Ndërlidhjet

KORRUPSIONI NË SISTEMIN ARSIMOR KA NDIKUAR QË DIPLOMAT TË VIHEN NË PIKËPYETJE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Korrupsioni në sistemin arsimor, pagat e ulëta të mësimdhënësve dhe qasja joserioze e institucioneve vendore në arsimim, ka bërë që fuqia punëtore në Kosovë të jetë më e pa arsimuara në rajon, thonë ekspertë të arsimit.

Sipas një hulumtimi që ka bërë Qendra për Arsim e Kosovës, thuhet se pjesa më e madhe e popullatës kosovare ka të përfunduar vetëm 10 vite shkollim. Halim Hyseni nga kjo qendër, pohon se shkalla e aftësisë së qytetarëve të Kosovës, nuk është në nivelin e dëshiruar dhe pamundëson luftën kundër varfërisë.

“Shkalla e regjistrimit të nxënësve në arsimin e lartë është më e ulëta në Evropë, ndërkaq shkalla e aftësisë së qytetarëve për lexim dhe shkrim është në nivel të ulët, e sidomos tek gjinia femërore ,” thotë zoti Hyseni.

Ai ndërkaq pohon se nxënësit, në të gjitha nivelet e shkollimit nuk fitojnë njohuri dhe dituri të qëndrueshme, për shkak të cilësisë së dobët të arsimit.Sipas tij, shumë studentë kanë diploma në lëmi të ndryshme, por prapa kësaj diplome nuk qëndrojnë vlerat e nevojshme.

“Cilësia e arsimimit është e ulët, sepse nxënësit gjatë shkollimit, njohuritë të cilat i fitojnë, nuk kanë mundësi t'i zbatojnë në praktikë", pohon zoti Hyseni.

Zoti Hyseni, ndërkaq thotë se korrupsioni në këtë fushë, është faktori kryesor që ka ndikuar në sistemin e arsimit. Kjo, sipas tij nënkupton mundësi për të blerë diplomat.

“Korrupsioni krijon anti-vlera, sepse krijon mundësi që licensat, çertifikatat dhe diplomat të blihen me para, me korrupsion. Vendet udhëheqëse të caktohen po ashtu në bazë të korrupsionit dhe mitos,” tha zoti Hyseni.

Por, të gjitha këto hidhen poshtë nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji. Mimoza Hasani, zëdhënëse në këtë ministri, thotë se cilësia varet nga vetë studentët, ndërkaq për keqpërdorime në sistemin arsimor thotë se deri më tash nuk është paraqitur asnjë rast.

“Cilësia në Universitetin e Prishtinës është reciproke nxënës –mësimdhënës, çdo herë varet edhe angazhimi i studentëve për rezultatet përfundimtare, ndërkaq për falsifikime deri më tani nuk janë paraqitur raste, nuk ka ndodhur”, tha zonja Hasani.

Zonja Hasani, pohon se Ministria e Arsimit, si prioritet të vetin ka ngritjen e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet.
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si prioritet ka të ngritet cilësia e arsimit në këto shkolla, apo edhe në universitete,” tha zonja Hasani.

Por këtë e kundërshton, zoti Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës.
“E kemi një qeverisje dhe udhëheqje, të cilët janë në situatë të fikin zjarre, janë të lodhur me punën e përditshme, nuk merren me probleme strategjike, arsimi për ta nuk është prioritet”, tha zoti Hyseni.

Sidoqoftë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ende nuk e ka themeluar Agjencinë e Akredimit të Kosovës, e cila sipas ligjit do të vlerësonte cilësinë e mësimit në institucionet publike dhe private të arsimit.
XS
SM
MD
LG