Ndërlidhjet

ILUZIONET NË BEOGRAD


The Guardian

Kosova gjithnjë ka zënë një vend të posaçëm në historinë dhe zemrat serbe dhe rezultati i referendumit të fundjavës mbi kushtetutën e re të Serbisë konfirmon një gjë të këtillë. Në pritje të vendimit për statusin përfundimtar, ka qenë gjithmonë e vështirë për ta gjetur një zgjidhje për Kosovën dhe njoftimet e fundit nga Beogradi e vështirësojnë këtë proces edhe më shumë.

Cilësimet se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë mund të nxisin ndjenja të fuqishme patriotike, por njëkohësisht ato shkojnë në dobi të ultranacionalistëve radikalë dhe mbase ndihmojnë udhëheqësit serbë që të shmangin përgjegjësinë për humbjen e Kosovës.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, sigurisht e kupton se fati i Kosovës është përcaktuar me ofenzivën e Slobodan Milosheviqit më 1998, duke nxitur kësisoji sulmet e NATO-s dhe shpërbërjen e pushtetit të tij.

Por, ekziston droja se serbët e Kosovës do ta kuptojnë përmbajtjen e kushtetutës së re, si parandalim për amputimin e tyre nga Serbia. Ky mund të jetë një iluzion i rrezikshëm, i cili do t’i trimëronte ata në përpjekjet për ta detyruar ndarjen e Kosovës, ndoshta edhe duke nxitur dhunë dhe zhvendosje masive.

Edhe para mbajtjes së referendumit ka qenë e qartë se negociatat e udhëhequra nga diplomati finlandez, Martti Ahtisaari, do të përballen me çaste krize, pjesërisht për shkak të rivalitetit të njohur midis fuqive botërore. Vladimir Putin ka lënë të kuptohet se nëse perëndimi synon shkëputjen e Kosovës nga Serbia, atëherë cilitdo që të jetë statusi, ai do të trimërojë rajonet pro-ruse kudo që të synojnë pavarësinë.

Nëse Moska mbështet Beogradin, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të mund të njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Kosovarët sigurisht që synojnë lirinë dhe sovranitetin, kryeministri Agim Çeku, e përshkruan Kosovën si pjesën e fundit të mozaikut evropian. Por, kompletimi i tij duket i vështirë dhe shtetndërtimi pas luftës nuk është fare i lehtë.

Të gjitha këto vetëm rikujtojnë faktin se nga Ballkani e deri në Baghdad, ndërhyrja ushtarake e Perëndimit është gjithmonë vetëm fillimi dhe jo fundi i rrëfimit.
XS
SM
MD
LG