemin buxhetor,” tha zoti Abazi.

Në Kosovë llogariten të jenë mbi 150 mijë persona me aftësi të kufizuar. Deri më tash parlamenti i Kosovës ka miratuar një ligj për të mbrojtur të drejtat e këtyre personave, por përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë pohuar se ky ligj e diskriminon këtë kategori të shoqërisë. Kjo, për faktin se ligji ofron 40 euro në muaj për të gjithë personat me aftësi të kufizuar mbi moshën 18 vjeçare, ndërkaq personat nën këtë moshë nuk gëzojnë asgjë.


XS
SM
MD
LG